Baftjar Rusi, avokati i drejtësisë, i paqes dhe i zemrës së madhe

Baftjar Rusi është nga ata njerëz, që lënë gjurmë të pashlyeshme kudo ku kalojnë.


Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Klosi i Dibrës, më 20 korrik 2025, kishte tjetër frymëmarrje. Dielli i mbrëmjes përkëdhelte majat e maleve, ndërsa oborri i mikut bujar Bajram Doko gumëzhinte nga gëzimi, urimet, përqafimet. Mbrëmje vere e kthjellët, me yje që ndiznin qiellin si fishekzjarre të padukshme, u shndërrua në skenë të ngrohtë festimi e mirënjohjeje.

Zotëronte ndjenjë e fortë bashkimi. Ishte nga ato mbrëmje, që të mbeten në kujtesë si mozaik ngjyrash e emocionesh: këngët dibrane, shakatë e miqve, e sidomos prania e njeriut që rrezaton respekt dhe dashuri: Baftjar Rusi. U mblodhën si familje e madhe: të afërm, miq, shokë, dashamirës, bashkëpunëtorë, dibranë të vendlindjes dhe ata të shpërndarë nëpër botë.

Ka njerëz që nuk e matin jetën me numrin e viteve, por me peshën e vlerave që mbartin. Në mesin e tyre qëndron, i qetë dhe i papërtuar, Baftjar Rusi, dibran me shpirt mali, me zemër të gjerë si luginat e Drinit, njeriu që mbetet gjithnjë i njëjtë, i përulur dhe i dashur edhe kur jeta e ka veshur me lavdi e tituj të shumtë.

Në sytë e mi, ajo mbrëmje ishte shumë më tepër se darkë festive. Ishte dëshmi e forcës, që ka ky njeri për të bashkuar njerëzit rreth tij, për t’u dhënë shpresë dhe respekt, për të qenë simbol i paqes dhe mirëkuptimit.

Në kohën kur ndasitë politike, çështjet e pronësisë, xhelozitë dhe mëria shpesh ndajnë familje, fis e miq, fakti që Baftjar Rusi arriti të mbledhë kaq shumë njerëz, ishte dëshmi e qartë e peshës së personalitetit. Burrë me mençuri të rrallë, filantrop, i thjeshtë, i përulur, por njëkohësisht i madh në përmasat e shpirtit dhe kulturës. Ka mënyrë prezantimi të natyrshme, të pastër dhe paqësore, që e bën të dashur për këdo.

Në atë mbrëmje, mbizotëroi atmosferë dibrane në kuptimin më të plotë të fjalës: mikpritje e ngrohtë, kulturë dhe dashuri për miqtë, qoftë edhe për ata që shiheshin për herë të parë. Ishte mbrëmje ku fjala “mik” kishte vlerën të vërtetë. Në mesin e të ftuarve ndodheshin edhe dy çifte të njohur durrsakësh Elsa dhe Vasil Hila, Enkelana dhe Kozma Plepi, si dhe zonja fisnike Kostandina Ngresi, miqësi e thekur që dëshmon lidhjen shpirtërore mes Dibrës dhe Durrësit.

Një gazetar si unë, i ftuar për herë të parë në mbrëmje të tillë dibrane, nuk mund të mos mbetesha i mahnitur. Aty, mikpritja nuk ishte thjesht zakon, por mënyrë të qenuri. Në çdo fytyrë, lexohej krenaria për të festuar për një njeri që i ka dhënë emër jo vetëm profesionit, por edhe vetë jetës së tyre. M’u dha mundësi e rrallë për të parë nga afër jo vetëm profesionistin e jashtëzakonshëm, por edhe njeriun e rrallë me shpirt fisnik dhe zemër të madhe.

Kultura dibrane atë mbrëmje ishte e gjithëpërfshirëse: mikpritja, zemërgjerësia dhe dashuria për miqtë, ishin shembuj të rrallë të asaj çka ne shpesh e quajmë “shpirti shqiptar”. Nuk munguan fjalët e ngrohta për të zotin e festës. Gazetari i njohur Defrim Methasani transmetoi mesazh shpirtëror të paharruar:

“Baftjar, jeta jote duhet të jetë 200-vjeçare – 100 për familjen dhe të afërmit, dhe 100 të tjera për miqtë dhe të njohurit.” Ky urim ishte më shumë se metaforë; ishte pasqyrë e shpirtit të tij të ndritur.

