
Malaj: 30% e buxhetit 2027 për mbrojtjen sociale, nga bonusi i bebes te pensionistët e familjet kujdestare
Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se “buxheti për vitin 2027 arrin për herë të parë vlerën e 10 miliardë euro, me fokus mbështetjen e qytetarëve dhe mbrojtjen sociale”.

Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se “buxheti për vitin 2027 arrin për herë të parë vlerën e 10 miliardë euro, me fokus mbështetjen e qytetarëve dhe mbrojtjen sociale”.
Teksa prezantoi disa prej prioriteteve kryesore të buxhetit të vitit të ardhshëm në një intervistë televizive, Malaj tha se “buxheti ka në fokus mbështetjen e qytetarëve, ku 30% e buxhetit shkon në mbrojtjen sociale”.
Një tjetër masë e përfshirë në projektbuxhet është dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, i planifikuar të zbatohet gradualisht përgjatë tre viteve të ardhshme, me dyfishimin e bonusit në vitin 2028.
“Natyrisht, një nga politikat më të rëndësishme që përfshihet në këtë projektbuxhet është pjesa e pensioneve, ku në vitin 2027 kemi parashikuar 250 milionë euro, një pjesë të madhe e zë edhe indeksimi i pensioneve”, tha Malaj.
Ministri Malaj u shpreh se “nga ana tjetër, është edhe dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, që është i planifikuar për tre vitet e ardhshme. Bonusi që do të marrin tani në 2027-ën, do t’u dyfishohet në vitin 2028”.
Ministri Malaj tha se do të dyfishohet edhe pagesa për fëmijët me aftësi të kufizuara.
“Ka disa politika që kanë një efekt të konsiderueshëm, janë disa politika që unë mund t’i përmend. Ka të bëjë dyfishimi i pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, është politikë që e filluam në korrik të këtij viti dhe e kemi planifikuar tashmë edhe për 3 vitet e ardhshme”, theksoi Malaj.
Ministri Malaj informoi se do të njihen edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara.
“Kemi marrë përsipër njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ka kosto të konsiderueshme, por ky buxhet na e mundëson këtë. Do t’i njihen si vite pune”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, ministri Malaj u shpreh se qeveria po bën ndryshime sa i përket skemës së bonusit të bebeve.
“Do kemi pagesë mujore për foshnjat nga zero deri në pesë vjeç. Kjo pagesë dyfishohet. Kemi një sërë politikash. Edhe studentët që vijnë nga familje në nevojë do të përfitojnë shtesë në pagesën e tyre mujore, do marrin 250 mijë lekë të vjetra çdo muaj”, theksoi Malaj.
Burimi ATSH


















