Përfaqësuesi i FAO-s për Shqipërinë, Jehle: Mbështetje në hartimin e politikave bujqësore në kontekstin e anëtarësimit në BE

Raimund Jehle, drejtor i Programit të FAO-s për Europën dhe Azinë Qendrore, njëherazi përfaqësues i FAO-s në Shqipëri


Raimund Jehle, drejtor i Programit të FAO-s për Europën dhe Azinë Qendrore, njëherazi përfaqësues i FAO-s në Shqipëri, e cilësoi, “bujqësinë në Shqipëri, një sektor të rëndësishëm në zhvillim, që angazhon 36% të popullsisë në punë dhe siguron të ardhura të konsiderueshme në ekonominë e vendit”.

Në një intervistë televizive sot, Jehle tha se, “në Shqipëri bujqësia nuk duhet të shihet thjesht si një proces prodhimi, por si një sektor me ndikim të gjerë në krijimin e të ardhurave”.

Po ashtu, vijoi ai, bujqësia duhet të lidhet ngushtë edhe me çështjet mjedisore e sociale, duke ndikuar në mënyrën se si njerëzit jetojnë dhe bashkëjetojnë në zonat rurale.

Jehle foli për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori dhe mbështetjen që adreson FAO për fermerët shqiptarë.

“Synimi ynë është të prodhojmë ushqim duke përdorur burimet ujore në mënyrë sa më efikase. Shqipëria ka burime të shumta ujore, por duhet të kemi parasysh se, për shkak të ndryshimeve klimatike, situata po ndryshon gradualisht. Prandaj, kemi nevojë për një metodologji prodhimi që i përgjigjet të gjitha këtyre sfidave. Kjo është pikërisht ajo që nënkuptojmë kur flasim për prodhim bujqësor të qëndrueshëm”, theksoi ai.

Jehle shpjegoi se, një shembull i mirë në këtë drejtim, është puna që po bën FAO me një inkubator për gratë rurale në Elbasan dhe mbrojtja biologjike e pyjeve të gështenjës.

“Ne po u ofrojmë atyre teknologji dhe njohuri, në mënyrë që këto gra fermere të jenë në gjendje të përpunojnë dhe të shesin perime, duke i çuar ato në treg. Kjo u siguron atyre të ardhura dhe, në këtë këndvështrim, ne po zhvillojmë të gjithë zinxhirin e vlerës. Gjithashtu një tjetër shembull është edhe një projekt nëpërmjet të cilit po punohet për mbrojtjen biologjike të pyjeve të gështenjës, me synimin për të mbështetur sigurimin e të ardhurave, për të ndihmuar komunitetet e zonave rurale dhe nxitur zhvillimin rural”, tha Jehle.

Ai vlerësoi biodiversitetin e pasur, klimën e përshtatshme për kultivimin e një game të gjerë ushqimesh dhe pozicionin gjeografik, me potencial të madh turistik, si tri fushat që e bëjnë unike Shqipërinë në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Sipas tij, zhvillimi i sistemeve agroushqimore do të thotë qëndrueshmëri ekonomike, mjedisore dhe sociale.

Duke folur për digjitalizimin e bujqësisë, Jehle u shpreh se, kjo ka të bëjë me përdorimin e teknologjive moderne, satelitore, për të prodhuar ushqim dhe për të shfrytëzuar burimet në mënyrë më efikase.

“Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural në Shqipëri, i cili aktualisht po zbatohet nga Zyra e FAO-s në Shqipëri, ka një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Nga njëra anë, ai ndihmon përmes Portalit të Fermerëve, duke u ofruar fermerëve qasje ndaj informacioneve mbi tregun dhe të dhëna të tjera rëndësishme. Nga ana tjetër, projekti kontribuon edhe në rritjen e përdorimit të të dhënave, siç janë imazhet satelitore, informacionet për kontrollin fitosanitar dhe shërbimet këshillimore të gjitha këto mjete ndihmojnë në transferimin e dijeve dhe njohurive në mënyrë të drejtpërdrejtë te fermerët”, theksoi Jehle.

Ai u shpreh se, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është faktori kryesor nxitës i zhvillimit në Shqipëri.

Jehle nënvizoi se, bujqësia luan një rol të rëndësishëm në prodhimin bujqësor, sigurinë ushqimore dhe përpunimin.

“Përtej përkthimit të legjislacionit, FAO po mbështet institucionet e linjës në ngritjen e sistemeve të duhura që nevojiten për të hartuar politikat përkatëse në kontekstin e anëtarësimit në BE”, theksoi Jehle.

Ai shprehu besim për progresin e bujqësisë në Shqipëri.

“Ekziston një potencial real për investime në bujqësi, por edhe në agroturizëm, përmes lidhjes së prodhimit bujqësor me turizmin. Një fushë që nuk është diskutuar sa duhet, por që meriton më shumë vëmendje, është akuakultura dhe sektori i peshkimit. Shqipëria ka një vijë të gjatë bregdetare, dhe akuakultura dhe peshkimi janë pjesë e sistemit agroushqimor. Kjo ofron një mundësi unike për të kombinuar prodhimin ushqimor me turizmin dhe për të tërhequr investime në një peizazh dhe mjedis të mrekullueshëm”, deklaroi Jehle.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Zgjatet afati i qëndrimit të shtetasve ukrainas në Shqipëri deri në 4 vjet

Qeveria shqiptare ka vendosur të zgjasë me një vit afatin e qëndrimit të shtetasve të Ukrainës në Shqipëri.

Global 360

Presidentja Osmani kërcënohet me jetë, thotë këshilltari i saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar me jetë gjatë kësaj jave, tha këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

Diplovista

Rama për televizionin austriak ORF: Anëtarësimi në BE një mundësi historike

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë me Christian Wehrschutz, gazetari i njohur televizionit austriak, ORF.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

“The Telegraph”: Liderët evropianë dhe amerikanë, e shohin Ramën si forcë stabilizuese në rajon

Gazeta britanike i kushton një profil kryeministrit Edi Rama

Masmedia

Zgjatet afati i qëndrimit të shtetasve ukrainas në Shqipëri deri në 4 vjet

Qeveria shqiptare ka vendosur të zgjasë me një vit afatin e qëndrimit të shtetasve të Ukrainës në Shqipëri.