
Zguro: Prokurimet, digjitalizimi uli kostot administrative me mbi 3,7 milionë lekë
Gjatë vitit 2024 janë regjistruar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, 1151 ankesa në total, prej të cilave 1144 ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 5 ankesa për procedurat e ankandit publik, 1 ankesë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe 1 ankesa për leje minerare.

Gjatë vitit 2024 janë regjistruar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, 1151 ankesa në total, prej të cilave 1144 ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 5 ankesa për procedurat e ankandit publik, 1 ankesë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe 1 ankesa për leje minerare.
Nga 1151 ankesa të paraqitura në total, 437 prej tyre ose rreth 38%, janë ankesa të paraqitura për dokumentet e tenderit dhe 714 ankesa ose rreth 62% e tyre, janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave.
Zëvendëskryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Fiorent Zguro, gjatë raportimit në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale dhe Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, për vitin 2024 theksoi se “Komisioni i Prokurimit Publik ka shqyrtuar 1135 ankesa, nga të cilat për 327 ankesa i ka kërkuar autoritetit kontraktor të bëjë modifikimet e specifikuara në vendim dhe ka dërguar 99 kërkesa autoriteteve kontraktore për zbatim vendimi, në krahasim me 78 kërkesat në vitin 2023”.
Ai nënvizoi se, KPP, ka vijuar me trendin e përshpejtimit të kohës për shqyrtimin e ankesave, duke ulur treguesin e ankesave të shqyrtuara jashtë afatit në vlerën 9,26%, nga 9,4% në vitin 2023 dhe 10,1% që ishte në vitin 2022, ndërsa koha e vendimmarrjes për vitin 2024 ishte 12 ditë.
“Gjatë vitit 2024, Komisioni i Prokurimit Publik ka kontribuar në kursimin e buxhetit të shtetit me një vlerë prej 536,1 milionë lekë”, tha Zguro.
Gjithashtu, vijoi ai, ka një ulje të numrit të vendimeve të ankimuara pranë Gjykatës Administrative, nga 4,4% të vendimeve të ankimuara në vitin 2023, në 4% të vendimeve të ankimuara në vitin 2024, si dhe një rritje e numrit të vendimeve të lëna në fuqi nga Gjykata për vendimmarrjen e Komisionit të Prokurimit Publik.
Më tej, Zguro, theksoi se gjatë vitit 2024 kanë vijuar përpjekjet e institucionit në drejtim të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve në rrugë digjitale.
“285 më shumë ankesa janë paraqitur në vitin 2024 krahasim me vitin 2023 ndërkohë mbi 341 operatorë ekonomikë unikë kanë paraqitur ankesa. Nga këto të fundit 1/3 janë operatorë ekonomikë tërësisht të rinj në sistemin e rishikimit administrativ. Falë digjitalizimit janë kursyer mbi 3.762.180 lekë si kosto të shpenzimeve administrative për paraqitjen e ankesave pranë autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë”, tha ai.
Zguro theksoi se Komisioni i Prokurimit Publik ka vijuar angazhimin në kuadër të detyrimeve si vend anëtar dhe themelues i rrjetit të Organeve Shqyrtuese të Europës Juglindore, me pjesëmarrjen aktive në veprimtaritë e organizuar nga rrjeti, si edhe me pjesëmarrjen aktive në Rrjetin e Organeve Shqyrtuese të shkallës së parë të Bashkimit Evropian.
“Inteligjenca Artificiale do të luajë një rol të rëndësishëm në proceset e prokurimit dhe vetë KPP është duke analizuar mundësinë e përfshirjes së saj në procesin e rishikimit administrativ me fokus gjatë vitit 2025. Ky është një moment i rëndësishëm dhe ne mbetemi të përkushtuar të jemi pjesë e zgjidhjeve pozitive dhe konstruktive duke punuar me të gjitha grupet e interesit për t’u siguruar që ky moment në kohë të mos kalojë pa bërë ndryshime thelbësore dhe pozitive. Angazhimi ynë i vazhdueshëm Komisioni i Prokurimit Publik, mbetet i angazhuar për të vijuar përkushtimin ndaj të gjithë grupeve të interesit, për një sistem rishikimi administrativ transparent dhe të qëndrueshëm”, deklaroi Zguro.
Burimi ATSH