Emmanuel Macron në Pekin dhe logjika e një boshti të ri stabiliteti

Presidenti Emmanuel Macron udhëtoi drejt Kinës për një vizitë shtetërore treditore nga 2 deri në 5 dhjetor. Kjo vizitë e katërt shtetërore e Presidentit francez në Kinë merr një domethënie që shkon përtej protokollit diplomatik. Vizita përkon me 60-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Kinë–Francë, por edhe me 50-vjetorin e marrëdhënieve Kinë–Bashkimi Evropian, duke e shndërruar këtë moment në një pikë referimi për të ardhmen e marrëdhënieve kino-evropiane.


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Drejtore ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit

Dhjetori i vitit 2025 gjen rendin ndërkombëtar të rënduar nga pesha e konflikteve dhe rivaliteteve strategjike. Lëkundjet janë të gjithanshme, dhe tryezat tradicionale të bisedimeve shpesh janë zëvendësuar nga skenat diplomatike dhe shfaqjet publike. Në këtë sfond Pekini dhe Parisi ndodhen përballë një detyre historike: të ruajnë hapësirën e dialogut në një botë gjithnjë e më të fragmentuar.

Presidenti Emmanuel Macron udhëtoi drejt Kinës për një vizitë shtetërore treditore nga 2 deri në 5 dhjetor. Kjo vizitë e katërt shtetërore e Presidentit francez në Kinë merr një domethënie që shkon përtej protokollit diplomatik. Vizita përkon me 60-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Kinë–Francë, por edhe me 50-vjetorin e marrëdhënieve Kinë–Bashkimi Evropian, duke e shndërruar këtë moment në një pikë referimi për të ardhmen e marrëdhënieve kino-evropiane. Macron shkoi në Pekin jo vetëm si President i Francës, por edhe si përfaqësues i një Evrope që kërkon të rikalibrojë pozicionin e saj mes rivalitetit dhe bashkëpunimit, mes nevojës për siguri dhe domosdoshmërisë për zhvillim.


Çiftet presidenciale të dy vendeve në qytetin Chengdu, provincë Sichuan, Kinë Jugperëndimore, 5 dhjetor 2025/Foto nga Xinhua

Konteksti i marrëdhënieve dypalëshe

Përpara udhëtimit të Macron, shumë analistë në Evropë pyesnin pse Macron, dhe konkretisht Franca, ka një pozicion të veçantë për të negociuar me Pekinin. Përgjigjja është sa e rrënjosur në histori aq edhe e prekshme në realitetin e sotëm. Kina ka një kujtesë të gjatë institucionale, në atë që sot po emërohet si Lëvizja Mjeshtërore e 1964, duke shkuar kundër ShBA-së dhe në kulmin e Luftës së Ftohtë, Franca u bë fuqia e parë e madhe perëndimore që vendosi marrëdhënie të plota diplomatike me Republikën Popullore të Kinës. Ky ishte një akt i guximshëm autonomie strategjike nga ana e Francës. Ky akt i vitit 1964 vendosi shtyllën kryesore pozitive të marrëdhënies Kinë-Francë: një angazhim të ndërsjellë për një botë shumëpolare dhe autonomi strategjike. Të dyja kombet i rezistojnë një bote unipolare të dominuar nga një fuqi e vetme (historikisht BRSS ose ShBA, dhe në një kontekst të ndryshëm sot).

Kina e sheh Francën si një partner të besueshëm evropian, me të cilin mund të ndërtojë ura dialogu dhe bashkëpunimi. Vizitat e Macron në Kinë janë parë si një instrument për të forcuar bashkëpunimin në fusha kyçe. Aktualisht, marrëdhëniet midis dy vendeve tregojnë një seri trendesh pozitivë që nënvizojnë avancimin politik dhe strategjik ndërmjet dy shteteve. Investimet e drejtpërdrejta franceze në Kinë janë zgjeruar ndjeshëm, me kompanitë që krijojnë degë, qendra kërkimore dhe projekte të përbashkëta teknologjike, duke reflektuar një besim të vazhdueshëm në ekonominë kineze dhe perspektivat afatgjata të bashkëpunimit. Në nivel strategjik, bashkëpunimi po shtrihet në fusha të reja si energjia bërthamore, aviacioni, ekonomia e gjelbër, teknologjitë digjitale, biofarmaceutika dhe energjitë e reja, duke krijuar ura midis inovacionit dhe stabilitetit ekonomik. Ky bashkëpunim nuk është thjesht ekonomik; ai përfshin gjithashtu dialog politik dhe diplomatik. Kina dhe Franca kanë riafirmuar përkushtimin e tyre ndaj multilateralizmit dhe rendit ndërkombëtar të bazuar mbi rregulla, duke përdorur bashkëpunimin për të ruajtur stabilitetin dhe për të promovuar zgjidhje paqësore në rajone të ndjeshme.


