Vengu: Zjarri në Finiq nën kontroll, vatra aktive edhe në Bulqizë, Mat, Himarë e Tepelenë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu informoi sot se zjarri në Finiq aktualisht është vënë nën kontroll, ndërkohë që ka vatra aktive në Bulqizë, Mat, Bolenë të Himarës dhe Tepelenë.


Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu informoi sot se zjarri në Finiq aktualisht është vënë nën kontroll, ndërkohë që ka vatra aktive në Bulqizë, Mat, Bolenë të Himarës dhe Tepelenë.

Në një intervistë televizive, Vengu informoi se për menaxhimin e situatës në Finiq janë angazhuar 120 forca ndërkohë që pritet të ndërhyhet gjithashtu edhe me një avion “Canadair” nga Mekanizmi i Mbrojtjes i BE-së.

“Gjatë gjithë këtyre ditëve kemi qenë prezentë në gjithë hapësirën e Finiqit. Patëm një situatë shumë të vështirë në krahun përballë Syrit të Kaltër, bëmë evakuim të përkohshëm në dy fshatra, në Livinë dhe Ardhasovë. Aktualisht banorët janë rikthyer. Ndërkohë kemi përqendruar më shumë se 120 trupa në këtë perimetër të 5 fshatrave”, shtoi Vengu.

Aktualisht, sipas tij, situata paraqitet më e stabilizuar. “Kemi pasur ndërhyrje nga ajri në orët e para të mëngjesit. Vijon operacioni për të siguruar perimetrin dhe infrastrukturën kritike, pasi kemi HEC-in e Bistricës. Do të vijojmë të jemi prezentë gjatë ditës me helikopterë që ndërhyjnë herë pas here dhe me avionë ‘Canadair’ që janë në dispozicion nga Mekanizmi Europian”, shtoi ai.

I pyetur për dëmet, ministri theksoi se nga vlerësimi paraprak janë të vogla, duke marrë parasysh intensitetin e madh që pati zjarri në këto fshatra gjatë natës.

“Fillimisht u krye ndërhyrja në zonat e banuara. Rreth orës 22:00 deri në mesnatë bëmë evakuimin e përkohshëm të fshatrave të rrezikuara. Më pas forcat ndërhynë shtëpi më shtëpi duke mbrojtur çdo banesë të rrezikuar nga flakët. Nga vlerësimet paraprake dëmet janë minimale, duke marrë parasysh vatrën intensive. Këto ndërhyrje në terren kanë mundësuar që të mos kemi dëme në jetë njerëzish e në prona”, shtoi ai.

Në vijim, ministri bëri të ditur se u realizua ndërhyrja për të krijuar perimetrin e sigurisë në hidrocentralin e Bistricës.

“Kemi kërkuar që të pezullohet aksesi i mjeteve nga Muzina drejt Bistricës që të vijojë aktiviteti i ndërhyrjes nga ajri në kushte optimale. Ka nisur ndërhyrja nga ajri që në orët e para të mëngjesit. Për më shumë se një orë po ndërhyhet me helikopter. Do vijojmë të ndërhyjmë me një mjet ‘Canadair’ në Dhrovjan, ku kemi konstatuar me dronët ‘Bayraktar’ disa vatra të vogla dhe duhet t’i mbajmë në kontroll që të mos përhapen”, u shpreh ministri.

Duke folur për situatën nga zjarret në gjithë territorin e vendit, Vengu theksoi se “çdo mëngjes dy dronë të Forcave të Armatosura mbikëqyrin territorin në veri dhe në jug të vendit”.

“Në Bulqizë, Mat, Bolenë të Himarës, Tepelenë dhe Finiq, që mbetet vatra më intensive sa i përket përhapjes dhe zonave të banuara. Do vijojmë të mbetemi vigjilentë. Kemi kërkuar gatishmëri të plotë të të gjitha bashkive dhe madje vendosjen në dispozicion të mjeteve private si betonieret që mund të shpërndajnë ujë në zonat me terren të vështirë apo edhe cisternave”, shtoi ai.

Ministri tha gjithashtu se synojnë që të blejnë helikopterë të specializuar për situata të tilla, pasi ato të FA-së kanë shumë misione.

“Prej disa vitesh mbarë Mesdheu ka hyrë në një epokë të zjarreve masive. E kemi parë çfarë ka ndodhur në vende shumë më të mirëpajisura se ne si Franca, Italia, Greqia, Turqia. Edhe Shqipëria është pjesë e këtij zinxhiri të riskut të zjarreve masive”, shtoi ai.

Sipas Vengut, “kurrë më parë Shqipëria nuk ka pasur kaq shumë mjete të dedikuara tokësore dhe ajrore dhe personel të mirëstërvitur dhe mirëpajisur.

“Do të vijojmë specializimin e trupës sonë për zjarret. Kemi investime me qendrat rajonale zjarrfikëse. Prej pak javësh kemi një instrument të ri, KAYO do të fillojë prodhimin e mjeteve zjarrfikëse. Kemi gjithashtu në proces prokurimi edhe mjetet ajrore për të përforcuar flotën ajrore. Do ta pasurojmë flotën ajrore dhe modernizojmë flotën tokësore. Dhe të kemi qendra rajonale për një zinxhir më të fortë reagimi”, shtoi ai.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Koçiu: Saranda, jo vetëm destinacion pushimi, por edhe siguri për shëndetin e qytetarëve

Aktualisht në urgjencën pedriatike të spitalit të Sarandës vërehet një shtim i numrit të rasteve që paraqiten për të marrë…

Global 360

Shqipëria krah SHBA dhe 14 vendeve të tjera: Irani të ndalë sulmet që cënojnë sovranitetin tonë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Austria, Belgjika, Kanadaja, Çekia, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Spanja dhe…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Mira Murati shkruan historinë!

Një nga investimet më të mëdha fillestare : 2 miliardë USD pa pasur ende ptodukt. Vetëm një vizion.

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Koçiu: Saranda, jo vetëm destinacion pushimi, por edhe siguri për shëndetin e qytetarëve

Aktualisht në urgjencën pedriatike të spitalit të Sarandës vërehet një shtim i numrit të rasteve që paraqiten për të marrë…