Sadushi: Reforma në Drejtësi, transformimi më i thellë që ka njohur shteti shqiptar

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi u shpreh sot se Reforma në Drejtësi e vitit 2016, mbetet një ndër transformimet më të thella që ka njohur shteti shqiptar.


Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi u shpreh sot se Reforma në Drejtësi e vitit 2016, mbetet një ndër transformimet më të thella që ka njohur shteti shqiptar.

Në panelin e diskutimeve gjatë konferencës “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias” të organizuar nga Kuvendi, Sadushi tha se Këshilli i Europës ka qenë busulla e integrimit demokratik të Shqipërisë, duke orientuar shtetin drejt ndarjes së pushteteve, forcimit të institucioneve të pavarura dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.

Në këtë rrugëtim, sipas tij, rol të pazëvendësueshëm ka luajtur Komisioni i Venecias, institucioni më i respektuar i së drejtës kushtetuese në kontinent, që për tri dekada ka qenë udhërrëfyes i arsyes dhe i ekuilibrit institucional.

Sot, pas tridhjetë vjetësh partneritet dhe mbështetje nga institucionet evropiane, vuri në dukje ai, Shqipëria përballet me një provë të re: ta shndërrojë rezultatin e reformës në drejtësi në një proces të qëndrueshëm konsolidimi institucional.

Sipas Sadushit, Reforma në drejtësi shkëputi lidhjet e varësisë politike që kishin paralizuar gjyqësorin, shkatërroi kulturën e pandëshkueshmërisë dhe vendosi integritetin në qendër të debatit publik dhe institucional.

Sadushi u shpreh se “Reforma në drejtësi fitoi besimin e publikut dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, sepse synoi ndarjen përfundimtare të drejtësisë nga politika dhe forcimin e integritetit institucional të sistemit gjyqësor”.

“Megjithëse u konceptua mirë, përvoja ka treguar se çdo reformë varet nga mënyra e zbatimit dhe nga njerëzit, që e mbajnë gjallë. Pas nëntë vjetësh nga miratimi i saj, sistemi gjyqësor ende përballet me mungesa në trupën gjyqësore, me ngarkesë të lartë çështjesh dhe me vonesa në dhënien e vendimeve. Procesi i rivlerësimit kalimtar (vetingu), pavarësisht vlerës historike për pastrimin moral të sistemit, nuk ka qenë i imunizuar ndaj problemeve. Janë vërejtur vendimmarrje të pabarabarta për çështje të ngjashme, mungesë koherence në interpretim dhe ndikim i perceptimeve publike mbi procesin, çka ka krijuar herë pas here ndjesinë e standardeve të dyfishta”, pohoi ai.

Sipas tij, këto nuk e zbehin vlerën e vetingut, por tregojnë se drejtësia kërkon jo vetëm kontroll, por edhe kulturë përgjegjësie dhe vetërregullimi.

“Për ta kthyer këtë vizion në realitet, duhet pranuar se ngritja e institucioneve të reja nuk është fundi i reformës, por vetëm fillimi i saj. Përvoja e viteve të fundit ka treguar se zbatimi i reformës është shoqëruar me vështirësi, që lidhen me plotësimin e trupës së magjistratëve, me mungesë koordinimi ndërmjet institucioneve të reja dhe me kufizime në interpretimin e kompetencave përkatëse. Këto zhvillime dëshmojnë se kultura e përgjegjësisë dhe e bashkëpunimit institucional është ende në proces formimi”, pohoi Sadushi.

Ai shtoi se “për të përmbushur misionin e reformës, nevojiten profesionistë të pavarur, jo vetëm si kriter emërimi, por si parim që udhëheq veprimet dhe vendimmarrjen; kërkohen drejtues që shohin përtej funksionit administrativ dhe e kuptojnë drejtësinë si shërbim ndaj qytetarit, jo si status personal”.

Kreu i Gjykatës së Lartë theksoi se problemi më i madh i çdo reforme nuk qëndron te formulat apo ligjet, por te integriteti, kurajo dhe dinjiteti i atyre, që mbajnë përgjegjësinë për ta bërë drejtësinë realitet.