Festa e njeriut të dashurisë dhe fisnikërisë

Baftjar Rusi është nga ata njerëz, që lënë gjurmë të pashlyeshme kudo ku kalojnë. I urtë, i qetë, i mençur dhe me zemër të madhe. I përket atij brezi burrash, që nuk i shohim shpesh, burra të thjeshtë, por me shpirt të madhërishëm; njerëz të cilët ndihen si vëllezër me të gjithë, veçanërisht me ata që janë në vështirësi. Qoftë përmes profesionit si avokat, qoftë përmes ndihmës humane, është gjithmonë aty ku duhet, në krah të të pambrojturve, të atyre që kërkojnë drejtësi dhe nuk dinë si ta gjejnë. Në sytë e dibranëve, është figurë që “le kokën” për njerëzit. Nuk e sheh avokatinë si biznes, por si shërbim ndaj komunitetit dhe shoqërisë.

Baftjar Rusi nuk është vetëm praktikant i ligjit, por edhe mendimtar i tij. Ka shkruar librin “Mbi të Drejtën”, vepër e rëndësishme në fushën e jurisprudencës, si dhe artikuj kërkimorë që analizojnë thelbin e së drejtës dhe të drejtësisë. Si pedagog i jurisprudencës, është në ndihmesë për formimin e brezave të rinj të juristëve dhe avokatëve, duke u mësuar jo vetëm rregullat e ligjit, por edhe etikën, integritetin që duhet të shoqërojë këtë profesion.

Titulli “Doktor i Shkencave në Jurisprudencë” e përfaqëson atë jo vetëm si specialist të ligjit, por si vizionar që sheh përtej teksteve, duke e lidhur ligjin me jetën e përditshme dhe nevojat e njeriut. Në çdo dalje publike, në çdo shkrim apo ligjëratë, shfaqet si mbrojtës i së mirës, i së drejtës, i të bukurës dhe i të vërtetës.

Prej më shumë se tre dekadash, Baftjar Rusi ka ndërtuar karrierë, që është e ngjashme me monument të përulur, por të pathyeshëm. Në arenën ndërkombëtare, Baftjar Rusi ka mbrojtur me dinjitet dhe argumente të forta interesat e shqiptarëve në gjykatat më të njohura, përfshirë Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Aty, ka bërë përshtypje të madhe edhe në kolegët e tij ndërkombëtarë, duke demonstruar jo vetëm njohuri të thella ligjore, por edhe integritet dhe humanizëm në veprim.

Përtej profesionit, Baftjar Rusi është mendje e lirë, mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe aktivist i paepur kundër korrupsionit, padrejtësisë dhe çdo forme abuzimi. E shikon drejtësinë jo si mekanizëm të thatë ligjor, por si mision për të ngritur lart dinjitetin e njeriut.

Kushdo që e njeh, e di se Baftjar Rusi është gjithmonë aty ku ka nevojë: për të pambrojturit, për ata që janë në hall, për njerëzit që nuk kanë zë. Çfrytëzon detyrën e avokatit jo për të rritur pushtetin personal, por për të ndihmuar, për të ndrequr, për të mbrojtur me dinjitet dhe me argumente të pathyeshme. Në sallën e gjyqit, nuk është vetëm profesionisti i shkëlqyer, por njeriu i drejtësisë dhe i të vërtetës.

Reputacioni nuk është ngritur nga fjalët, por nga veprat. Dibranët e duan dhe e respektojnë aq shumë sa thonë: “Lëmë kokën për Baftjar Rusin.” Ky është vlerësim i cili nuk fitohet lehtë, por që lind vetëm nga sinqeriteti, përkushtimi dhe integriteti i plotë.

