
Rama: Shpërblim me fakte besimit të shqiptarëve
Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, në një takim me deputetët e Partisë Socialiste, në Pallatin e Brigadave, pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, tha se “fitoren e 83 mandateve nuk duhet ta shohim si një piedestal, por një kryq përgjegjësie”.

Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, në një takim me deputetët e Partisë Socialiste, në Pallatin e Brigadave, pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, tha se “fitoren e 83 mandateve nuk duhet ta shohim si një piedestal, por një kryq përgjegjësie”.
Rama theksoi se “duhet të shpërblejmë votuesit me fakte dhe rezultate konkrete”.
“Ky mandat që sapo kemi marrë nuk është një piedestal për t’i parë të tjerët nga lart poshtë, por është një kryq përgjegjësie dhe nuk e ekzagjeroj për t’u mbajtur me përulësinë dhe përkushtimin më të madh dhe për t’ju dhënë një ide që këtu nuk ka asnjë ekzagjerim, projektohuni 4 vite më pas dhe imagjinojeni që ne të mos e kemi shpërblyer me fakte dhe rezultate dhe me flamurin kombëtar në majën më të lartë gjithë këtë besim që morëm nga shqiptarët. Nuk do të kishte pozitë më të vështirë për ne që jemi shërimi i besimit dhe nuk do të kishte episod më të rrezikshëm për PS-në e dekadës së ardhshme” u shpreh Rama.
Rama shtoi se duhet të “83 mandate nuk janë në asnjë mënyrë për të treguar se kush jemi ne, por kush mundet dhe do të jetë me ndihmën e Zotit, Shqipëria 2030 në BE”.
“Qenia jonë një karrige jashtë shumicës së cilësuar, diçka që as nuk e imagjinonim kur e kemi nisur këtë rrugë, nuk duhet të na trimërojë në kuptimin që të bëhemi si ajo shprehja, i riu si veriu, por duhet të na urtësojë në kuptimin që t’i mendojmë dy herë veprimet që duhet të ndërmarrim. Ne jemi 83 deputetë dhe deputete, por nuk kemi 83 mandate kemi vetë një mandat mandatin e PS-së. Ky numër kaq i madh atje në sallë, na vlen se gjithkush ta dijë që është i nevojshëm siç dikush tjetër, por është më i padomosdoshëm se asnjëherë tjetër”, tha Rama.
Rama theksoi më tej se duhet të adresohen me përkushtim të gjitha problematikat e qytetarëve.
“Prandaj nga unë i pari e të gjithë rresht kokulur përpara atyre 856 318 shqiptarëve, duke hequr këtu votat që kemi dhënë vetë, të cilët na zgjodhën si përfaqësinë e tyre më të lartë, në momentin më historik që ne kemi ndeshur në rrugëtimin tonë. Kur them ne kthehemi përsëri tek ata pak shokë që kanë mbetur nga koha e vjetër këtu bashkë me mua, na zgjedhën për t’u kujdesur së ëndrrat dhe shpresat e tyre të ushqehen me punë të palodhur dhe me rezultate të vazhdueshme për Shqipërinë që problemet e tyre të adresohen me përkushtim që hallet e tyre të qahen, edhe kur nuk zgjidhen dot, që ne të kujdesemi që këtë ta bëjnë dhe ata që nën hijen tonë harrojnë se një hall që nuk zgjidhet, kur edhe nuk qahet është një grusht në fytyrën e nevojtarit” tha Rama.
Burimi ATSH