Samiti i II Kinë-Azi Qendrore – Xi Jinping thekson rëndësinë e bashkëpunimit

Kina qëndron e palëkundur në anën e ligjit dhe rregullit ndërkombëtar përballë kaosit dhe anarkisë


Nga Dr. Enriko Ceko
Drejtor Ekzekutiv “Qendra Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm”

Të martën pasdite, në Pallatin e Pavarësisë në Astana të Kazakistanit u mbajt Samiti i 2-të Kinë-Azi Qendrore. Azia Qendrore është një territor i përbërë nga Kazakistani, Kirgizistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani dhe si rajon kufizohet nga Deti Kaspik në jugperëndim, Rusia Evropiane në veriperëndim, Kina dhe Mongolia në lindje, Afganistani dhe Irani në jug dhe Siberia në veri. Së bashku, të pesë vendet e Azisë Qendrore kanë një popullsi totale prej rreth 76 milionë banorësh dhe një sipërfaqe prej më shumë se 4 milionë km2, rajon në zhvillim, me burime natyrore të vlefshme dhe të mjaftueshme, për të mbështetur përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së jetës në këto vende.

Në këtë samit, që u drejtua nga presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev, morën pjesë presidenti i Kinës, Xi Jinping, presidenti i Kirgizistanit Sadyr Nurgozhoevich Japarov, presidenti i Taxhikistanit Emomali Rahmon, presidenti i Turkmenistanit Serdar Berdimuhamedov dhe presidenti i Uzbekistanit Shavkat Miromonovich Mirziyoyev.

Në këtë samit të rëndësishëm u rishikuan rezultatet e bashkëpunimit në të tëra fushat midis Kinës dhe këtyre vendeve që nga Samiti I, organizuar në Xian dhe u planifikuan drejtimet e zhvillimit në të ardhmen, duke vendosur së bashku njëzëri që të (1) promovohet “Shpirti Kinë-Azi Qendrore”, (2) të synohet miqësia dhe fqinjësia e mirë dhe e përhershme dhe (3) të punohet së bashku për të nxitur vazhdimisht arritjet e reja në ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta Kinë-Azi Qendrore.


Foto nga Xinhua 

Në fjalën e tij, presidenti i Kinës, Xi Jinping tha: “Bashkëpunimi ynë i (1) ka rrënjët në historinë mbi 2000-vjeçare të marrëdhënieve miqësore, (2) u forcua gjatë 30 viteve të para të marrëdhënieve diplomatike nëpërmjet solidaritetit e besimit të ndërsjellë dhe (3) u zhvillua në epokën e re nëpërmjet hapjes dhe përfitimeve të përbashkëta.”

Mbi këtë bazë dhe praktikë të gjatë tashmë është formuar “Shpirti Kinë-Azi Qendrore”, bazuar në:

· Respektin dhe barazinë reciproke: Të gjitha shtetet, pa marrë parasysh madhësinë, trajtohen njësoj; çështjet zgjidhen me konsultime të përbashkëta dhe vendimet merren me konsensus.

· Besimin e ndërsjellë dhe përgjigjen e përbashkët: Mbështetje e patundur për ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit, tërësisë territoriale dhe dinjitetit kombëtar të njëri-tjetrit, duke shmangur çdo veprim që dëmton interesat thelbësore të palëve.

· Përfitimet e ndërsjella dhe zhvillimin e përbashkët: Përparësi në partneritet, t’i ofrojmë njëri-tjetrit mundësi zhvillimi, duke marrë parasysh interesat e të gjithëve dhe duke arritur fitore të shumëfishta.

· Ndihmën e ndërsjellë dhe përpjekjet e përbashkëta: Mbështetje për rrugët zhvillimore që u përshtaten kushteve të secilit, përballimi i sfidave dhe rreziqeve së bashku, dhe ruajtja e qëndrueshmërisë rajonale.


