
APEC 2025: Marrëdhënia Kina-ShBA si çelësi i stabilitetit dhe prosperitetit global
Takimi i 32-të Ekonomik i Liderëve të APEC-ut u zhvillua në Republikën e Koresë nga 31 tetori deri më 1 nëntor. Platforma ekonomike e Azi-Paqësorit (APEC) është bërë një forum thelbësor për bashkëpunimin e gjithanshëm të dhjetëra shteteve që preken nga oqeani me të njëjtin emër.

Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit(AIGS)
Takimi i 32-të Ekonomik i Liderëve të APEC-ut u zhvillua në Republikën e Koresë nga 31 tetori deri më 1 nëntor. Platforma ekonomike e Azi-Paqësorit (APEC) është bërë një forum thelbësor për bashkëpunimin e gjithanshëm të dhjetëra shteteve që preken nga oqeani me të njëjtin emër. Që nga themelimi i tij në vitin 1989, APEC-u ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme, përmirësimin e tregtisë rajonale dhe promovimin e liberalizimit të investimeve. Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, APEC-u dallohet për përkushtimin ndaj uljes së barrierave tregtare dhe investimeve, duke i mundësuar ekonomive anëtare të integrohen më efektivisht në tregjet globale.

Presidenti kinez Xi Jinping merr pjesë në sesionin e parë të Takimit të 32-të Ekonomik të Liderëve të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) dhe mban një fjalim në Gyeongju të Republikës së Koresë, më 31 tetor 2025. /Xinhua
Mes tronditjeve tregtare në rritje dhe pasigurive të shtuara gjeopolitike, Presidenti kinez Xi Jinping iu bashkua udhëheqësve të ekonomive të APEC-ut në Korenë e Jugut në një përpjekje për të ndërtuar konsensus për prosperitet të përbashkët dhe për të riafirmuar angazhimin e Kinës për globalizim ekonomik të hapur dhe gjithëpërfshirës.
Kina është bërë partneri më i madh tregtar për më shumë se 150 vende dhe rajone. Brenda APEC-ut, Kina shërben si një mbrojtëse kryesore e tregtisë së lirë dhe një promovuese e bashkëpunimit rajonal, gjë që është thelbësore sepse shumë anëtarë të APEC-ut lulëzojnë përmes tregtisë së hapur.
Vëmendja e botës në takimet e nivelit të lartë Xi-Trump
Më 30 tetor, në qytetin bregdetar të Busanit, Presidenti Xi Jinping u takua me Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Ky takim pasoi bisedimet ekonomike dhe tregtare Kinë-ShBA në Kuala Lumpur, Malajzi, ku të dy palët arritën rezultate thelbësore, duke përfshirë pezullimin e tarifave reciproke dhe kontrolleve të eksportit, si dhe marrëveshje për të thelluar bashkëpunimin në tregti, teknologji dhe shëndet publik.

Presidenti kinez Xi Jinping u takua me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Busan të Republikës së Koresë, 30 tetor 2025. /Xinhua
Gjithë bota pyet, si mund t’i formësojë ky pezullim ose “armëpushim ekonomik” i përkohshëm ndërveprimet Kinë-ShBA në të ardhmen – në tregti, teknologji dhe siguri? A mund të evoluojë kjo në një kornizë afatgjatë për menaxhimin e rivalitetit?
Në takim, Presidenti Xi Jinping theksoi se shndërrimi i Kinës dhe ShBA-së në partnerë e miq nuk është vetëm një përvojë historike, por edhe një domosdoshmëri e realitetit të sotëm ndërkombëtar. Xi vuri në dukje se, megjithëse të dy vendet kanë kushte kombëtare dhe sisteme të ndryshme, dallimet janë të pashmangshme dhe fërkimet midis dy ekonomive më të mëdha në botë janë pjesë e natyrshme e bashkëveprimit të tyre. Ajo që ka rëndësi, sipas tij, është që këto dallime të menaxhohen me përgjegjësi dhe përmes dialogut konstruktiv.
Duke përdorur një metaforë domethënëse, Presidenti kinez tha se përballë “stuhive dhe sfidave” ndërkombëtare, të dy udhëheqësit duhet të veprojnë si “timonierë” që ruajnë drejtimin dhe kontrollin e anijes së marrëdhënieve dypalëshe, duke siguruar që ajo të lundrojë me qëndrueshmëri dhe drejtim të qartë.
Jam i gatshëm të punoj së bashku me Presidentin Trump për të ndërtuar një bazë të fortë për marrëdhëniet kino-amerikane dhe për të krijuar një mjedis pozitiv për zhvillimin e të dy vendeve, deklaroi Xi Jinping, duke dërguar një mesazh qartësisht bashkëpunues.
Sa i rëndësishëm është ky moment – jo vetëm simbolikisht, por edhe në formësimin e një toni më të qëndrueshëm për tregjet globale dhe besimit të ripërtërirë në bashkëpunim? – Takimi është si simbolik ashtu edhe thelbësor. Është simbolik sepse mbeten shumë çështje të pazgjidhura, duke përfshirë sfidat strukturore dhe sektoriale që kërkojnë negociata dhe vetë-reflektim të mëtejshëm. Është thelbësor sepse, pas katër raundeve të fundit të negociatave, samiti të paktën krijoi një atmosferë miqësore dhe vendosi një linjë për adresimin e tensioneve.