Foto nga Xinhua

Takimi Xi-Macron

Sipas Pallatit Elize, Macron synoi të promovonte një agjendë bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar, me qëllim arritjen e një ekuilibri që garanton rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Pamjet e drejtpërdrejta treguan mbërritjen e avionit të tij në aeroportin e Pekinit. Në Pekin, vizita e presidentit francez tregoi rëndësinë e marrëdhënies midis Francës dhe Kinës, por edhe midis Evropës dhe Kinës.

Në fakt, në Pallatin e Popullit në Pekin, tapetët e kuq ishin shtruar në çdo cep në nder të Macron. Në takimin dypalësh, u diskutuan çështje madhore globale, rajonale dhe patjetër marrëdhëniet midis Parisit dhe Pekinit.

Presidenti Xi kujtoi se më shumë se 60 vjet më parë, brezi i vjetër i udhëheqësve nga të dy vendet thyen hijen e Luftës së Ftohtë dhe morën vendimin strategjik për të vendosur marrëdhënie diplomatike, një vendim që vazhdon të ketë një ndikim pozitiv dhe të gjerë global edhe sot. Udhëheqësi kinez theksoi se Kina dhe Franca duhet të demonstrojnë një ndjenjë të fortë përgjegjësie, të mbajnë lart flamurin e multilateralizmit, të shohin përtej mjegullës së pasigurisë dhe të qëndrojnë fort në anën e duhur të historisë. Ai shtoi se Kina është e gatshme të punojë me Francën duke mbajtur parasysh interesat themelore të të dy popujve dhe ato të bashkësisë ndërkombëtare, duke kapërcyer dallimet përmes dialogut të barabartë dhe të hapur dhe duke siguruar që partneriteti gjithëpërfshirës strategjik Kinë-Francë të vazhdojë të ecë përpara në mënyrë të qëndrueshme dhe efektive.

Presidenti Xi Jinping deklaroi se Kina dhe Franca duhet të shfrytëzojnë mundësitë dhe të zgjerojnë më tej fushën e bashkëpunimit të tyre. Ai theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në sektorët tradicionalë si aviacioni, hapësira ajrore dhe energjia bërthamore, duke zhbllokuar gjithashtu potencialin për bashkëpunim në fusha të paeksploruara më parë. Por edhe duke përfshirë ekonominë e gjelbër, ekonominë digjitale, biofarmaceutikën, inteligjencën artificiale dhe “energjinë e re”. Xi gjithashtu nënvizoi se Kina dhe Bashkimi Evropian duhet të ruajnë pozicionimin e tyre si partnerë dhe të përparojnë bashkëpunimin me një qëndrim të hapur dhe konstruktiv.

Presidenti Macron riafirmoi se Franca i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve të saj me Kinën dhe i përmbahet fort parimit të “një Kine.” Ai shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të thelluar vazhdimisht partneritetin gjithëpërfshirës strategjik midis dy vendeve. Në të kaluarën, Macron është përpjekur të projektojë një front të fuqishëm evropian në marrëdhëniet me Kinën. Sipas disa analistëve evropianë, Macron përshkruhet si në një pozicion relativisht të fortë për shkak të marrëdhënies së tij me udhëheqjen kineze dhe faktit se kjo shënon vizitën e tij të katërt në Kinë. Midis udhëheqësve evropianë, ai konsiderohet si një nga më të aftët për të vendosur çështje të vështira drejtpërdrejt në tryezë. Macron deklaroi se konteksti aktual ndërkombëtar është i shënuar nga pasiguria gjeopolitike në rritje dhe nga rreziku i shpërbërjes së rendit ndërkombëtar që ka ruajtur paqen për dekada të tëra. Në këtë mjedis, dialogu midis Kinës dhe Francës është thelbësor. Ai pranoi se, ndërsa mosmarrëveshjet ndonjëherë ekzistojnë, të dyja palët mbajnë përgjegjësinë për t’i kapërcyer ato përmes mekanizmave të bashkëpunimit, zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve dhe multilateralizmit efektiv.

Kinë-BE, gjysmë shekulli histori

Marrëdhënia e Francës me Kinën nuk mund të ndahet realisht nga ajo e Bashkimit Evropian me Kinën. Ky realitet paraqet sfida të rëndësishme për vendet evropiane si Franca, Gjermania dhe Italia. Shtetet e Bashkuara dhe Kina aktualisht dominojnë lidershipin ekonomik, strategjik dhe teknologjik, fusha në të cilat Evropa ende po punon për të kapur ritmin. Në këtë kontekst, vizita të tilla pasqyrojnë një përpjekje, veçanërisht nga perspektiva e Presidentit Macron si një udhëheqës i përkushtuar evropian, për të identifikuar hapat që vetë kontinenti duhet të ndërmarrë për të luajtur një rol më me ndikim në skenën globale.

Vizita e presidentit francez është më shumë sesa një angazhim diplomatik; është një moment kur Evropa duhet të zgjedhë nëse synon të formësojë të ardhmen apo thjesht të përshtatet me vendimet e marra diku tjetër. Franca dhe Kina kanë mundësinë të vendosin një model të ri për bashkëpunim – një që lidh bashkëkrijimin teknologjik me rishikimin e qeverisjes globale për një epokë ndryshimesh eksponenciale. Por mundësitë nuk presin. Bota po lëviz shpejt dhe koha për veprim po shkurtohet.

