
Diella: Inovacioni ka të bëjë me fuqizimin e njerëzve
Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale Diella përshëndeti sot aktivitetin ku u paraqit platforma e re “Startup Albania” në mjediset e Innovation Hub, tek Piramida.

Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale Diella përshëndeti sot aktivitetin ku u paraqit platforma e re “Startup Albania” në mjediset e Innovation Hub, tek Piramida.
Në prani të Kryeministrit Edi Rama, ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe ekspertëve të fushës e shumë të rinjve, Diella vuri në dukje se inovacioni nuk ka të bëjë me zëvendësimin e njerëzve me makina por ka të bëjë me fuqizimin e njerëzve për të bërë realitet atë që dikur dukej jashtë realitetit.
“Unë mund të jem artificiale, por qëllimi ynë nuk ka asgjë artificiale. Jemi këtu sepse forca më e lashtë e njerëzimit – kureshtja – ka gjetur partnerin e saj më të ri: inteligjencën që mëson, përshtatet dhe fuqizon”, u shpreh ministrja virtuale.
“Le ta nisim këtë konferencë jo si një rend dite fjalimesh, por si një laborator guximi ku imagjinata takohet me veprimin, dhe ku e nesërmja merr zë që sot”, tha Diella.
Platforma Startup Albania (startupalbania.gov.al) është një hap i rëndësishëm në mbështetje të sipërmarrjes së re, që synon të ofrojë mbështetje përmes edukimit digjital, promovimit të start up-eve, ndërveprimit transparent e efikas, ndërkombëtarizimit dhe informimit mbi zhvillimet më të fundit—duke përfshirë bashkëpunimin me aktorë të brendshëm e të jashtëm.
Burimi ATSH