
Policia merr në ruajtje 473 qendra votimi
Në qarqet Elbasan, Berat, Vlorë, Dibër dhe Gjirokastër do të mbahen zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.

Në kuadër të planit të masave të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka përfundon instruktazhi i punonjësve të Policisë në qarqet Elbasan, Berat, Vlorë, Dibër e Gjirokastër, ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.
612 punonjësit e Policisë janë trajnuar dhe pajisur me librin e xhepit dhe dokumentin identifikues, sipas numrit kodik.
Lista e punonjësve dhe mjeteve të angazhuara është miratuar nga KQZ.
Gjatë ditës së sotme, do të merren në ruajtje 473 qendra votimi, ndërsa objektet që shërbejnë si KZAZ janë tashmë në ruajtje nga Policia, që prej momentit të mbërritjes së materialeve zgjedhore.
Policia bën të ditur se janë ngritur grupet e drejtimit në komisariate dhe Grupi i Koordinimit në DVP, i cili koordinon veprimet me Grupin e Drejtimit në DPPSH, për të ndjekur në kohë reale mbarëvajtjen e procesit dhe për të menaxhuar çdo situatë, në zbatim të planit të posaçëm të masave.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar apo që synon të tjetërsojë votën e tyre.
Burimi ATSH


