“Kjo reformë duhet parë si projekti më i madh institucional dhe shoqëror i tridhjetë vjetëve të fundit, si përpjekja më e thellë për të ndërtuar besimin midis qytetarit dhe ligjit”, tha Sadushi.

“Çdo reformë, për të qenë e vërtetë, duhet të kthehet në kulturë, në ndërgjegje dhe në mënyrë funksionimi të shtetit. Në këtë kuptim, ky përvjetor nuk është vetëm një kujtesë historike, por edhe një pikë reflektimi për rrugën, që kemi bërë bashkë. Tridhjetë vjet pas hyrjes së Shqipërisë në Këshillin e Europës, drejtësia shqiptare ndodhet përpara një momenti të ri historik. Në fillim kërkuam ndihmë për të ndërtuar themelet; sot kemi detyrimin t’i forcojmë ato me përvojën dhe përgjegjësinë tonë. Reforma në drejtësi ishte pastrimi ynë moral, ndërsa konsolidimi i drejtësisë duhet të jetë ndërtimi i besimit tonë institucional”, theksoi Sadushi.

Sipas Sadushit, nga vetingu te kultura e përgjegjësisë, nga kontrolli i jashtëm te vetëpërgjegjësia e brendshme, kjo është rruga, që e bën drejtësinë shqiptare të pjekur dhe vërtet evropiane.

“Ky tranzicion nuk është vetëm institucional, por edhe njerëzor. Në këtë fazë të re, sistemi i drejtësisë ka nevojë për më shumë lidership institucional dhe integritet personal. Vizioni që dikur mbështeti Komisioni i Venecias mund të vazhdojë të frymëzojë drejtësinë shqiptare, ndërsa ajo vetë duhet ta mbajë gjallë këtë vizion përmes përgjegjësisë, integritetit, guximit dhe profesionalizmit të saj”, tha Sadushi.

“Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias na dhanë mësimin më të vlefshëm: se drejtësia nuk është vetëm normë, por vlerë; nuk është vetëm institucion, por besim. Prandaj, në këtë përvjetor, ndjejmë mirënjohje për partneritetin e tyre të qëndrueshëm dhe për besimin, që kanë treguar në rrugëtimin tonë. Sot është koha të dëshmojmë se ky besim i ndërsjellë ka dhënë frytet e veta: se drejtësia shqiptare qëndron mbi themele të përbashkëta evropiane, me partnerë, me qëndrueshmëri dhe me dinjitet. Drejtësia e vërtetë nuk ndërtohet nga të tjerët për ne, por ndërtohet bashkë, përmes përkushtimit të atyre që e shërbejnë dhe e besojnë atë. Kjo është prova e pjekurisë sonë evropiane”, tha ai.

“Mbi të gjitha, kjo është edhe prova e karakterit tonë kombëtar. Le ta bëjmë drejtësinë pasqyrë të më të mirës që kemi si komb, me integritet që nuk blihet, me dinjitet që nuk përkulet dhe me etikë që nuk komprometohet. Vetëm kështu drejtësia shqiptare do të jetë jo më aspiratë, por realitet që ngjall respekt, shpresë dhe besim”, përfundoi Sadushi.

/Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Rama nga Londra: Më shumë se 90% e shqiptarëve i besojnë Europës

Kryeministri Edi Rama ishte sot pjesë e panelit të Chatham House në Londër me temë “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”,…

Global 360

Von der Leyen: Shqipëria në rrugën e duhur drejt BE-së, ritëm rekord me negociatat

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vlerësoi sot se “Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian”.

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur kombi flet me një zë!

Pata një emocion të veçantë tek pashë mitingun në mbrojtje të së drejtës për prijësit e luftës çlirimtare në Kosovë.

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Rama nga Londra: Më shumë se 90% e shqiptarëve i besojnë Europës

Kryeministri Edi Rama ishte sot pjesë e panelit të Chatham House në Londër me temë “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”,…