
Gonxhja: Diversifikim i produktit turistik për turizëm gjithëvjetor
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja prezantoi sot në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, buxhetin 2026 për institucionin që ai drejton.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja prezantoi sot në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, buxhetin 2026 për institucionin që ai drejton.
Në fjalën e tij, Gonxhja tha se “është e pamundur edhe sikur të kishim qeveritë më të apasionuara për këto sektorë dhe të ishin të fiksuar tek këta sektorë do të ishte pamundur ta bazonim gjithçka tek buxheti i shtetit. Është vetë natyra e këtyre sektorëve që është e pafundme për nga nevoja ju e dini si përballemi në pjesën e trashëgimisë, sa dëshira kemi të rijetëzojmë dhe ritrajtojmë nga pikëpamja arkitektonike, historike e të gjithë ndërhyrjeve që kërkon vendi në shumë aspekte”.
Ministri Gonxhja tha se “nga kjo pikëpamje ju garantoj se nuk jam i kënaqur me buxhetin, megjithëse kemi një rritje të lehtë i cili në total paraqitet me një vlerë 7.4 miliardë lekësh dhe tenton të krijojë politika gjithëpërfshirëse, programe konkrete për zhvillim ekonomik për një integrim më të madh social dhe kulturor të vendit, por dhe për ta adresuar këtë përmes politikave që për vitet 2026-2028 të kemi një zhvillim më të balancuar mes investimeve infrastrukturore, përmirësimeve të shërbimeve dhe mbështetjes së talentit artistik dhe krijues”.
Gonxhja u shpreh se “gjithsesi është një buxhet, i cili parashikon një rritje prej 20% në totalin e vet, krahasuar me alokimin e vitit 2025 të fondeve buxhetore për programet”.
“Edhe këtu bëjmë një krahasim me fillimin e vitit. Gjatë vitit kemi disa herë prekje me akte normative dhe kemi një përshtatje dhe një lloj plotësimi gjatë vitit aty ku me nikorqillëk brenda shtëpisë ka rezerva dhe Ministria e Financave e shikon të arsyeshme të akomodojë disa prej kërkesave tona. Kështu ka bërë edhe sivjet, por ama ne duhet të krahasohemi me fillimin e vitit dhe këtu kemi një rritje që duhet ta themi që është një rritje jo e vogël”, tha Gonxhja.
Ministri Gonxhja vuri në dukje se në fushën e Turizmit, synohet kthimi i Shqipërisë në një destinacion tërheqës turistik, cilësor dhe të qëndrueshëm, duke shfrytëzuar potenciale dhe burime lokale, duke u fokusuar në atë çka është unike në vendin tonë.
“Prioritet është diversifikimi i produktit turistik për të arritur një turizëm gjithëvjetor duke promovuar gjerësisht Shqipërinë në komunitetin ndërkombëtar si një destinacion i denjë për të konkurruar globalisht; sigurimi e zhvillimi i qëndrueshëm i zonës bregdetare, nëpërmjet ofrimit të shërbimit të pastrimit gjatë sezonit turistik, me qëllim rritjen e turistëve të huaj dhe zhvillimi i produkteve dhe shërbimeve të reja në turizëm, si dhe përmirësimi i imazhit të vendit duke promovuar produkte lokale”, tha Gonxhja.
Sa i përket prioriteteve në fushat e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, Gonxhja tha se do të prioritizohet: përmirësimi dhe zgjerimi i tregjeve kulturore përmes legjislacionit nga i cili do të përfitojnë krijuesit, krijimtaria artistike dhe kulturore dhe trashëgimia kulturore këtu kemi pasurim të kalendarit artistik; krijimi i një mjedisi të qëndrueshëm ligjor e institucional për zhvillimin e artit dhe kulturës; Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë materiale dhe jomateriale kulturore; Rehabilitimi i trashëgimisë arkitektonike, muzeve dhe peizazhit përmes rritjes së numrit të monumenteve dhe muzeve të rehabilituara.
Gjithashtu, vijoi Gonxhja, prioritet është edhe pasurimi i fondeve artistike në teatër, muzikë, arte pamore, film, balet, ansambël popullor dhe digjitalizimi i tyre në nivel kombëtarë.
Burimi ATSH



















