
Sala për prestigjiozen “AuntMinnieEurope”: Program kombëtar diagnostikimi i fuqizuar nga teknologjia digjitale dhe AI
Ndërsa Shqipëria është në rrugën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, vendi përballet me një dekadë vendimtare reformash, veçanërisht në sektorin e kujdesit shëndetësor.

Ndërsa Shqipëria është në rrugën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, vendi përballet me një dekadë vendimtare reformash, veçanërisht në sektorin e kujdesit shëndetësor.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën prestigjioze AuntMinnieEurope, ministrja e sapoemëruar e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Shqipërisë, prof. Evis Sala, një radiologe akademike e njohur ndërkombëtarisht për punën e saj në imazherinë onkologjike, ka paraqitur vizionin e saj për përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) dhe imazherisë digjitale për të modernizuar kujdesin ndaj pacientëve dhe për të forcuar sistemin kombëtar shëndetësor.
“Vetëm pasi pranova këtë detyrë e kuptova që më mungonte një sfidë e re në jetë. Mund të tingëllojë e çuditshme, por unë zhvilloj vetveten përballë sfidave, të mëdha apo të vogla. Kjo është padyshim sfida më e madhe që kam marrë përsipër deri më tani”, tha Sala.
Ministrja Sala u shpreh se “nuk e kam menduar kurrë se do të mund të ndikoja drejtpërdrejt në shëndetin e një vendi të tërë, por besoj se ndikimi im në këtë rol mund të jetë më i madh se në çdo detyrë tjetër që kam pasur.”
Ajo theksoi se katër vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për integrimin e sistemit shëndetësor shqiptar në sistemin shëndetësor të BE-së, dhe se përvoja e saj në imazheri dhe onkologji do të shërbejë në mbarëvajtjen e këtij procesi. Ndër fushat që do të pësojnë transformim, imazheria mjekësore dallohet si një faktor kyç për diagnozë më të saktë, parandalim dhe rezultate më të mira për pacientët.
Prof. Evis Sala foli për politikat e kujdesit shëndetësor, duke filluar me një plan për krijimin e një programi kombëtar diagnostikimi.
Projekti i saj i parë madhor do të jetë krijimi i një programi kombëtar diagnostikimi që lidh kujdesin parësor me atë dytësor dhe terciar.
“Ky projekt do të fuqizohet nga teknologjia digjitale dhe inteligjenca artificiale. Përvoja që kam fituar duke u formuar gjatë revolucionit të imazherisë digjitale dhe duke punuar gjatë transformimit të radiologjisë nga IA, deri vetëm një muaj më parë, do të më ndihmojë ta bëj këtë projekt një prioritet dhe një sukses,” tha Sala.
Përtej radiologjisë, karriera e saj e gjerë në kujdesin shëndetësor e ka përgatitur mirë për këtë rol të ri. Pas diplomimit në Fakultetin e Mjekësisë në Shqipëri, ajo u specializua dhe punoi në Cambridge University Hospital, dhe më pas në Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Nju Jork. Në të dy institucionet, ajo thelloi kuptimin e saj për ekosistemin e kancerit nga gjenomika dhe terapitë e reja, deri te bashkërendimi i kujdesit multidisiplinar.
Këto përvoja e përgatitën atë të drejtonte një nga departamentet më të mëdha të radiologjisë në Romë, në Fondazione Policlinico Universitario Agostino Gemelli IRCCS, ku ajo avancoi më tej ekspertizën e saj në menaxhimin e kancerit dhe inovacionin në imazheri. Ajo ishte gjithashtu drejtoreshë e Programit të Trajnimit në Radiologji në Università Cattolica del Sacro Cuore.
“Në Romë mësova një grup tjetër aftësish që përfshijnë menaxhimin e pacientëve nga diagnoza deri te trajtimi, në këtë rast, radioterapia. Kjo më dha një pasqyrë të ekosistemeve të imazherisë që janë zhvilluar falë inovacionit,” tha Sala, e cila ka interes të veçantë në përdorimin e IA për vlerësimin e përgjigjes ndaj trajtimit të kancerit.
Ajo beson fort se imazheria është në zemër të transformimit digjital dhe inovacionit të IA në kujdesin shëndetësor, dhe se radiologët janë pike kyçe në evolucionin e mjekësisë precize dhe të kujdesit të integruar.
“Duhet të mendojmë si mund të ndikojmë në kujdesin ndaj pacientit në mënyrë më domethënëse. Shpesh mendojmë se IA do të ndikojë në çdo hap të veçantë, por duhet të kemi një pamje më të gjerë,” tha ajo. “Nëse nuk ndikojmë në çdo pjesë të rrugëtimit të pacientit nga fillimi deri në fund, nuk do të arrijmë të ndryshojmë realisht rezultatin për pacientin.”
“Nuk mjafton të jesh i shkëlqyer në diagnozë me ndihmën e IA, nëse nuk lidhim të gjitha hallkat, në mënyrë që të mos ketë vonesa në proces, që trajtimi të mos shtyhet,” shtoi ajo. “Duhet ta vendosim IA-n në të gjithë rrugën e pacientit dhe ta shohim si një ekosistem, jo si hapa të ndarë.”
Për momentin, Sala po përshtatet nga jeta klinike dhe akademike me kërkesat e politikëbërjes kombëtare. Ajo thotë se është thellësisht mirënjohëse për mbështetjen morale të kolegëve të saj në Romë, Kembrixh dhe Nju Jork, shumë prej të cilëve u habitën, por edhe u gëzuan për emërimin e saj. Inkurajimi i tyre, shton ajo, e ka bindur se ky është kapitulli i duhur për të.
“Çdo ditë ndjej gjithnjë e më shumë energji. Shoh gjëra që duhen ndryshuar, që duhen përmirësuar, dhe ndjej shtysë t’i realizoj, kjo e bën punën vërtet interesante,” tha ajo.
Të qenit radiologe mbetet një pjesë thelbësore e identitetit të saj, dhe ajo nuk ka ndërmend ta lërë pas këtë profesion.
“Radiologjia është e mrekullueshme,” theksoi ajo. “Roli ynë ka evoluar ndër vite, nga radiologë në diagnostikues. Shpresoj që gjatë jetës sime, të bëhemi edhe integrues të kujdesit.”
Edhe pse mund të mos kthehet më kurrë në punë klinike me kohë të plotë, ajo pranon se ende e do kreativitetin dhe inovacionin e vazhdueshëm që vijnë me drejtimin e një departamenti imazherie.
“Çfarëdo që të bëj në të ardhmen, do të përfshijë patjetër radiologjinë. Kur e do diçka, e mban gjithmonë pranë vetes,” përfundoi ajo.
Burimi ATSH


















