
Spiropali: Gati për sfidat për mbylljen e negociatave në vitin 2027
Ky është grup-kapitulli i fundit i negociatave që vendi ynë hap me bashkimin Evropian në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashmte, Elisa Spiropali u shpreh sot se me hapjen e grup-kapitullit të fundit të negociatave me Bashkimin Europian mbyllet një cikël përpjekjesh dhe hapet një horizont i ri sfidash e mundësish.
Spiropali nënvizoi se me çdo kapitull të hapur, Shqipëria shkruan një faqe të re të historisë europiane, jo më si aspiratë, por si një realitet në ndërtim.
“Ky është kurorëzimi i një dekade punësh të vështira, reformash të guximshme dhe besimi të palëkundur tek rruga e një Shqipërie me institucione të forta demokratike, me zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm, me drejtësi e mirëqenie për të gjithë”, u shpreh ajo.
Spiropali siguroi se “nuk do të ndalemi derisa flamuri ynë të jetë në tryezën e përbashkët europiane, për Shqipërinë, Europën e Ballkanit”.
“Gati për sfidat e punët që na presin për mbylljen e negociatave në vitin 2027. Shqipëria nuk ndalet”, u shpreh ajo.
Shqipëria dhe Bashkimi Evropian mbajtën sot në Bruksel Konferencën e 7-të Ndërqeveritare për hapjen e grup-kapitullit të fundit të negociatave.
Në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare me BE-në u hapën negociatat mbi grup-kapitullin 5 “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, duke përfshirë Kapitullin 11 (bujqësia dhe zhvillimi rural), 12 (siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria), 13 (peshkimi dhe akuakultura), 22 (politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore) dhe 33 (dispozitat financiare dhe buxhetore).
Ky është grup-kapitulli i fundit i negociatave që vendi ynë hap me bashkimin Evropian në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.



















