
Malaj: Mbi 2 miliardë euro për investimet publike në 2027, 50 milionë euro garanci për bizneset e vogla
Projektbuxheti për vitin 2027 parashikon mbi dy miliardë euro për investimet publike.

Projektbuxheti për vitin 2027 parashikon mbi dy miliardë euro për investimet publike.
Në një intervistë televizive sot, ministri i Financave Petrit Malaj theksoi se realizimi i investimeve publike në vitin 2025 ishte në masën 93%. “Bëhet fjalë për financim të brendshëm, pra investime që bëhen nga paratë e shtetit. Për vlerësimin e investimeve publike ka edhe një raport nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili e ka vlerësuar Shqipërinë se është në një raport të mirë”.
Ministri u shpreh se sfidë e institucionit mbetet implementimi i investimeve publike me financime të huaja, me kohëzgjatje nga 2-4 vjet, kjo pasi pas 4 vjetësh një investim mund të mos jetë më relevant dhe ndikon në infrastrukturë.
“Kur të hyjmë në BE, na duhet t’i financojmë përsëri projektet me paratë tona. Paratë nga BE-ja mund të jenë hua, por do të bëhen nga paratë e shqiptarëve. Ajo që na vjen në ndihmë është se na japin kredi dhe grante për të implementuar projekte specifike”, tha Malaj.
Malaj tha se “buxheti parashikon financime dhe instrumente mbështetëse edhe për bizneset e vogla dhe startup-et. Qeveria ka vendosur në dispozicion 50 milionë euro garanci, për të gjitha bizneset e vogla që duan të investojnë”.
Burimi ATSH



