Presidenti kinez Xi Jinping u takua me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Busan të Republikës së Koresë, 30 tetor 2025. /Xinhua
Duke pasur parasysh ndërvarësinë e dy ekonomive më të mëdha dhe përgjegjësitë e tyre të përbashkëta globale, bashkëpunimi është thelbësor. Pa një bashkëpunim të tillë, çështjet e mëdha globale – duke përfshirë pandemitë, shëndetin publik, ndryshimet klimatike dhe madje edhe shqetësimet e sigurisë – nuk mund të adresohen në mënyrë efektive.
Vëzhguesit në mbarë botën e konsideruan gjerësisht takimin si një “moment historik” në marrëdhëniet Kinë-ShBA që do të ndihmojë në stabilizimin e ndjenjës globale dhe pritjeve tregtare, gjë që ofron një lehtësim për kërkesën dhe zinxhirin e furnizimit global”. Roli i pazëvendësueshëm strategjik udhëheqës i diplomacisë së kreut të shtetit në marrëdhëniet Kinë-ShBA u theksua disa herë.
Takimi, që zgjati 1 orë e 40 minuta, dha rezultate pozitive dhe arriti një konsensus të rëndësishëm, me rëndësi të thellë si për Kinën dhe ShBA-në, ashtu edhe për botën. Ai jo vetëm që trajtoi shqetësime specifike dypalëshe, por gjithashtu riafirmoi, në një nivel strategjik, se si Kina dhe ShBA-ja duhet të shkojnë mirë me njëra-tjetrën. Diskutimi ofroi udhëzime dhe moment të ri për zhvillimin e qëndrueshëm të lidhjeve dypalëshe dhe rriti pritjet e përbashkëta të botës për stabilizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve. Siç e deklaroi me bindje Presidenti Xi gjatë takimit, “Kina dhe ShBA-ja duhet të jenë partnerë dhe miq. Kjo është ajo që na ka mësuar historia dhe ajo që i duhet realitetit.”
Sa i përket rezultateve të takimit të udhëheqësve, diskutimi preku gjithashtu disa fusha të nxehta, duke përfshirë rregullin 50%, elementët e rrallë të tokës dhe tarifat portuale për anijet kineze, duke reflektuar kompleksitetin e çështjeve që ende duhet të menaxhohen me kujdes në marrëdhënien dypalëshe.
Bashkësia ndërkombëtare ka një pritje gjithnjë e më të fortë që Kina dhe ShBA-të të marrin role pozitive. Siç deklaroi Presidenti Xi, bota sot përballet me shumë probleme të vështira. Kina dhe SHBA-të mund të mbajnë së bashku përgjegjësinë tonë si vende të mëdha dhe të punojnë së bashku për të arritur gjëra më të mëdha dhe konkrete për të mirën e dy vendeve tona gjithë botës. Kjo nuk është thjesht e realizueshme, por e domosdoshme.
Si marrëdhënia dypalëshe më e rëndësishme në botë, njerëzit presin që Kina dhe ShBA-ja të japin kontribute të reja dhe më të mëdha për paqen dhe zhvillimin botëror nën udhëheqjen e fortë strategjike të të dy krerëve të shteteve. Gjatë bisedës së tij me Presidentin Trump, Xi sqaroi sërish se zhvillimi i Kinës përfaqëson një mundësi dhe jo një kërcënim. Nga ana tjetër, ndjekja e rritjes ekonomike përmes luftërave tregtare, tarifave
ose masave të përmbajtjes do të dëmtonte të dyja palët, duke pasur parasysh se të dy vendet përfaqësojnë ekonomitë më të mëdha në botë.
Presidenti Trump e përshkroi samitin si një sukses të madh, duke e vlerësuar atë me “12 nga 10 pikë maksimale”. Kjo tregon si një atmosferë pozitive ashtu edhe substancë, me stimuj për Kinën për të ruajtur pezullimin. U diskutuan gjithashtu planet për vizita reciproke midis udhëheqësve, duke forcuar më tej lidhjet.
Kina dhe APEC-u
Në kontekstin e samitit në Korenë e Jugut, duhet theksuar se APEC-u nuk është një forum i vendeve, por e ekonomive, pra më pak profil politik e më shumë ekonomik. Por, gjeopolitikës nuk i shpëtohet dot në këtë kohë plot tensione. Megjithëse ekzistonin shumë përplasje politike sipërfaqësore, në thelb kishte ende një dëshirë të madhe për më shumë pozitivitet.
