
Reforma e re e pensioneve, Manjani: BE kërkon barazim të moshës së pensionit për burra e gra më shpejt se viti 2056
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani bëri të ditur sot se po punohet për reformën e re të pensioneve edhe në kontekstin e integrimit si dhe me ekspertët e Bankës Botërore.

Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani bëri të ditur sot se po punohet për reformën e re të pensioneve edhe në kontekstin e integrimit si dhe me ekspertët e Bankës Botërore.
Sipas Manjanit, kërkesa kryesore e Bashkimit Europian është që të ketë një barazim mes moshës së burrave dhe grave për daljen në pension që duhet të jetë në 67 vjeç, para vitit 2056.
“Ne reformën e fundit të skemës së sigurimeve shoqërore e kemi pasur një dekadë më parë. Ndryshime demografike dhe ato në tregun e punës diktonin ndërmarrjen e një reforme të re që po harmonizohet edhe me kërkesat e BE-së. Është një reformë e cila ka filluar dhe po diskutohet edhe më ekspertët e Bankës Botërore dhe BE që të marrim ekspertizën më të mirë sa i përket reformimit të skemës. Dhe BE në këtë kontekst ka kërkesat e veta për mënyrën se si e sheh reformën në skemën e pensioneve”, u shpreh ajo.
Në kontekstin e reformës së pensioneve, theksoi Manjani, i kemi kërkuar BE-së një periudhë tranzitore. Sipas saj, është një praktikë që ndiqet shpesh.
Ajo informoi se MEKI është ende në fazë diskutimi se sa do të jetë kjo periudha e tranzicionit që ka të bëjë me barazimin e moshës së pensioneve mes burrave dhe grave.
“Ne historikisht kemi pasur një hendek 5-vjeçar të moshës së daljes në pension të burrave dhe grave. Para reformës që hyri në fuqi në 2015 mosha e burrave ka qenë 55 vjeç dhe e grave 50 vjeç, Ne e rritëm e çuam 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë“, deklaroi Manjani.
Sipas saj, kushti i BE është që në momentin e anëtarësimit me të drejta të plota të ketë një barazim mes moshës së burrave dhe grave.
“Ne moshën e daljes në pension po e rrisim me 2 muaj çdo vit dhe gratë dalin në pension 61- vjeç dhe dy muaj, ndërsa për burrat të cilët dilnin në pension 65 vjeç është parashikuar që deri në vitin 2056 të kemi barazim të daljes në pensione për burrat dhe gratë që do të jetë 67- vjeç. Por BE kërkon që kjo periudhë tranzitore që jetë më e shkurtër, pra të ndodhë para vitit 2056. Është një periudhë që ne ende po negociojmë për të rënë dakord sa e gjatë do të jetë periudha e tranzicionit”, tha ajo.
Manjani bëri të ditur se periudha e tranzicionit do të jetë e aplikueshme për të gjithë personat që janë ende pjesë e forcës së punës.
“Nëse ne do të marrim një vendim që barazimi i moshës së pensionit do të ndodhë deri në vitin 2040 apo 2045, do të duhet të parashikojmë në legjislacionin tonë që periudha e rritjes për gratë të jetë relativisht më e shpejtë, meqenëse mosha e tyre e daljes në pension është më e ulët dhe për burrat të jetë pak më graduale. E rëndësishme është që në momentin që hyjmë në BE ne të kemi rënë dakord për periudhën tranzitore dhe pas kësaj periudhe kjo moshë duhet të jetë e barazuar”, tha ajo.
Sipas Manjanit, po synohet që ky proces të jetë sa më i lehtë, pa krijuar deformime të lehtësive në tregun e punës.
Burimi ATSH