
Iniciativa e Qeverisjes Globale (GGI) dhe e ardhmja e përbashkët
Në një botë që përballet me sfida komplekse politike, ekonomike dhe mjedisore, nevoja për një sistem qeverisjeje globale më të drejtë dhe efektiv është më e madhe se kurrë

Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit
Në një botë që përballet me sfida komplekse politike, ekonomike dhe mjedisore, nevoja për një sistem qeverisjeje globale më të drejtë dhe efektiv është më e madhe se kurrë. Më 1 shtator 2025, udhëheqësi kinez propozoi Iniciativën e Qeverisjes Globale (GGI) në Tianjin. Ai u shpreh: “Pres me padurim të punoj me të gjitha vendet për një sistem qeverisjeje globale më të drejtë, të barabartë dhe të përparojë drejt një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.”
Viti 2025 shënon 80-vjetorin e themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, një pikë kthese në historinë e qeverisjes globale. Ky sistem ka kontribuar historikisht në ruajtjen e paqes dhe zhvillimit, por sot përballet me sfida të reja. Në këtë kontekst, Kina, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe vendi më i madh në zhvillim, propozon Iniciativën e Qeverisjes Globale (GGI). Ajo synon të forcojë sistemin ndërkombëtar nëpërmjet pesë parimeve kryesore:
Presidenti Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan organizuan një banket mirëseardhjeje për të ftuarit ndërkombëtare në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait./Xinhua
Angazhimi ndaj barazisë sovrane. Kjo është premisa bazë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Çdo shtet, pavarësisht madhësisë apo fuqisë, ka të drejtë të mbrojë sovranitetin, dinjitetin dhe zgjedhjen e rrugës së tij të zhvillimit. Kjo kërkon më shumë demokraci në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe përfaqësim më të gjerë të vendeve në zhvillim në strukturat globale.
Angazhimi ndaj sundimit të së drejtës ndërkombëtare. Normat e Kartës së OKB-së duhet të respektohen njësoj nga të gjitha vendet, pa standarde të dyfishta. Në fushat e reja, rregullat duhet të ndërtohen mbi konsensus global. Vetëm duke ruajtur autoritetin e ligjit ndërkombëtar, mund të sigurohet stabiliteti i rendit botëror.
Angazhimi ndaj multilateralizmit. Çështjet globale kërkojnë vendime kolektive dhe përfshirjen e të gjithëve. Praktikat e unilateralizmit dhe strukturat përjashtuese duhen refuzuar. Roli i OKB-së duhet forcuar si platforma qendrore e multilateralizmit, ndërsa organizatat rajonale duhet të kontribuojnë sipas avantazheve dhe aftësive të tyre.
Angazhimi ndaj qasjes së orientuar drejt njerëzve. Qeverisja globale nuk është abstrakte, por ka në qendër mirëqenien e popujve. Ajo duhet të krijojë ndjenjën e sigurisë, përmbushjes dhe shpresës për të ardhmen, duke nxitur zhvillimin e përbashkët, përballimin e sfidave të përbashkëta dhe ndarjen e përfitimeve midis kombeve.
Angazhimi ndaj rezultateve reale. Qeverisja globale duhet të japë zgjidhje konkrete për problemet, duke balancuar çështjet afatshkurtra me sfidat afatgjata. Vendet e zhvilluara duhet të marrin përgjegjësi më të mëdha në ofrimin e burimeve dhe të mirave publike, ndërsa vendet në zhvillim duhet të forcojnë solidaritetin për të kontribuar sipas mundësive.
Këto “Pesë koncepte kryesore” të Iniciativës janë të rrënjosura thellë në parimet dhe qëllimet e Kartës së OKB-së dhe shprehin aspiratën e përbashkët të shumicës së vendeve të botës. Ato nuk synojnë të rrëzojnë apo të zëvendësojnë rendin ekzistues ndërkombëtar, por përkundrazi, të përmirësojnë funksionimin e tij. Qëllimi është që sistemi aktual dhe institucionet ndërkombëtare të bëhen më të afta në veprim, më efektive në punë, më fleksibël ndaj ndryshimeve dhe më të shpejtë në reagimin ndaj sfidave globale, duke shërbyer interesat e të gjitha vendeve, në veçanti atyre në zhvillim.
Më 11 nëntor 2019, Presidenti Xi Jinping vizitoi Projektin e Portit të Pireut të COSCO Shipping./Xinhua
Kjo qasje e Pekinit thekson se reformimi nuk është një proces i shkëputur nga realiteti. Kina, si promotor i kësaj iniciative, afirmon se do të mbetet e palëkundur në mbrojtjen e këtij sistemi, duke qëndruar në “anën e duhur të historisë.”
