
Përmet, hapet qendra e rikuperimit të materialeve të riciklueshme
Në qytetin e Përmetit u hap sot qendra e re e rikuperimit të materialeve të riciklueshme, financuar nga projekti i Bashkimit Europian “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të Jetueshme”, në bashkëpunim me Gjermaninë

Në qytetin e Përmetit u hap sot qendra e re e rikuperimit të materialeve të riciklueshme, financuar nga projekti i Bashkimit Europian “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të Jetueshme”, në bashkëpunim me Gjermaninë.
Ky investim mbron mjedisin dhe shëndetin publik, ndërsa mbështet Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato i pranishëm në ceremoninë e hapjes tha se “Përmeti po tregon se si mund të duket e ardhmja e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri. Kjo qendër e re mban mbetjet larg lumenjve dhe landfilleve, krijon mundësi ekonomike dhe mbështet rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së”.
“Gjithashtu qendra tregon se kur komunitetet lokale, BE-ja dhe partnerët tanë punojnë së bashku, ndryshimi bëhet realitet”, theksoi Gonzato.
Qendra e ndërtuar me ekspertizën e GIZ — do të grumbullojë, ndajë dhe presojë materiale si plastika, letra dhe metali, duke i mbajtur larg landfilleve, lumenjve dhe natyrës.
Këto materiale të riciklueshme mund të shiten më pas tek industria e riciklimit, duke ndihmuar bashkinë të mbulojë kostot operative dhe madje të gjenerojë të ardhura.
Bashkia e Përmetit grumbullon rreth 1700 tonë mbetje në vit dhe pothuajse vetëm një e treta e tyre mund të riciklohet.
Burimi ATSH