Titujt që i ndriçojnë emrin

E kanë quajtur “Misionar i Paqes Botërore”, “Ambasador Nderi”, e kanë nderuar me Medaljen e Artë “Mahatma Gandhi”. Por këto dekorata janë thjesht pasqyra që reflektojnë atë që ai është në të vërtetë: njeri që di të japë më shumë sesa merr.

“Njeriu i mirë është si hëna e plotë edhe kur mungon, drita e saj ndjehet”. Baftjar Rusi është pikërisht dritë e tillë, që e mbulon botën përreth me ngrohtësi dhe mençuri.

Këto nuk janë vetëm tituj protokollarë, por dëshmi të shpirtit filantrop, të aftësisë së tij për të ndërtuar ura miqësie dhe respekti midis njerëzve. Të jesh filantrop do të thotë të duash njeriun, të ndihmosh të tjerët jo për interes, por për bindjen se bota bëhet më e mirë, kur ti jep copëz zemre. Dhe pikërisht këtë filozofi e mishëron Baftjar Rusi.

Në kohën kur shoqëria shpesh përballet me padrejtësi, korrupsion dhe urrejtje, Baftjar Rusi është shembulli i rrallë i atij, që i kundërvihet këtyre fenomeneve me paqe dhe me forcën e argumentit. Nuk beson në konfliktet e kota, por te zgjidhjet paqësore dhe te drejtësia e pastër. Parë kështu organizata ndërkombëtare, i kanë dhënë tituj të lartë nderimi, duke e cilësuar si “misionar të paqes”.

Baftjar Rusi nuk është thjesht emër i madh i drejtësisë shqiptare, por personalitet që e nderon shoqërinë me praninë, mendimin dhe veprimet e tij. 65-së vjetori i lindjes, nuk është vetëm datë kalendarike, por moment për të reflektuar mbi vlerën e rrallë, që ka një njeri kur jeton për të tjerët, kur e sheh suksesin jo si fitore personale, por si dobi për të gjithë.

Mjeshtër i komunikimit njerëzor

Nuk e mban asnjëherë veten mbi të tjerët. Përkundrazi, është i afërt, i thjeshtë, i gatshëm për të dëgjuar dhe për të ndihmuar. Miqësia me të është një privilegj, sepse të mëson të shohësh përtej vetes, të kuptosh se fuqia e vërtetë qëndron te mirësia dhe te besimi se çdo njeri meriton respekt.

Në darkën e 20 korrikut, kjo cilësi u ndje kudo. Të gjithë flisnin për të njëjtin njeri – një mik, një vëlla, një mbrojtës, një njeri me kulturë të jashtëzakonshme dhe me një thjeshtësi që të çarmatos. Ai është personifikimi i dibranit fisnik, që nuk e harron asnjëherë prejardhjen e tij dhe që e ngrit me çdo veprim ndershmërinë e trashëguar nga të parët.

Baftjar Rusi është njeri i thjeshtë në sjellje, por me mendje të madhe dhe zemër të hapur. Ndihmon jo vetëm klientë me probleme ligjore, por edhe ata më të pambrojturit, njerëz të thjeshtë që shpesh rrallë gjejnë drejtësi. Me zë të qetë por të fuqishëm, me argumenta të pakundërshtueshëm dhe me shpirt të paqtë, është bërë simbol i dinjitetit njerëzor dhe drejtësisë së vërtetë.

Në botën e sotme, ku shpesh ndahen njerëzit nga dallimet politike, sociale apo ekonomike, Baftjar Rusi përbën urë bashkimi. Është mik dhe vëlla me të thjeshtët, mbrojtës i atyre që janë në hall dhe vështirësi, shpeshherë duke u bërë “copash” për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e tyre juridike.

Si përfaqësues i denjë i fisit dibran, trashëgon ndershmërinë e të parëve dhe vazhdon të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme dhe të sinqerta me njerëzit rreth tij, duke ngritur çdo ditë këtë trashëgimi në nivele të reja të përkushtimit dhe dashurisë njerëzore.

