Begaj: Shqipëria mbështet aspiratat e Kosovës për integrim euroatlantik

Presidenti Begaj: Është e drejtë legjitime dhe sovrane e Kosovës për të transformuar forcat e saj të sigurisë në forca të armatosura


Presidenti Bajram Begaj deklaroi sot se “Shqipëria mbështet fuqishëm aspiratat e Kosovës për integrim euroatlantik”.

Në një konferencë të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë, presidenti Begaj theksoi se “gjatë takimit vëmendje të veçantë i kushtuam edhe bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit europian dhe euroatlantik, ku ndër të tjera shpreha besimin për përmbylljen së shpejti të procesit të liberalizimit të vizave nga Bashkimi Europian për qytetarët e Kosovës. Ky është një veprim i vonuar, por me shumë rëndësi praktike, por edhe morale për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Begaj tha se “Shqipëria mbështet fuqishëm aspiratat e Kosovës për integrimin euroatlantik dhe është proaktive për institucionalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Aleancën e NATO-s. Mbështetja do të vijojë të jetë e qenësishme, si për transformimin gradual të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, por edhe për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut A5, si edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare”.

Në këtë drejtim Presidenti Begaj u shpreh se “është e drejtë legjitime dhe sovrane e Kosovës për të transformuar forcat e saj të sigurisë në forca të armatosura”.

Më tej Begaj tha se “askush nuk ka pse çuditet përse Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kjo ka qenë dhe mbetet devizë e çdo shtetari në Shqipëri, ndaj rikonfirmova edhe njëherë mbështetjen time e të shtetit shqiptar për Kosovën kudo, në çdo forum rajonal e ndërkombëtar”.

“Gjatë takimit me presidenten Osmani vëmendja kryesore u përqendrua në forcimin e thellimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik në të gjitha aspektet. Nënvizova se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë duhet të jenë gjithmonë të mira dhe duhet të udhëhiqemi nga interesi kombëtar për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha nivelet, politik, ekonomik, social dhe kulturor si dhe për të avancuar në progreset integruese euroatlantike”, nënvizoi Begaj.

Kreu i shtetit tha se “karakteri strategjik mes dy shteteve tona është me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të të gjithë rajonit”.

Presidenti Begaj u shpreh se “një vëmendje të shtuar i kushtuam zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Shpreha kënaqësinë që gradualisht dhe në mënyrë të natyrshme Kosova është bërë një partner mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë”.

“Kosova prezanton sot tregun e dytë më të rëndësishëm për eksportet shqiptare të mallrave dhe shërbimeve. Shpreha kënaqësinë se sot Kosova renditet si investuesi i tretë më i rëndësishëm. Përshëndeta hapat e ndërmarrë për lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar në funksion të nxitjes së shkëmbimeve tregtare, por edhe për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit në fushën e turizmit, apo kooperimit të zyrës doganore të Kosovës në portin e Durrësit apo projekte të tjera”, nënvizoi Begaj.

Presidenti Begaj vuri në dukje se “turizmi mbetet një kontribues i rëndësishëm për ekonominë e të dy shteteve, një fushë për të cilën institucionet e të dy vendeve mund edhe duhet të bëjnë akoma më shumë”.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, Begaj tha se “Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktor stabiliteti në rajon dhe vende kontribuese të rëndësishme për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm”.

“Në këtë aspekt vlerësova se bashkërendimi i politikave dhe veprimeve i të gjitha institucioneve tona duhet të jetë një objektiv i qëndrueshëm dhe parësor, pasi kështu krijojmë të gjitha premisat që faktori shqiptar të konsolidohet si faktor strategjik dhe faktor stabiliteti në rajon”, shtoi Begaj.

Presidenti Begaj tha se nuk mund të mbetej jashtë vëmendjes zhvillimet në veriun e Kosovës.

“Vlerësova se pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës si dhe ndërhyrjet hibride nga aktorë të tretë dashakeqës duhet një koordinim më i ngushtë dhe më i mirë me partnerët tanë kryesorë SHBA dhe BE për të gjitha veprimet e ndërmarra”, theksoi Begaj.

Begaj shtoi se “askush nuk mund të vërë në pikëpyetje integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës si dhe të drejtën e saj për të zbatuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Por koordinimi me partnerët është i domosdoshëm. Në këtë aspekt vlerësova edhe hapat e më të fundit të marra nga qeveria e Kosovës për deeskalimin e situatës atje. Gjithashtu nënvizova se dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur fuqimisht nga SHBA, është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshi edhe atë të OKB”.

Për sa i përket procesit të njohjeve të Kosovës, Begaj u shpreh se mbajtja nga Shqipëria deri në fund të këtij viti të një vendi jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe pjesëmarrja në debatin e Asamblesë së Përgjithme të OKB-së do të kenë në fokus çështjen e njohjes së Kosovës.

Ndërsa për trajtimin evropianist të çështjes kombëtare, edhe këtu Presidenti Begaj vlerësoi nevojën e një koordinimi e bashkëpunimi më të ngushtë për të avancuar dhe për t’i dhënë mbështetje të gjitha çështjeve që lidhen me ruajtjen e identitetit kombëtar dhe me të drejtat qytetare e politike të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Lexo më shumë nga

Veliaj vizitë në Tokio, nga takimi me kryetaren e bashkisë, te prezantimi i “TEDA Tirana”

Kryebashkiaku i Tiranës nisi sot një vizitë në Japoni, ku do të përfaqësojë edhe rrjetin e qyteteve anëtare të B40-ës,…

Global 360

Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët frymëzim edhe për vendet e tjera

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni interviste me gazetarin Maurizio Belpietro, në kuadër të eventit ”Il giorno della verita”

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Veliaj vizitë në Tokio, nga takimi me kryetaren e bashkisë, te prezantimi i “TEDA Tirana”

Kryebashkiaku i Tiranës nisi sot një vizitë në Japoni, ku do të përfaqësojë edhe rrjetin e qyteteve anëtare të B40-ës,…