Foto nga Xinhua 

Dhe është pikërisht “Shpirti Kinë-Azi Qendrore” që ofron udhëzime të rëndësishme për miqësinë dhe bashkëpunimin ndër breza, shpirt, miqësi dhe bashkëpunim që duhen mbajtur gjallë e forcohen pa pushim.

Në këtë samit me rëndësi të madhe ndërkombëtare, presidenti i Kinës, Xi Jinping theksoi se Kina qëndron e palëkundur në anën e ligjit dhe rregullit ndërkombëtar përballë kaosit dhe anarkisë, duke u shprehur konkretisht se: “Në këtë kohë, ndryshimet shekullore po përshpejtohen dhe bota ka hyrë në një periudhë të re turbullirash. Vetëm duke qëndruar besnikë ndaj drejtësisë e barazisë dhe duke mos e harruar synimin për përfitime të përbashkëta, mund të ruajmë paqen botërore dhe të arrijmë zhvillimin e përbashkët. Lufta doganore dhe tregtare nuk ka fitues, ndërsa unilateralizmi, proteksionizmi dhe hegjemonizmi janë të dëmshëm si për të tjerët, ashtu edhe për veten.

1. Historia nuk mund të kthehet mbrapsht – duhet të ecim përpara.

2. Bota nuk mund të ndahet – duhet të bashkohemi.

3. Njerëzimi nuk mund të kthehet në ligjin e jungles – duhet të ndërtojmë një bashkësi me fate të përbashkëta për njerëzimin”.

Duket se Kina, në marrëdhëniet me këto vende, edhe më gjerë, udhëhiqet nga (1) përqendrimi te bashkëpunimi dinamik, duke ndërmarrë masa praktike, (2) përparimi në kuadër të “Një brez, një rrugë”, (3) ndërtimi i një bashkësie me fate të përbashkëta.

Në këtë samit Xi Jinping u fokusua në pesë aspekte:

1. Ruajtja e besimit dhe mbështetje e ndërsjellë si themel i bashkëpunimit.

2. Optimizimi i bashkëpunimin praktik, efikas dhe të thelluar.

3. Krijimi i një skenari sigurie paqësore, të qëndrueshme dhe të integruar.

4. Forcimi i lidhjeve të ngushta të shkëmbimeve njerëzore dhe kulturore.

5. Ruajtja e një rend ndërkombëtar të drejtë, të barabartë dhe të rregullt.


Foto nga Xinhua

Për pikën e parë, Kina e konsideron Azinë Qendrore si përparësi të politikës me vendet fqinje, mbi bazën e miqësisë së barabartë dhe të sinqertë. Në këtë kuadër, të gjashtë vendet nënshkruan një traktat të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit të përhershëm, duke e përforcuar me ligj parimin e miqësisë ndër breza, një moment historik ky në marrëdhëniet ndërmjet gjashtë vendeve dhe një risi në diplomacinë kineze me vendet fqinje.

Për pikën e dytë, vitet 2025-2026 janë përcaktuar nga Kina si “Vitet e Bashkëpunimit me Cilësi të Lartë Kinë-Azi Qendrore”, me fokus në zgjerimin e tregtisë, investimet industriale, infrastrukturë, burimet e gjelbra, modernizimin bujqësor, shkëmbimet njerëzore, duke zbatuar projekte konkrete për të nxitur prodhimin cilësor. Për këtë Kina angazhohet të krijojë (1) qendra për uljen e varfërisë, (2) për shkëmbime arsimore, (3) për parandalimin e degradimit të tokës dhe (4) një platformë për tregti të qëndrueshme, duke mbështetur paralelisht projektet e zhvillimit dhe të mirëqenies dhe duke ofruar trajnime në dy vitet e ardhshme për më shumë se 3.000 individë nga këto vende.

