
Elbasani nis programin “CliMobility City Lab” për hapësira publike më të gjelbra
Programi i Bashkisë Elbasan në bashkëpunim me GIZ Albania dhe ALBICT, parashikon ndërhyrje në pesë zona pilot

Në Elbasan ka nisur zbatimi i programit “CliMobility City Lab”, një nismë që do të kontribuojë në krijimin e një qyteti më të gjelbër, më të aksesueshëm dhe më rezistent ndaj sfidave klimatike.
Programi i Bashkisë Elbasan në bashkëpunim me GIZ Albania dhe ALBICT, parashikon ndërhyrje në pesë zona pilot të Elbasanit, me fokus shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, reduktimin e temperaturave në zonat urbane dhe përmirësimin e kushteve për lëvizjen e këmbësorëve.
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e kësaj nisme për përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve dhe krijimin e një mjedisi urban më të shëndetshëm e funksional. Në kuadër të programit do të organizohet edhe një Hackathon treditor, ku të rinj dhe profesionistë nga fusha të ndryshme do të bashkëpunojnë për të zhvilluar ide dhe zgjidhje inovative për sfidat urbane të qytetit. Idetë më të mira do të përzgjidhen për t’u zhvilluar më tej.
Nisma lidhet gjithashtu me angazhimin e Elbasanit në Misionin e Bashkimit Evropian për 100 qytete neutrale ndaj klimës dhe inteligjente deri në vitin 2030, i cili synon të përshpejtojë transformimin urban përmes zgjidhjeve të qëndrueshme dhe reduktimit të ndikimit mjedisor.
Burimi ATSH

















