
Vengu: Reshje me intensitet rekord, dëme në 7 qarqe të vendit
Shqipëria prej katër ditësh po përballet me reshje të dendura dhe një front meteorologjik me intensitet rekord, i cili ka shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit.

Shqipëria prej katër ditësh po përballet me reshje të dendura dhe një front meteorologjik me intensitet rekord, i cili ka shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, nga qendra lëvizëse e Emergjencave Civile pranë Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, bëri publike panoramën paraprake të situatës në një intervistë televizive.
Sipas tij, më të goditurat deri tani janë qarqet Lezhë, Dibër, Fier, Berat, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë, ku prurjet e larta të lumenjve dhe reshjet e pandërprera kanë shkaktuar vështirësi të shumta në terren.
Vengu theksoi se strategjia e institucioneve të emergjencave u fokusua në paralajmërim, parandalim dhe mbështetje të banorëve, duke parandaluar përkeqësimin e situatës në zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut. Ai nënvizoi se menaxhimi i kaskadës së Drinit ka qenë vendimtar për të shmangur një situatë potencialisht katastrofike në Shkodër, pavarësisht prurjeve të mëdha anësore.
Në lidhje me bilancin e dëmeve dhe evakuimet, ministri deklaroi se nuk ka pasur evakuime masive, por vetëm të përkohshme në disa bashki: 52 familje të evakuuara në Vlorë; 18 familje të evakuuara në Qarkun e Korçës.
Sa i takon dëme në banesa janë raportuar kryesisht në: Lezhë 600 banesa të përmbytura; 300 banesa në Korçë; në Vlorë 52 banesa dhe në Fier 25 banesa.
Ndërkohë, kreu i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Haki Çako, u shpreh se pjesa më e madhe e familjeve të evakuuara tashmë janë rikthyer në banesat e tyre, në ato raste ku kushtet janë krijuar. Të tjerat do të kthehen sapo situata të normalizohet plotësisht.
Vengu u shpreh se, institucionet vijojnë monitorimin e vazhdueshëm të terrenit dhe janë në gadishmëri të çdo nevoje që paraqitet nga situata e krijuar nga reshjet.
Burimi ATSH


















