Begaj: Karakteri patriotik, në themel të Komunitetit Mysliman Shqiptar

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj mori pjesë në pritjen me rastin e 100-vjetorit të Komunitetit Mysliman Shqiptar.


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj mori pjesë në pritjen me rastin e 100-vjetorit të Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Duke vlerësuar kontributin e Komunitetin Mysliman, Presidenti Begaj tha se, “në këto 100 vite të veprimtarisë së tij, Komuniteti Mysliman ka dëshmuar se, shërbimi ndaj kombit dhe ndaj besimit janë vlerë dhe mision”.

“Kushdo njeh historikun e Komunitetit Mysliman Shqiptar, preket nga thelbi dhe karakteri patriotik që qëndron në themel të formimit të këtij institucioni. Sot është rasti të rikujtojmë faktin se bashkësitë fetare, ndër to dhe Bashkësia Islame e Shqipërisë janë kontribuese të rëndësishme për Pavarësinë e Shqipërisë dhe gur konsolidues të shtetit shqiptar. Organizimi i besimtarëve myslimanë, që përbënin shumicën e popullsisë së vendit, në një institucion mbi baza kombëtare, krejtësisht shqiptar dhe të mëvetësishëm nga institucionet fetare të huaja është tregues sesa i rëndësishëm dhe i shenjtë ishte për klerikët dhe myslimanët shqiptarë pavarësia dhe sovraniteti edhe në kuadrin fetar. Si fryt i përpjekjeve të kahershme të klerikëve myslimanë shqiptarë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka dëshmuar ndër vite se feja dhe kombi për ta ka qenë dhe është i pandashëm si dy nocione që nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Në veprimtarinë e tyre, ata u përkujdesën për ruajtjen e kohezionit social me besimet e tjera, të vetëdijshëm se ruajta e harmonisë brenda popullsisë me shumë besime në një shtet të ‘brishtë’, ishte domosdoshmëri jetike për kombin”, tha Kreu i Shtetit.

Në vijim, Begaj tha se, “Komuniteti Mysliman, si komuniteti më i madh, kishte përgjegjësinë por dhe meritën për këtë imperativ të kohës”.

“Vëllazëria kombëtare mes gjithë shqiptarëve ishte një tjetër mision që Komuniteti i vuri vetes si qëllim që në lindje të tij. Që nga Kongresi i parë i Bashkësisë Myslimane Shqiptare, mbeten aktuale dhe kuptimplote fjalët e Kryemyftiut të parë të Shqipërisë, Haxhi Vehbi Dibra, i cili la detyrën e kreut të parë të Pleqësisë së Shqipërisë (Senati i parë shqiptar) për t’iu përkushtuar misionit të tij të ri duke vënë theksin tek vllazënia midis tre komuniteteve fetare në shërbim të interesave të kombit. Pa dyshim, që bashkëjetesa dhe harmonia fetare midis komuniteteve të ndryshme fetare në Shqipëri është një pasuri sa e çmuar dhe e rrallë, dhe për këtë ka kontribuar që në themelimin e tij, komuniteti mysliman shqiptar. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i angazhimit të këtij komuniteti, ndër vite, ka qenë ndihma e shtresave në nevojë, si një vepër që i afron më shumë me Zotin. Rasti emblematik është ai i zotit Zyber Hallulli, Myfti dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet 1913-1914 që hapi strehën vorfnore, e cila edhe sot mban emrin e tij.Si pjesë integrale e shoqërisë, klerikët, por edhe anëtarët e Komunitetit mysliman të Shqipërisë, kanë dëshmuar përgjegjësi të lartë për fatet e shoqërisë dhe të vendit. Intelektualët myslimanë të shkolluar në shkollat më të mira të kohës, nuk i ofruan kapacitetet e tyre vetëm brenda ”mureve të institucioneve fetare” por përkundrazi e ndjenin përgjegjësinë se vendi duhej ndihmuar në të gjitha lëmitë duke qenë mëndje hapur për mendimet ndryshe. Një model të mirë të këtij angazhimi dhe respekti ndaj mendimit opozitar, e gjejmë në faqet e revistës zyrtare të Komunitetit “Zani i Naltë”, që i jepte hapësirë dhe vend replikave dhe mendimeve kundër, në kuadër të debateve kombëtare të kohës rreth reformave dhe rrymave filozofike”, tha Presidenti.

Po ashtu, Begaj shtoi se, “duke u nisur nga kjo trashëgimi e pasur që lanë klerikët e mëparshëm, klerikët e sotëm kanë një përgjegjësi të madhe, atë të ruajtjes, kultivimit dhe çuarjen përpara të kësaj trashëgimie të vyer’.

“Ata duhet të vazhdojnë të kultivojnë tek besimtarët harmoninë fetare, me të cilën kemi të drejtë të krenohemi, si dhe të nxisin besimtarët të marrin përgjegjësitë e tyre qytetare në përmbushjen e detyrimeve sociale. Në këtë përvjetor e kemi detyrim moral dhe patriotik, të nderojmë kujtimin e atyre klerikëve myslimanë, një pjesë prej të cilëve themelues dhe drejtues të këtij institucioni që u persekutuan për shkak të ushtrimit të besimit, një e drejtë themelore njerëzore e mohuar nga regjimi diktatorial. Klerikët myslimanë shqiptarë si Hafiz Ali Korca, Hafiz Abdullah Zemblaku, Hafiz Kraja, etj ishin qëndrestarë kundër diktaturës komuniste në vendin tonë.Qëndresa e tyre e vendosur kundër regjimit që tentoi shkatërrimin e konstitucionit shpirtëror, është një model devotshmërie ndaj Zotit, Atdheut dhe besimtarëve. Pas viteve ‘90 bashkësitë fetare përfituan të drejtat e tyre të sanksionuara në nenin 10 dhe 24 të Kushtetutës të Shqipërisë, aplikimin e të drejtave të njeriut sipas parimeve të Këshillit të Evropës në Kushtetutën tonë për të drejtat e besimit”, theksoi Begaj.

Begaj u shpreh besimplotë se, klerikët e sotëm myslimanë shqiptarë, ashtu dhe ata të komuniteteve të tjera, si udhëheqës shpirtërorë, do të vijojnë të punojnë së bashku, për të frymëzuar shqiptarët, për t’u angazhuar së bashku, pavarësisht besimit fetar, për përparimin dhe begatinë e vendit, për mirëqenien e shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë.

“Dëshiroj t’ju siguroj se si President i Republikës do të vazhdoj të jem një partner i fortë i Juaji dhe i besimtarëve të çdo besimi; do të vazhdoj të jem mbështetës dhe mbrojtës i lirisë së besimit; promotor e promovues i harmonisë dhe bashkëjetesës fetare si një vlerë kombëtare”, përfundoi Begaj. /ATSH

Bashkëpunimi në nivel vendor me Kosovën, Mazniku pret ambasadorin Durmishi

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbian Maznku, pret ambasadorin e Kosovës, Skënder Durmishi.

Global 360

Qeveria Mitsotakis i mbijeton mocionit të mosbesimit

Nga 300 të pranishmit në sallë votuan pro vetëm 141 ligjvënës, numër i pamjaftueshëm për të rrëzuar qeverinë.

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

NATO shpëtoi Kosovën nga spastrimi etnik i forcave serbe!

Ish-Ministri i Jashtëm: 24 Marsi i vitit 1999 mbetet i pashlyer në memorien e kombit tonë!

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Bashkëpunimi në nivel vendor me Kosovën, Mazniku pret ambasadorin Durmishi

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbian Maznku, pret ambasadorin e Kosovës, Skënder Durmishi.