
Zhvillimi i Rajonit Autonom Xinjiang-Ujgur në Kinë
Viti 2025 shënon 70-vjetorin e krijimit të Rajonit Autonom Xinjiang-Ujgur në Kinë.

Nga Dr. Enriko Ceko
Viti 2025 shënon 70-vjetorin e krijimit të Rajonit Autonom Xinjiang-Ujgur në Kinë. Në këtë përvjetor, që nuk është thjesht çështje e përkujtimit të një ngjarjeje historike, por një moment reflektimi mbi një udhëtim prej shtatë dekadash zhvillimi dhe transformimi, ja vlen të ndalemi në ato që kanë ndodhur në këtë rajon, që nga dikur i izoluar dhe kryesisht agrar, tashmë është kthyer në një rajon të transformuar në një hapësirë me rëndësi të madhe ekonomike, shoqërore, kulturore dhe strategjike, i cili luan edhe një rol të rëndësishëm në modernizimin e Kinës.
Banorë në qytetin Kashgar, Rajoni Autonom Xinjiang-Ujgur, Kinë Veriperëndimore/Foto nga VCG
Le të shohim së bashku disa nga karakteristikat e këtij ndryshimi të këtij rajoni, që janë.
1. Përparimi ekonomiko-shoqëror.
2. Përmirësimi i mirëqenies.
3. Mbrojtja mjedisore.
4. Uniteti kombëtar.
5. Mbështetja e qeverisë qendrore përgjatë procesit të modernizimit.
1. Përparimi ekonomiko-shoqëror
Në aspektin ekonomik dhe shoqëror, këto 70 vite, Xinjiangu ka patur një transformim të jashtëzakonshëm. Nga një rajon ku mbizotëronte bujqësia tradicionale, sot është kthyer në një qendër me industri moderne, bujqësi të mekanizuar dhe turizëm në zhvillim të shpejtë. Tipari kryesor ndër këto vite ka qenë investimet e shumta në infrastrukturë. Janë ndërtuar hekurudha, autostrada, aeroporte, diga hidrocentralesh, e të tjera, që kanë bërë të mundur lidhjen e rajonit me pjesën tjetër të Kinës dhe botës. Dhe paralelisht, ky zhvillim dhe këto investime kanë sjellë rritje të dukshme të standardit të jetesës dhe përmirësim të kushteve ekonomike e sociale për popullsinë vendase.
Turistë në qytetin Urumqi, Rajoni Autonom Xinjiang-Ujgur, Kinë Veriperëndimore/Foto nga VCG
2. Përmirësimi i mirëqenies
Një tjetër aspekt që vlen të theksohet është përmirësimi i mirëqenies parë kjo në këndvështrimin social. Në këtë periudhë shtatëdhjetëvjeçare janë zgjeruar shërbimet publike, duke përfshirë arsimin falas, kujdesin shëndetësor, sistemet e pensioneve, etj. Përmes një lufte pa kompromis kundër varfërisë, Qeveria e Kinës, me mbështetjen e popullit, bëri të mundur që miliona banorë të këtij rajoni t’i nxjerrë përgjithmonë nga kushtet e vështira të jetesës. Me miliona vende të reja pune janë krijuar përgjatë tërë kësaj periudhe me anë të mekanizmit të hapjes së tregjeve dhe integrimit ekonomik të rajonit, duke i dhënë më shumë siguri familjeve dhe perspektivë të garantuar të rinjve. Një tregues i qartë i këtij ndryshimi është rritja e sektorit të turizmit, rritje që për rajonin e Xinjiang, vetëm vitin e kaluar u reflektua me më shumë se 300 milionë vizitorë dhe miliarda dollarë të ardhura për komunitetin lokal.
3. Mbrojtja mjedisore
Stepë në Yili, Rajoni Autonom Xinjiang-Ujgur, Kinë Veriperëndimore/Foto nga VCG
Paralelisht me zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, një vëmendje e veçantë i është kushtuar çështjes së mbrojtjes së mjedisit. Në lidhje me këtë në rajonin Xinjiang janë ndërmarrë projekte të mëdha për shtimin e gjelbërimit dhe për të kthyer shkretëtirën në tokë me përdorime të shumta, sidomos kjo në zonat që kufizohen me shkretëtirën Taklamakan. Një drejtim kryesor ka qenë edhe ruajtja e burimeve ujore dhe rritja e eficiencës së përdorimit të ujit në bujqësi përmes teknologjive moderne të ujitjes. Xinjiangu gjithashtu është kthyer tashmë në një qendër të prodhimit të energjisë së pastër. Në këtë rajon panelet diellore dhe turbinat me erë janë shtrirë në shkallë të gjerë, duke e kthyer të tërë territorin e këtij rajoni në një laborator të energjisë së gjelbër dhe në një model për gjithë Kinën.
4. Uniteti kombëtar
Një nga aspektet kyçe në historinë e rajonit Xinjiang është edhe uniteti kombëtar. Ky rajon është shtëpia e 13 grupeve etnike. Forcimi i mëtejshëm i bashkëjetesës paqësore dhe respekti reciprok midis kulturave të ndryshme të grupeve etnike në këtë rajon ka qenë përparësi. Për këtë është dhënë mbështetje e plotë për ruajtjen e gjuhës dhe traditave lokale, paralelisht me integrimin në zhvillimin kombëtar. Ruajtja e diversitetit kulturor dhe forcimi i identitetit të përbashkët është bërë e mundur të arrihen me anë të promovimit të shkëmbimeve kulturore dhe edukative, si përbrenda vetë rajonit ashtu edhe në rajonet e tjera të Kinës dhe jashtë shtetit gjithashtu.
5. Mbështetja e qeverisë qendrore gjatë modernizimit
Banorë të kombësive të ndryshme jetojnë në harmoni në rajonin Xinjiang/Foto nga VCG
Padyshim që e tërë kjo ecuri dhe i tërë ky transformim nuk do të ishin bërë të mundur pa mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar të qeverisë qendrore. Zhvillimi i këtij rajoni është orientuar me anë të politikave të suksesshme fiskale dhe subvencioneve. Si rezultat tashmë Xinjiang është kthyer në një nyje të rëndësishme të nismës së madhe “Një brez, një rrugë”. Rajoni është shndërruar tashmë edhe në një pikë strategjike për tregtinë ndërkombëtare, pasi edhe pozicioni gjeografik i rajonit bën që Xinjiang të shërbejë si urë lidhëse mes Kinës, Azisë Qendrore, Evropës e më tej. Padyshim që qëndrueshmëria sociale dhe siguria publike kanë ndihmuar në këtë drejtim, si baza të rëndësishme për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm.
Si përfundim, padyshim që mund të shprehem se 70-vjetori i Rajonit Autonom Xinjiang-Ujgur në Kinë është një jubile që përfaqëson një moment shumë të madh. Është pikë kthese historike. Pas shtatë dekadash, rezultatet janë të dukshme: përparim ekonomik e shoqëror, përmirësim i mirëqenies, mbrojtje mjedisore, forcim i unitetit kombëtar dhe modernizim i mbështetur fuqishëm nga qeveria qendrore. Është pikërisht ky përvjetor që përcjell një mesazh të drejtpërdrejtë dhe shumë të qartë se vetëm përmes bashkëpunimit, zhvillimit dhe stabilitetit, është e mundur të ndërtohet një e ardhme më e mirë për të gjitha komunitetet.
Klikoni linkun për të parë videon e plotë CGTN