Shembull i Lartë i Fisnikërisë dhe Integritetit

Në një botë ku shpeshherë ndihen zërat e mosmarrëveshjeve, ndasive dhe përçarjeve, figura e Baftjar Rusit ngrihet si një dritë udhërrëfyese. Na kujton se të qenurit njeri nuk është vetëm një qenie biologjike, por angazhim i përditshëm për të qenë i drejtë, i ndershëm, i durueshëm dhe i gatshëm të mbroj të tjerët.
Modestia e tij, e bashkuar me një kulturë njerëzore të thellë, tregon se vlerat më të mëdha nuk janë ato që mbahen në tituj apo medalje, por ato që ndihen në zemrën e atyre që e njohin dhe bashkëpunojnë me të.

Baftjar Rusi na mëson se drejtësia nuk është vetëm ligj, por një mision që kërkon guxim, përkushtim dhe zemër. Ai është mbrojtës i lirive, aktivist i të drejtave të njeriut dhe pedagog që ndan dije dhe frymëzim, duke hapur rrugën për brezat e ardhshëm.

Trashëgimia e tij është një ftesë për të gjithë ne: të jemi më njerëzorë, më të drejtë dhe më të bashkuar. Mbetet shembull i paqes, i mendimit të matur dhe i veprimit të guximshëm kundër padrejtësisë dhe keqësisë.

Në këtë kuptim, Baftjar Rusi nuk është thjesht një avokat apo akademik i shquar; ai është një filozof i jetës së përditshme, një humanist i përkushtuar dhe një model që çdo shoqëri do të dëshironte të kishte në rrugën e saj drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe më të drejtë.

Mesazh për brezin e ri – Vlera e Ndershmërisë

Me punën e tij na mëson se ndershmëria, është themeli mbi të cilin ndërtohet çdo marrëdhënie e qëndrueshme, se paqja fillon brenda nesh dhe se respekti për njeriun tjetër është jo thjesht detyrë ligjore, por detyrë njerëzore e shenjtë.

Brezi i ri duhet të mësojë prej tij se ligji nuk është vetëm letra që shkruhet në fletore, por fryma që mbron dinjitetin, lirinë dhe shpresën. Se shërbimi ndaj komunitetit dhe solidariteti me ata në nevojë janë më të vlefshme, se çdo pasuri materiale.

Në çdo hap të jetës, Baftjar Rusi na thotë se duhet të jemi të thjeshtë, të durueshëm dhe të guximshëm për të thënë të vërtetën edhe kur është e vështirë. Fisnikëria nuk është në tituj apo medalje, por në sjelljen e përditshme dhe respektin për secilin njeri që takojmë.

Dhe mbi të gjitha, na mëson se duhet të duam atdheun dhe njerëzit e tij me zemër të plotë, duke trashëguar vlerat e paraardhësve dhe duke i çuar përpara me krenari dhe përgjegjësi.

Në këtë rrugë, Baftjar Rusi është dritë dhe udhërrëfyes, model i një jete të thjeshtë dhe të madhe njëkohësisht, që sfidon brezat e rinj të jenë jo vetëm profesionistë të shkëlqyer, por mbi të gjitha njerëz të mirë.

Me duar të buta, ai ngreh ata që bien,
me sy plot dritë, sheh dhimbjen dhe shpresën, është mikpritës në shtëpinë e shpirtit, ku flaka e njerëzimit ndez zjarrin e përjetshëm.

———
Durrës: 23 korrik 2025

Lexo më shumë nga

Çmimet e reja të referencës, MF publikon hartat

Ministria e Financave publikoi sot për konsultim publik projektvendimin për metodologjinë, rregullat dhe procedurat për përcaktimin e vlerës së taksueshme…

Global 360

Ibrahimaj: Mbështetje ekosistemeve të startup-eve me mbi 10 milionë euro vetëm në 3 vitet e fundit

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në edicionin e 7-të të “Startup City…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Arbërit, princa të Lilit apo të Zambakut?

‘Princa të Lilit- Bij të Arbërit- Familjarë të Sulltanit’ është një studim që kap në vështrim disa çështje të rëndësishme…

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Çmimet e reja të referencës, MF publikon hartat

Ministria e Financave publikoi sot për konsultim publik projektvendimin për metodologjinë, rregullat dhe procedurat për përcaktimin e vlerës së taksueshme…