Për pikën e tretë, Kina synon forcimin e administrimit të sigurisë rajonale, thellimin e bashkëpunimit në fushën e zbatimit të ligjit dhe të sigurisë, punën e përbashkët për parandalimin dhe luftimin e ideologjive ekstremiste dhe goditjen me vendosmëri të “tre forcave të së keqes” (terrorizmi, ekstremizmi dhe separatizmi), duke ruajtur së bashku paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale. Për këtë Kina ofron për këto vende ndihmën e nevojshme në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar transnacional dhe mbrojtjen në aspektin e sigurisë kibernetike dhe biologjike.

Për pikën e katërt, Kina do thellojë bashkëpunimin me këto vende në fushat legjislative, partiake, të grave, të rinjve, mediave dhe instituteve të studimit të politikave. Në këtë kuadër Kina dëshiron të hapë më shumë qendra kulturore, degë universitare dhe qendra trajnimi profesional, për të formuar më shumë specialistë të kualifikuar për vendet e rajonit, duke ofruar dhe mbështetur edhe thellimin e bashkëpunimit në nivel pushteti vendor (lokal).

Për pikën e pestë, Kina angazhohet për të punuar së bashku me këto vende për (1) të mbrojtur drejtësinë ndërkombëtare, (2) kundërshtuar hegjemonizmin dhe politikën e forcës dhe (3) promovuar në mënyrë aktive një botë shumëpolare, të barabartë e të rregullt, si edhe globalizimin ekonomik përfshirës me përfitime të përbashkëta.


Foto nga Xinhua

Duket se pas punimeve të këtij samiti, mekanizmi Kinë-Azi Qendrore është transformuar tashmë në një platformë kyçe për të nxitur dialogun e bashkëpunimin dhe për të nxitur edhe më tej zhvillimin ekonomik e shoqëror të këtyre vendeve, transformim për të cilin u shprehën pozitivisht edhe drejtuesit e vendeve të Azisë Qendrore. Kjo sepse, një botë të pasigurt, rëndësia strategjike e këtij mekanizmi po bëhet gjithnjë e më e dukshme, pasi zhvillimi i Kinës dhe partneriteti strategjik i ndërtuar mbi bazën e reciprocitetit janë themele të sigurta dhe të besueshme, për zgjerimin e marrëdhënieve dhe volumit tregtar dhe të investimeve, ndërtimin me cilësi të lartë të iniciativës “Një brez, një rrugë”, forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në sektorët e industrisë, bujqësisë, teknologjive, infrastrukturës, energjisë së rinovueshme, ndërlidhjes, kulturës, arsimit, turizmit, etj., duke e shndërruar Mekanizmin Kinë-Azi Qendrore në një model të bashkëpunimit rajonal, (1) duke ndarë bashkërisht begatinë, (2) duke promovuar paqen e qëndrueshmërinë dhe (3) duke ndërtuar një bashkësi edhe më të fortë për fate të përbashkëta.

Të pestë drejtuesit e Vendeve të Azisë Qendrore vlerësuan maksimalisht rolin konstruktiv të Kinës në çështjet ndërkombëtare e rajonale dhe mbështetën fort idenë e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit, së bashku me tre nismat globale të parashtruara nga Presidenti Xi, duke shprehur gatishmërinë për të koordinuar dhe bashkëpunuar ngushtë me Kinën, duke ruajtur me vendosmëri tregtinë e lirë, sistemin tregtar shumëpalësh, e duke mbrojtur së bashku drejtësinë ndërkombëtare.

Burimi CGTN

Lexo më shumë nga

Hasani: Shqipëria në momentin më të mirë për t’iu bashkuar familjes europiane

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh sot se Shqipëria ndodhet në momentin më të mirë…

Global 360

Osmani pas samitit në Tiranë: BE-ja t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat

Komentet e Osmanit në një postim në rrjetet sociale vijnë në mbyllje të punimeve të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Hasani: Shqipëria në momentin më të mirë për t’iu bashkuar familjes europiane

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh sot se Shqipëria ndodhet në momentin më të mirë…