Në një vend sekret, takohen shefat e ushtrisë së SHBA-ve dhe Ukrainës

Gjenerali Milley zhvilloi një takim disa orësh me shefin e ushtrisë së Ukrainës, gjeneralin Valerii Zaluzhnyi


Gjenerali i ushtrisë amerikane, Mark Milley, udhëtoi afër kufirit midis Ukrainës dhe Polonisë të martën dhe zhvilloi takimin e parë sy më sy me homologun e tij ukrainas.

Ky takim vë në pah lidhjet në rritje midis dy ushtrive dhe vjen në një kohë kritike pak para se pushtimi rus i Ukrainës të shënojë njëvjetorin.

Gjenerali Milley zhvilloi një takim disa orësh me shefin e ushtrisë së Ukrainës, gjeneralin Valerii Zaluzhnyi, në një lokacion të pazbuluar në juglindje të Polonisë. Dy liderët kanë biseduar shpesh për nevojat e ushtrisë ukrainase dhe për situatën në fushëbetejë, por nuk ishin takuar asnjëherë sy më sy.

Takimi vjen në kohën kur komuniteti ndërkombëtar po intensifikon ndihmën ushtarake për Ukrainën, përfshirë edhe trajnimin e ushtarëve ukrainas nga SHBA-ja dhe dhënien e raketave Patriot, tankeve, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe sistemeve të tjera të armëve nga SHBA-ja, shtetet evropiane dhe shtetet e tjera.

Po ashtu, lufta në Ukrainë gjendet në një moment kritik. Forcat ukrainase po zhvillojnë beteja të ashpra në rajonin lindor të Donjeckut, ku forcat ruse – së bashku me mijëra mercenarë të grupit Vagner – po tentojnë që të ndryshojnë rrjedhën e luftës, pas disa muajsh ngecje të Rusisë në fushëbetejë.

Zëdhënësi i gjeneralit Milley, koloneli Dave Butler, tha për gazetarët se gjenerali amerikan u takua me homologun ukrainas, pasi e ndjeu se ishte e nevojshme që të takoheshin fizikisht.

“Këta persona kanë folur në baza të rregullta për një vit dhe tani e kanë rastin që të njihen personalisht. Ata kanë biseduar në detaje për mbrojtjen që Ukraina po tenton të bëjë kundër agresionit të Rusisë”, tha Butler.

Butler tha se ka pasur shpresë që Zaluzhnyi do të udhëtonte për në Bruksel për një takim me NATO-n dhe shefat e tjerë të mbrojtjes gjatë kësaj jave, por të hënën u bë e qartë se ky udhëtim nuk do të ndodhte, prandaj takimi i shefave të ushtrisë së dy shteteve u zhvillua në Poloni, pranë kufirit me Ukrainën.

Përderisa një numër i liderëve amerikanë kanë shkuar në Ukrainë, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e ka bërë të qartë se asnjë pjesëtar i personelit të uniformuar të ushtrisë nuk do të shkojë brenda territorit të Ukrainës.

Butler tregoi se Milley dhe gjashtë zyrtarë të tjerë të lartë shkuan në vendin ku u mbajt takimi me një veturë.

Ai shtoi se ky takim do t’i mundësojë Milley që të kuptojë shqetësimet e Zaluzhnyit dhe të informojë më pas liderët ushtarakë gjatë takimit të shefave të NATO-s.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022. Pas disa muajsh humbjesh në fushëbetejë, Rusia së fundmi pretendoi se ka marrë kontrollin e qytetit të minierave, Soledar. Megjithatë, Ukraina ka thënë se luftimet në këtë qytet, që gjendet në lindje të shtetit, po vazhdojnë. /REL

Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim

21 Maji festohet praktikisht në gjithë botën që nga nëntori 2001, muaj në të cilin është shpallur nga Asambleja e…

Global 360

Osmani në takim me Chulick: Çdo sukses i Kosovës mban edhe vulën e SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Nicole Chulick, zëvendësndihmëssekretaren e Departamentit të Shtetit nga Byroja…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim

21 Maji festohet praktikisht në gjithë botën që nga nëntori 2001, muaj në të cilin është shpallur nga Asambleja e…