Rëndësia e këtij pozicionimi qëndron tek fakti se Iniciativa nuk shihet si një projekt i kufizuar, por si një vizion që përputh interesat kombëtare me përgjegjësinë globale. Përmes saj, synohet që zhvillimi, paqja dhe prosperiteti të ndahen gjerësisht, duke i dhënë botës më shumë stabilitet dhe shpresë në një periudhë turbulencash. Në këtë kuptim, ajo paraqet një angazhim afatgjatë për paqen dhe zhvillimin, duke e parë qeverisjen globale si një mjet për të garantuar një rend më të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Iniciativa e Qeverisjes Globale ndërtohet në vazhdimësi me tre nismat e tjera kineze – Iniciativën për Zhvillim Global (GDI), për Siguri Globale (GSI) dhe për Qytetërim Global (GCI). Së bashku, këto përfaqësojnë një paketë gjithëpërfshirëse për t’i dhënë energji pozitive botës së trazuar dhe për të nxitur përparimin e njerëzimit.
Të gjitha bashkë paraqesin një qasje të ndërlidhur që synon ta bëjë botën më të drejtë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme. Secila ka prioritetet e veta, dhe fuqia e tyre shfaqet kur kuptojmë se ato ndërveprojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën.
Iniciativa e Zhvillimit Global nxit bashkëpunimin ndërkombëtar për progres, duke krijuar bazën materiale dhe sociale për përparimin e përbashkët. Pa zhvillim nuk ka stabilitet, prandaj kjo nismë hap rrugën për uljen e pabarazive dhe ndarjen e përfitimeve ekonomike. Në të njëjtën kohë, Iniciativa për Siguri Globale siguron që ky zhvillim të mos pengohet nga konfliktet apo tensionet, duke e vendosur dialogun dhe konsultimin mbi konfrontimin. Këto dy nisma së bashku krijojnë themelet e një bote më të baraspeshuar dhe paqësore.
Nga ana tjetër, Iniciativa për Qytetërim Global shton dimensionin kulturor dhe njerëzor, duke nxitur njohjen e ndërsjellë dhe mësimin reciprok mes qytetërimeve. Ajo i jep qeverisjes globale një frymë të re që tejkalon interesat e ngushta politike dhe ekonomike, duke ndërtuar ura besimi dhe respekti kulturor. Kjo forcon bazën sociale për një bashkëpunim të qëndrueshëm afatgjatë.
Hekurudha Ekspres Kinë-Evropë/Foto nga VCG
Më në fund, iniciativa e 2025 e Qeverisjes Globale përcakton parimet dhe drejtimin se si sistemi i qeverisjes globale duhet të reformohet për t’iu përgjigjur sfidave të kohës. Ajo siguron kornizën institucionale dhe ligjore ku tre nismat e tjera mund të zhvillohen dhe të japin rezultate konkrete. Këto Iniciativa marrin spunto nga realiteti i botës ku jetojmë.
Peizazhi aktual ndërkombëtar po kalon ndryshime dhe turbulenca. OKB-ja dhe multilateralizmi po sfidohen. Deficiti në qeverisjen globale vazhdon të rritet.
Institucionet ekzistuese ndërkombëtare kanë treguar tre mangësi kryesore. Së pari, nën-përfaqësim serioz i Jugut Global, ose vendeve në zhvillim. Rritja kolektive e tregjeve në zhvillim dhe vendeve në zhvillim kërkon rritjen e përfaqësimit të Jugut Global dhe korrigjimin e padrejtësisë historike.
Së dyti, erozion i autoritetit. Qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së nuk janë respektuar në mënyrë efektive. Rezolutat e Këshillit të Sigurimit janë sfiduar. Sanksionet unilaterale, ndër praktikat e tjera, kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe kanë prishur rendin ndërkombëtar.
Së treti, nevojë urgjente për efektivitet më të madh. Zbatimi i Agjendës 2030 të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm po mbetet seriozisht prapa. Çështje të tilla si ndryshimi i klimës dhe ndarja digjitale po bëhen më të spikatura. Ekzistojnë boshllëqe në qeverisje në kufij të rinj si inteligjenca artificiale (IA), hapësira kibernetike dhe hapësira kozmike.
Duke vepruar në mënyrë të ndërthurur, këto katër nisma të Kinës jo vetëm që japin energji të reja për një botë në ndryshim, por edhe krijojnë një vizion të përbashkët për të ardhmen e njerëzimit – një të ardhme ku zhvillimi, siguria, kultura dhe qeverisja ndërkombëtare punojnë së bashku për paqe, mirëqenie dhe përparim.
Iniciativa e Qeverisjes Globale, sikurse pararendëset e saj të shpallura nga Pekini zyrtar paraqesin një qasje që kombinon parimet e Kartës së OKB-së me nevojat e reja të kohës. Ajo synon të ndajë mundësitë e zhvillimit në mënyrë më të drejtë, të mbushë boshllëqet e qeverisjes globale dhe të përgatisë një të ardhme ku paqja, siguria, begatia dhe përparimi të ndahen nga të gjithë.
Burimi CGTN