
Rama: Fushata më e qetë, një shumicë më e madhe sesa ajo që do të na votojë mendon që PS do të fitojë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “fushata elektorale për zgjedhjet e 11 majit ka qenë më e qeta që unë kam parë dhe ndjekur ndonjëherë nga ky pozicion që jam pa diskutim”.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “fushata elektorale për zgjedhjet e 11 majit ka qenë më e qeta që unë kam parë dhe ndjekur ndonjëherë nga ky pozicion që jam pa diskutim”.
Në një intervistë televizive Rama tha se “ne nga ana jonë kemi bërë një plan që bazohet tek nevoja për të komunikuar, por pa ekzagjeruar në aspektet e dekorit, asaj pjesës jopërmbajtësore, por më shumë sipërfaqësore, por besoj se influencon edhe fakti një shumicë më e madhe sesa shumica që do të na votojë ne mendon që ne do të fitojmë”, tha Rama.
Kryeministri Rama shprehu bindjen se më 11 maj, opozita nuk do ta marrë kurrë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021.
“2021 ka pasur tjetër atmosferë, tjetër tension. Ata ishin të bindur që do të fitonin, të bindur që ne do të humbisnim. Ishin më të organizuar sesa janë sot. Edhe rezultatin e 2021-shit nuk e arrijnë më”, u shpreh Rama.
I pyetur nëse fushata është fokusuar vetëm tek emri i tij dhe PS, Rama tha se “në fletën e votimit është subjekti dhe lideri i partisë. Nga ana tjetër, në të gjithë planetin demokratik, vetvetiu fushata qendërzohet te udhëheqësit e alternativat. Nuk është një zgjedhje. Është ndërtuar edhe mbi bazën e leximit të publikut në kuptimin e anketimeve që ne bëjmë edhe me fokus grupet që bëjmë dhe është arritur në këtë përfundim që duhet të jenë të dy emrat së bashku siç janë në fletën e votimit”.
Duke iu përgjigjur pyetjes se fushata është e qetë për shkak se nuk ka përballje, Rama iu përgjigj se “bilanci i punëve tona është i prekshëm për qytetarët, përndryshe nuk do të ishte e mundur që në të gjithë sondazhet e kryera deri më tani të dilnin një forcë dominante”.
“Qytetarët dallimin e kanë bërë, e kanë mbyllur dhe e kanë shumë të qartë. Se jetojnë në jetën reale dhe përputhin çfarë thuhet dhe shohin e kanë. Në të gjitha këto kënetat e vogla thuhet që Rama premtoi ujë, ujë s’ka. Ndërkohë që shumica dërrmuese kanë ujë dhe kur ata dëgjojnë mua që them kemi bërë kaq, e kaq në këtë qark, kthejnë sytë nga rubineti i tyre dhe ka ujë. Këto dy gjëra përputhen. Unë kam premtuar 24 orë dhe në shumicën dërrmuese të qyteteve është 24 orë sot që flasim, me ndonjë përjashtim.
Prandaj fitojmë ne se ju nuk dini sa qytete ka Shqipëria. Ngaqë jeni shumë qytetarë të koncentruar në qendër të Tiranës, si konsideroni qytete ato, por qyteza. Unë kam folur pafund për programin. Ideja që s’ka përballje, program apo qytetarët s’po shohin gjë dhe që s’ka politikë është e pavërtetë sipas meje. Është e kundërta. Ne kemi bilanc dhe qytetarët jetojnë me këtë bilanc. Nëse ne do të tregonim një bilanc që qytetarët s’e prekin nuk do të ishim sot në të gjithë sondazhet e opinionit një forcë absolutisht dominante. Ishe edhe ti protagonist tek ajo skena që më ka lënë mua pa fjalë me ditë të tëra kur komentonit sondazhin e sondazhistit të Donald Trump, kur thoshin se “ky popull është i sëmurë””, u shpreh Rama.
Burimi ATSH