
Manja: Kemi detyrimin të zgjedhim Avokat Populli mbi palët
Kryetari i komisionit parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja deklaroi sot se Kuvendi ka detyrimin t’i japë Shqipërisë një Avokat Populli dinjitoz, mbi palët.

Kryetari i komisionit parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja deklaroi sot se Kuvendi ka detyrimin t’i japë Shqipërisë një Avokat Populli dinjitoz, mbi palët.
Gjatë raportimit në Kuvend të Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, mbi veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2024, Manja vlerësoi veçanërisht kontributin e saj në mbrojtje të të drejtave të njeriut.
Ai renditi disa prej arritjeve në kohën kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë, në garantimin e kushteve dinjitoze për të paraburgosurit dhe të burgosurit.
“Mbyllëm paraburgimin në Sarandë, në Tropojë, burgun e Vaqarrit, burgun e grave në Ali Dem e transferuam në burg të hapur dhe çuam gratë e dënuara në një institucion modern si ai i Pjoskës. Kjo falë dhe këmbënguljes së vazhdueshme të Avokates së Popullit që ka ngritur zërin në çdo raport të vetin që këto institucione që nuk plotësojnë asnjë standard të të drejtave dhe lirive themelore të të paraburgosurve të mbylleshin”, u shpreh Manja.
Manja theksoi se tani është detyrë e komisionit të Ligjeve dhe këtij Kuvendi që t’i japë Shqipërisë një Avokat Populli për të vazhduar punën aty ku do ta lërë Ballanca.
Duke replikuar me deputeten e PD-së Jorida Tabaku, Manja kujtoi se “opozita ka marrë kryesimin e komisionit parlamentar të përhershëm të të Drejtave të Njeriut”.
“Ky parlament ka detyrën t’i japë Shqipërisë një Avokat Populli dinjitoz mbi palët dhe që të jetë zëri i institucioneve në këtë proces. Jam i bindur që do të jetë një Avokat Populli që do të vazhdojë punën aty ku e la Ballanca dhe që i bën nder Shqipërisë”, tha ai.
Manja tha se ka ikur koha që Shqipëria t’i ndajë institucionet mes palëve. “Avokati i Popullit është avokati i qytetarëve shqiptarë. Ai është Avokati i Popullit, jo i partive, por i shqiptarëve. Ky është Avokati që do zgjedhim”, tha Manja.
/Marrë nga ATSH



















