
Gonxhja: 19% e nxënësve të regjistruar në arsimin profesional, niveli më i lartë në 25 vitet e fundit
Sistemi publik i arsimit dhe formimit profesional përfshin 41 institucione, nga të cilat 31 janë shkolla profesionale dhe 10 janë qendra formimi

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri me dije sot, se niveli i regjistrimeve në arsimin profesional, është më i larti në 25 vitet e fundit duke e konsideruar këtë një arritje historike.
Sipas Gonxhes, “19% e nxënësve të arsimit të mesëm janë të regjistruar në Arsimin Profesional, niveli më i lartë në 25 vitet e fundit”.
“Falë reformave të Qeverisë: investime moderne, laboratorë të pajisur, staf mësimdhënës të kualifikuar profile të reja dhe arsimin dual, rezultatet janë të prekshme, në rrugën drejt objektivit 1 në 3 nxënës në 2030”, tha Gonxhja në postimin në rrjetet sociale.
Arsimi i mesëm profesional u ofron nxënësve mundësi kualifikimi dy, tre dhe katërvjeçare, dhe i përgatit ata për profesione specifike, nëpërmjet zhvillimit të aftësive praktike dhe njohurive të aplikueshme.
Sistemi publik i arsimit dhe formimit profesional përfshin 41 institucione, nga të cilat 31 janë shkolla profesionale dhe 10 janë qendra formimi. Këto institucione ofrojnë kualifikime profesionale të nivelit të mesëm, përfshirë edhe programe të arsimit profesional në formën e dyfishtë, kualifikime pas të mesme dhe programe formimi afatshkurtra, të përshtatura për të gjitha grupmoshat.
/Burimi ATSH