
Delegacioni gjerman takim me KLP-KLGJ: Konsolidimi i drejtësisë në funksion të integrimit në BE
Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, dhe Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, zhvilluan një takim të përbashkët pune me përfaqësues të lartë të Ambasadës Gjermane në Tiranë dhe Fondacionit Gjerman për Bashkëpunimin Juridik (IRZ).

Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, dhe Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, zhvilluan një takim të përbashkët pune me përfaqësues të lartë të Ambasadës Gjermane në Tiranë dhe Fondacionit Gjerman për Bashkëpunimin Juridik (IRZ).
Në takim morën pjesë Anette Kramme, Sekretare Parlamentare e Shtetit pranë Ministres së Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe anëtare e Bundestag-ut Gjerman, njëkohësisht Kryetare e IRZ-së, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, Stefan Hülshörster, Drejtor Ekzekutiv i IRZ-së, Piotr Malachoëski, referent për bashkëpunimin ndërkombëtar juridik, si edhe përfaqësuesja e IRZ-së, Nathalie Herbeck.
Në fokus të takimit ishte konsolidimi i mëtejshëm i institucioneve të drejtësisë shqiptare dhe avancimi me reformat në kuadër të procesit të integrimit në BE.
Rusi dhe Bogdani nënvizuan angazhimin e tyre të përbashkët për një sistem të drejtësisë më efikas, të pavarur dhe në përputhje me standardet evropiane. Ata po ashtu theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të qëndrueshëm me partnerët ndërkombëtarë, duke vlerësuar mbështetjen e Ambasadës Gjermane në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale.
Përfaqësuesit gjermanë vlerësuan progresin e bërë nga institucionet shqiptare të drejtësisë dhe riafirmuan gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe asistencës teknike në mbështetje të procesit të integrimit evropian.
Burimi ATSH


















