
Malaj: Nuk do të ketë rritje taksash në vitin 2026, lehtësime për biznesin dhe fermerët
Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi sot gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2026 në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, se në paketën fiskale të vitit të ardhshëm nuk do të ketë asnjë rritje taksash.

Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi sot gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2026 në Komisionin e Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, se në paketën fiskale të vitit të ardhshëm nuk do të ketë asnjë rritje taksash.
Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi se Qeveria nuk do të ndryshojë normat tatimore ekzistuese, duke ruajtur stabilitetin fiskal dhe duke vijuar njëkohësisht mbështetjen për biznesin, fermerët dhe qytetarët.
“Në Paketën Fiskale 2026 nuk parashikohet asnjë rritje e normave tatimore. Përkundrazi, ne do të propozojmë iniciativa ndihmuese me fokus biznesin, fermerin dhe qytetarin shqiptar”, theksoi ministri.
Ndër masat kryesore të propozuara në këtë paketë përfshihen skema e kompensimit të TVSH-së për fermerët në normën 10%, që pritet t’u lërë në duar rreth 1,5 miliardë lekë në vit; rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me një normë preferenciale prej 5%, që do të zbatohet gjatë gjithë vitit 2026; zbatimi i “Paqes fiskale”, si reformë që synon ndërtimin e një marrëdhënieje të re besimi midis biznesit dhe shtetit.
Sipas ministrit, këto masa janë pjesë e strategjisë afatmesme për të nxitur rritjen ekonomike pa e ngarkuar sektorin privat me taksa shtesë, duke përmirësuar njëkohësisht administrimin fiskal dhe formalizimin e ekonomisë.
“Ne do të vazhdojmë të garantojmë zhvillim ekonomik pa rritur taksat dhe pa rrezikuar stabilitetin fiskal. Objektivi ynë është të krijojmë kushte më të mira për punësim, investime dhe mirëqenie”, u shpreh ministri.
Projektbuxheti 2026, i cili parashikon shpenzime totale prej 886,7 miliardë lekësh, synon ruajtjen e ekuilibrit mes zhvillimit ekonomik dhe disiplinës buxhetore, duke u fokusuar në rritjen e mirëqenies sociale dhe konsolidimin fiskal të vendit.
Burimi ATSH



