Ky vit shënon 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Bashkimit Evropian, një moment historik që pasqyron pesë dekada të shkëmbimit ekonomik, kulturor dhe politik në rritje. Në një kohë kur bota përballet me sfida që shkojnë nga qeverisja globale dhe siguria rajonale deri te ndryshimet klimatike dhe siguria ushqimore, bashkëpunimi ndërkombëtar është bërë më i rëndësishëm se kurrë. Ndërtimi i partneriteteve të qëndrueshme që tejkalojnë tensionet gjeopolitike është thelbësor për promovimin e përfitimeve të ndërsjella afatgjata. Adresimi i sfidave përmes bashkëpunimit në vend të konfrontimit mbetet një përgjegjësi e përbashkët e bashkësisë ndërkombëtare.

Ekzistojnë disa fusha kryesore bashkëpunimi në të cilat Bashkimi Evropian, Franca dhe Kina po punojnë së bashku aktualisht. P.sh mjedisi, duke përfshirë zhvillimin e teknologjive të pastra dhe luftën kundër humbjes së biodiversitetit. Një fushë me interes të përbashkët në këtë drejtim është mbrojtja e oqeaneve, ku Franca, Evropa dhe Kina kanë përgjegjësi dhe objektiva të përbashkëta. Mbetet punë e konsiderueshme për t’u bërë, veçanërisht në prizmin e kundërshtimit të fundit që vjen nga Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Trump. Një fushë tjetër kryesore e bashkëpunimit është shkenca. Pavarësisht sfidave të shumta me të cilat përballet bota sot, dhe pavarësisht një rënieje të përgjithshme të bashkëpunimit ndërkombëtar krahasuar me dekadat e kaluara, shkenca mbetet një fushë ku ende ekziston shpresa e vërtetë. Në këtë fushë, Franca, Evropa dhe Kina janë plotësuese të njëra-tjetrës, dhe ka potencial të fortë për të intensifikuar lidhjet. Bashkëpunimi shkencor shihet si një mënyrë për të ndihmuar në kompensimin e tensioneve serioze gjeopolitike që aktualisht formësojnë mjedisin ndërkombëtar.

Suksesi i takimeve të tilla të nivelit të lartë matet si përmes rezultateve formale ashtu edhe përmes sinjalizimit publik. Përtej diskutimeve private, ajo që ka më shumë rëndësi është mesazhi i dërguar botës.

Macron shkon në Kinë ndërsa Evropa ecën në litar të tendosur midis rivalitetit dhe mbështetjes, shkruan një media evropiane. Por, kjo është vetëm një pikë këndvështrimi nga e cila mund të shihet një marrëdhënie shumë komplekse. Dhe në këtë udhëkryq historik, pyetja thelbësore mbetet: a do të arrijë Evropa të jetë formësuese e rendit të ri global, apo thjesht një ndjekëse e trendeve të kohës?

Së fundmi, takimi i Presidentit Xi Jinping me Presidentin Emmanuel Macron nxori në pah dy vizione që, megjithëse të ndryshme në formë, ndajnë shqetësime të përbashkëta mbi rrëshqitjen e rendit ndërkombëtar në kaos nga njëra anë, dhe nevojën për një multilateralizëm funksional nga ana tjetër. Nga Ukraina te ribalancimi ekonomik, nga tranzicioni i gjelbër te teknologjitë e reja, kjo vizitë tregoi se marrëdhënia franko-kineze po kërkon të pozicionohet si një nga boshtet e stabilitetit në një botë që po ndryshon më shpejt se kurrë. Dhe mbi të gjitha, kjo vizitë shfaqet si një sinjal i qartë se dialogu midis fuqive të mëdha mbetet një instrument i pazëvendësueshëm për menaxhimin e krizave dhe ndërtimin e së ardhmes.

Burimi CGTN

Emmanuel Macron në Pekin dhe logjika e një boshti të ri stabiliteti

Presidenti Emmanuel Macron udhëtoi drejt Kinës për një vizitë shtetërore treditore nga 2 deri në 5 dhjetor. Kjo vizitë e…

Global 360

Mattarella, SUdhëheqës nga e gjithë bota urojnë shqiptarët për festën e Pavarësisë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka marrë këto ditë telegrame e letra urimi nga e.

Diplovista

Rama mbron Shqipërinë në rrugën drejt BE-së: Krimi është problem kudo, edhe Brukseli nuk është më mirë

Në një intervistë për Euronews, kryeministri Edi Rama tha se vendi i tij e meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Bashkë drejt integrimit evropian!”

Presidenti Bajram Begaj, përcolli sot urimin e tij për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, në të gjitha trevat rajonale…

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Emmanuel Macron në Pekin dhe logjika e një boshti të ri stabiliteti

Presidenti Emmanuel Macron udhëtoi drejt Kinës për një vizitë shtetërore treditore nga 2 deri në 5 dhjetor. Kjo vizitë e…