
Rama: Plani i Rritjes afron vendet kandidate me BE-në
Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar sot në aktivitetin e organizuar në Dublin nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), me temë “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”

Kryeministri Edi Rama, i ftuar sot në aktivitetin e organizuar në Dublin nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), me temë “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”, u ndal në fjalën e tij edhe te rëndësia e integrimit gradual, duke e cilësuar këtë qasje si një mënyrë për të shmangur hendekun ekonomik dhe financiar mes vendeve kandidate dhe atyre anëtare të BE-së.
“Integrimi gradual është diçka për të cilën unë vetë kam luftuar për një kohë të gjatë përpara sesa një gjë e tillë të merrte formë, natyrisht jo i vetëm, por edhe me kolegë të tjerë, për t’i dhënë kuptim gjithë procesit, sepse duhet që vendet të kalojnë përmes procesit të bazuar në meritë, të bëjnë punën e tyre, por ndërkohë hendeku midis vendeve kandidate dhe vendeve anëtare, sa i takon financave, ekonomisë, integrimit në tregun e përbashkët e kështu me radhë, bëhet më i gjerë e më i madh”, tha Rama.
Plani i Rritjes është një materializim i kësaj qasjeje, vlerësoi Rama, pasi u ofron vendeve kandidate më shumë mundësi për t’u afruar me tregun e përbashkët dhe ekonominë evropiane, përpara anëtarësimit të plotë.
“Pra, për të kaluar nga një situatë “gjithçka ose asgjë” në një situatë ku vendet pranohen, merren në mënyrë graduale është qasja e duhur dhe është materializuar Plani i Rritjes. Plani i Rritjes është pjesë e kësaj qasjeje dhe unë besoj se mund e duhet bërë edhe më shumë, por është më mirë se më parë, ku nuk ishte asgjë, përveç detyrave shtëpiake pa asnjë stimul”, tha ai.
/Marrë nga ATSH


















