
Vengu: Buxheti i Mbrojtjes 58,9 miliardë lekë, financojmë reformën e statusit të ushtarakut
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se projektbuxheti 2026 për Mbrojtjen ka pesë prioritete kryesore, ndërsa theksoi se për herë të parë buxheti arrin në nivelin 2,12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se projektbuxheti 2026 për Mbrojtjen ka pesë prioritete kryesore, ndërsa theksoi se për herë të parë buxheti arrin në nivelin 2,12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në prezantimin e projektbuxhetit për vitin 2026 për Ministrinë e Mbrojtjes, në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Vengu u shpreh se buxheti për Mbrojtjen në vitin 2026 kap shifrën prej 58,9 miliardë lekësh, me një rritje prej 12% nga viti 2025, dhe për herë të parë arrin në 2,12% të PBB-së.
Vengu nënvizoi se ky buxhet përcakton pesë prioritete.
Prioriteti i parë është kapitali njerëzor.
“Në qendër të çdo reforme që kemi ndërmarrë qëndron kapitali njerëzor. Përmes këtij projektbuxheti garantojmë 13 miliardë lekë, jo vetëm për pagat dhe mirëqenien e personelit, por edhe për vijimin e rritjes së pagave drejt mesatares së vendeve të NATO-s. Ambicia jonë është që deri në vitin 2029 të arrihet mesatarja e pagave të vendeve të NATO-s”, tha Vengu.
“Po ashtu, financojmë reformën e statusit të ushtarakut, një kërkesë e hershme e të gjithë ushtarakëve, qoftë në rezervë, në lirim apo aktivë – si dhe forcën rezerviste. Parashikohet shtimi i efektivëve me 450 rekrutë të rinj vetëm për gjashtëmujorin e parë dhe rikthimi në shërbim aktiv i specialistëve të kualifikuar”, theksoi Vengu.
Prioriteti i dytë është gatishmëria operacionale.
“Me një fond prej 16,3 miliardë lekësh, garantojmë që çdo njësi e Forcave të Armatosura të jetë në gatishmëri të plotë. Ky fond përfshin mirëmbajtjen e kapaciteteve në të gjithë spektrin e luftimit, misionet ndërkombëtare, trajnimin, nga helikopterët tek anijet, nga mbrojtja kibernetike, uniformat dhe municionet, deri te sigurimi i jetës së efektivëve dhe gatishmëria për çdo mision”, tha ministri.
Prioriteti i tretë: Modernizimi dhe industria vendase.
“Viti 2026 është viti i modernizimit të ushtrisë sonë dhe ringritjes së industrisë ushtarake vendase. Me 29 miliardë lekë investime kapitale – më shumë se gjysma e buxhetit – po ndërtojmë bazën për prodhimin vendas të municioneve, dronëve, mjeteve të blinduara dhe sistemeve antidron”, deklaroi Vengu.
“Kemi nisur rikthimin në funksion të komplekseve industriale, fillimisht në Tiranë, Rubik dhe Shkozet, dhe do të vijojmë me ish-komplekset e tjera në Poliçan, Gramsh dhe Mjekës”, shtoi ministri.
“Me këtë buxhet do të mund të vijojmë fazën e dytë të kampusit të ri të Forcave të Armatosura në Tiranë, do të rihapim Shkollën e Aviacionit dhe do të ridimensionojmë qendrën stërvitore në Bunavi, si një qendër stërvitjeje dhe disipline ushtarake elitare”, theksoi Vengu.
Prioriteti i katërt është mbrojtja civile dhe siguria e komunitetit.
“Kemi dedikuar 4,3 miliardë lekë për emergjencat civile, afërsisht 8% të buxhetit. Një fond që përfshin 1 miliard lekë fond të kushtëzuar në mbështetje të njësive të vetëqeverisjes vendore, fond që do të donim të shpërndahej në mënyrë më të drejtë, sipas riskut dhe zonave më të prekura nga fatkeqësitë natyrore”, tha Vengu.
“Një miliard lekë janë parashikuar për projektet në infrastrukturën parandaluese të fatkeqësive, një kërkesë e vazhdueshme e bashkive dhe 300 milionë lekë për vijimin e programit kombëtar të rehabilitimit të digave”, tha Vengu.
“Një risi e rëndësishme është ngritja e qendrave rajonale të emergjencave civile. Nga katër që synojmë gjatë katërvjeçarit, dy prej tyre, në Bushat dhe Krane, janë të financuara nga ky projektbuxhet, duke mundësuar forcimin e zinxhirit të reagimit të shpejtë dhe plotësimin e mangësive aktuale të pushtetit vendor në menaxhimin e emergjencave civile”, tha Vengu.
“Një element tjetër i rëndësishëm është financimi i ngritjes së sistemit të numrit kombëtar dhe europian 112, një prioritet kyç dhe një detyrim në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE. Gjithashtu, parashikohet financimi i fazës së parë të një flote të re mjetesh zjarrfikëse dhe me kalueshmëri të lartë”, shtoi ministri.
Prioriteti i pestë është digjitalizimi dhe inovacioni.
“Po investojmë në sistemet e integruara të komandim-kontrollit, në rrjete të sigurta komunikimi, dronë inteligjentë dhe analiza të avancuara për vendimmarrje në kohë reale”, tha ministri.
“Në industrinë vendase po nxisim partneritetet me universitetet publike dhe kompanitë teknologjike për zhvillimin e zgjidhjeve që lidhen me Inteligjencën Artificiale, si dhe për simulime dhe trajnime virtuale.”
Duke folur për impaktin ekonomik që pritet të ketë rilindja e industrisë ushtarake që në vitin e parë, Vengu theksoi se, “përmes kompanisë shtetërore KAYO parashikohen 3,8 milionë euro të ardhura direkte, 8 milionë euro të ardhura indirekte dhe krijimi i 326 vendeve të reja pune”.
Burimi ATSH



















