
Mazniku: Bashkitë rol kyç në sezonin turistik, pastrimi mbetet sfida më e madhe
Task Forca për Turizmin dhe Këshilli Konsultativ Qeveri Vendore – Vetëqeverisje Vendore, u mblodh sot në Tiranë për të diskutuar mbi masat e marra për sezonin e ri turistik.

Task Forca për Turizmin dhe Këshilli Konsultativ Qeveri Vendore – Vetëqeverisje Vendore, u mblodh sot në Tiranë për të diskutuar mbi masat e marra për sezonin e ri turistik.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, duke marrë fjalën në këtë takim, vuri theksin në vlerën ekonomike që turizmi sjell për bashkitë.
“Shumica e të ardhurave nga turizmi vitin e kaluar shkoi në bare dhe restorante ku janë punësuar shumë njerëz, një pjesë tjetër në hoteleri, në produkte agroushqimore dhe një pjesë në transport. Pra, teksa ndonjëherë vëmë theksin që turizmi për bashkitë mund të duket si formë “halli”, nga ana tjetër impakti që ka në ekonominë e vendit dhe në ekonominë e qytetarëve tuaj është i padiskutueshëm. E dimë që është një ngarkesë ekstra, por duhet t’i përgjigjemi këtij fluksi”, tha Mazniku.
Sipas tij, hapja e sezonit turistik është një nga elementët më të rëndësishëm ku kërkohet bashkëpunimi mes institucioneve, për ofrimin e shërbimeve më të mira ndaj qytetarëve dhe ky qëllim merr një dimension tjetër rëndësie në këtë moment.
“Kjo, tha Mazniku, për faktin se një numër më shumë i madh njerëzish, në disa raste dhe 10-herë më i madh se numri i banorëve që bashkitë kanë, presin shërbime. Ndaj dhe kjo kalon në tjetër stad tjetër angazhimi nga Bashkitë, pasi në fund ndikon tek imazhi i vendit. Ata shërbimet mund t’i marrin në Himarë, Sarandë, Lezhë, ndërsa ikin me një imazh për Shqipërinë dhe turisti nuk e ndan dot që isha në Lezhë, Durrës, apo Kavajë, apo Malësi të Madhe, ato thonë ‘kam ardhur në Shqipëri dhe kalova mirë me pushime’, kjo çështje pra ka një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin”.
Ai tha se, kontributi i turizmit gjeneron zhvillim në të gjithë zinxhirin ekonomik, punësimin, tregtinë, rritjen e të ardhurave për biznesin, familjet dhe zhvillimin në tërësi.
“Vitin që kaloj turistët shpenzuan në Shqipëri, 5.5 miliardë euro. 30% e këtyre parave shkuan për shërbime, bare, restorante…, pra një element që lidhet me bashkitë, pasi është në tagrin e pushtetit lokal monitorimi i këtyre shërbimeve. 30% e këtyre parave janë shpenzuar në bare e restorante, ku kanë punuar kamarier, kuzhinier, mirëmbajtës…etj. 30% është shpenzuar në hoteleri, edhe ky sektor i lidhur me funksionin e bashkive. Pak më pak se 30% është shpenzuar për produkte agroushqimore, edhe këto të lidhura me qytetarët e secilës prej bashkive. 10% për transport, që lidhet prapë me bashkitë”, u shpreh Mazniku.
Ai tha se, impakti i turizmit në ekonominë e vendit dhe në ekonominë e qytetarëve është i padiskutueshëm.
“Impakti i turizmit ka ndryshuar ekonominë e vendit. Nëse do kemi 10% rritje këtë vit nga turizimi, që do të thotë gjysëm miliardë euro të ardhura më shumë nga industria e turizmit dhe janë para që shkojnë tek qytetarët, biznesi, transporti, që funksionojnë në qytete. Ndaj dhe krijimi një mjedisi ku kjo të funksionoj mirë, nuk është vetëm çështje imazhi, por që lidhet mirë me ekonominë e qytetarëve të bashkive respektive”, theksoi ministri.
Ai vuri në dukej se, bashkitë duhet të jenë të fokusuara në maksimum në përgjigje të ngarkesës ekstra dhe fluksit të shtuar të turistëve.
Sipas Maznikut, bashkitë duhet të jenë bë pikën optimale të performancës për t’ja dalë në këtë sfidë.
“Pastrimi mbetet sfida më e madhe e kësaj çështjeje dhe në hapësirat ndër-bashkiake. Fakti që kemi sot një turizëm që nuk është ngushtësisht i përqendruar në fashën bregdetare, por ato janë duke lëvizur nga fasha bregdetare drejt pjesës më të brendshme të qytetit, kjo do të thotë se shërbimi i pastrimit kërkon të jetë në angazhim maksimal. Kjo funksionon vetëm nëse bashkitë janë në pikën më të mirë të performancës dhe do të funksionoj siç duhet i gjithë elementi i pasjes së një mikpritje siç e do historia, tradita dhe nderi”, tha Mazniku.
Burimi ATSH