Presidenti kinez Xi Jinping mori pjesë në fazën e parë të Takimit të 32-të Ekonomik të Liderëve të APEC-ut dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm, më 31 tetor, në Gyeongju të Koresë së Jugut. Në vitin 2025, anëtarët e APEC-ut së bashku përbëjnë mbi 60% të PBB-së totale botërore. Xi e ka konsideruar rajonin si një përparësi kyçe për avancimin e tregtisë së lirë. Xi parashikon që Azi-Paqësori të mbetet “lokomotiva” e globalizimit. Një valë e re ndryshimesh teknologjike dhe industriale po shfaqet, duke nxitur ndryshimin global drejt një ekonomie digjitale, të gjelbër dhe inteligjente. Një ndryshim i tillë, argumenton Xi, po ndërton një vrull të fuqishëm për fazën tjetër të globalizimit.
Në fjalën e tij, ai paraqiti një propozim me pesë pika për bashkëpunim rajonal për rajonin e Azi-Paqësorit, duke kontribuar me mençurinë kineze në ndërtimin e një komuniteti Azi-Paqësori dhe duke ngritur zgjidhjet e Kinës – një mesazh që ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare. Presidenti Xi, me një depërtim të mprehtë në sfidat globale të sotme, përcaktoi kursin për zhvillimin e ardhshëm të familjes APEC. Vëzhguesit vunë re se terma të tillë si “universalisht i dobishëm dhe gjithëpërfshirës” dhe “zhvillim i hapur” përshkuan të gjithë fjalimin.
Presidenti Xi shpjegoi më hollësisht propozimin me pesë pika të Kinës për promovimin e një globalizimi ekonomik i cili pasqyron ndjenjën e përgjegjësisë dhe angazhimit të Kinës si një fuqi e madhe dhe duke përcaktuar një plan të zbatueshëm për krijimin e përbashkët të një ekonomie të hapur Azi-Paqësor. Në të njëjtën kohë, ai është shumë në përputhje me vlerat thelbësore të APEC-ut për hapjen dhe bashkëpunimin. Prosperiteti dhe zhvillimi i Azi-Paqësorit nuk mund të ndahen nga Kina. Xi paraqiti bindshëm fakte dhe shpjegoi më hollësisht kontributin dhe angazhimin jetësor të Kinës për një ekonomi botërore të hapur. Ai theksoi se “dera e Kinës drejt botës nuk do të mbyllet; ajo vetëm do të hapet gjithnjë e më gjerë”, duke ofruar një burim të fortë besimi për ekonomitë në të gjithë rajonin.
Së fundmi, ndërsa optimizmi është i justifikuar, kujdesi është ende i nevojshëm. Shumë mosmarrëveshje mbeten, duke përfshirë konkurrencën gjeopolitike, rivalitetin ekonomik, çështjet e teknologjisë së lartë dhe kontrollet e eksportit. Qëndrueshmëria e progresit varet nëse administrata amerikane institucionalizon dialogun dhe miraton një qasje pragmatike ndaj Kinës. Nga njëra anë, ka arsye për të patur pozitivitet për shkak të samitit të fundit dhe për shkak se Trump ka dominuar kryesisht politikën e jashtme dhe mund të zbatojë agjendën e tij. Por, qëndrimi i tij ndaj Kinës ka qenë i paqëndrueshëm, duke u luhatur me kalimin e kohës. Mbetet për t’u parë nëse administrata Trump – dhe jo vetëm Trump, por edhe figurat brenda administratës së tij – mund të miratojnë një qasje më pragmatike, duke bashkëpunuar me Kinën për çështjet që dy udhëheqësit trajtuan së fundmi.

Presidenti kinez Xi Jinping mban fjalim në sesionin e dytë të Takimit të 32-të Ekonomok të Liderëve të APEC-ut në Gyeongju, Republika e Koresë, më 1 nëntor 2025./Xinhua
Ndërsa pala kineze flet me një zë, me një sjellje dhe me një drejtim. Si Kina e sheh veten në këtë kohë dhe si artikulon thellësisht qëllimet dhe qasjen themelore të zhvillimit të vendit mund të shihet qartë në fjalët e Xi: “Gjatë shtatë dekadave të fundit e më shumë, ne kemi punuar brez pas brezi mbi të njëjtin plan për ta bërë atë realitet. Nuk kemi ndërmend të sfidojmë ose të zëvendësojmë askënd. Fokusi ynë ka qenë gjithmonë në menaxhimin e mirë të punëve të Kinës, përmirësimin e vetes dhe ndarjen e mundësive të zhvillimit me të gjitha vendet në të gjithë botën.”
Burimi CGTN



















