
Kina lehtëson rregullat e rimbursimit të taksave, për të nxitur blerjet e turistëve të huaj
Kina publikoi të dielën një sërë masash për të përmirësuar politikën e rimbursimit të taksave në nisje, me qëllimin për të plotësuar më mirë nevojat e turistëve të huaj, si edhe për të nxitur konsumin hyrës

Kina publikoi të dielën një sërë masash për të përmirësuar politikën e rimbursimit të taksave në nisje, me qëllimin për të plotësuar më mirë nevojat e turistëve të huaj, si edhe për të nxitur konsumin hyrës.
Pragu minimal i blerjeve për rimbursimet e taksave në nisje është ulur. Ai u lejon udhëtarëve të huaj të aplikojnë për rimbursim, nëse shpenzojnë mbi 200 juanë (rreth 27.75 dollarë) në të njëjtin dyqan, në të njëjtën ditë, duke plotësuar edhe kërkesa të tjera përkatëse, sipas një dokumenti të publikuar nga Ministria e Tregtisë, së bashku me pesë departamente të tjera qeveritare.
Duke garantua menaxhim të duhur të riskut, rimbursimet do të bëhen përmes kanaleve të ndryshme, duke përfshirë pagesat me celular, kartat bankare dhe cash, për t’ju përshtatur preferencave të ndryshme të udhëtarëve të huaj. Limiti për rimbursimet me para cash është rritur në 20.000 juanë.
Në dokument përshkruhen gjithashtu hapat për të zgjeruar dyqanet e rimbursimit të taksave në nisje, për të pasuruar furnizimin me mallra dhe për të përmirësuar shërbimet përkatëse.
Më shumë dyqane të rimbursimit të taksave në nisje do të shtohen në zonat kryesore tregtare, ato këmbësore, pikat turistike, resortet, vendet kulturore, aeroportet, portet e pasagjerëve dhe nëpër hotele.
Dyqanet e rimbursimit të taksave në nisje, inkurajohen të zgjerojnë ofertat e produkteve duke përfshirë marka të njohura historike kineze, produkte të njohura konsumi, pajisje inteligjente, artikuj të trashëgimisë kulturore jomateriale, produkte artizanale dhe speciale.
Siç mësohet, do të nisin një sërë aktivitetesh për të promovuar blerjet në Kinë, me qëllimin për të mbështetur përpjekjet lokale në kultivimin dhe promovimin e produkteve speciale me cilësi të lartë, si “suvenirët e qyteteve” dhe artikuj “që duhet të blihen patjetër”, në dyqanet e rimbursimit të taksave në nisje.
Duke folur në një konferencë për shtyp të dielën, Sheng Qiuping, zv/Ministër i Tregtisë, tha se udhëtarët e huaj kryesisht blinin marka ndërkombëtare kur kërkonin rimbursime tatimore, ndërkohë kishte pak marka vendase të disponueshme dhe zgjedhje të kufizuara për blerje në përgjithësi.
Pragu më i ulët e blerjes, jo vetëm lehtëson barrierën për rimbursimin e taksave, por gjithashtu lejon më shumë dyqane specialitetesh, dyqane suveniresh dhe dyqane dhuratash me shuma më të ulta transaksionesh, të bashkohen me rrjetin e rimbursimit të taksave, duke ndihmuar në promovimin e shitjes së markave kineze, tha Sheng.
Ndërkohë, rregulloret në lidhje me rimbursimet e taksave në nisje janë rishikuar, për të ngritur shërbimet dhe për të përmirësuar procesin e rimbursimit, me qëllimin për të ndihmuar udhëtarët e huaj të përfitojnë sa më lehtëisht nga politikat e rimbursimit të taksave në nisje, sipas autoriteteve tatimore të vendit.
Më herët këtë muaj, Kina njoftoi një ndryshim në rimbursimet e taksave në nisje – nga rimbursimi pas nisjes, në rimbursim pas blerjes – duke u mundësuar vizitorëve të huaj të kërkojnë menjëherë zbritje të taksave me vlerë të shtuar në dyqanet pa taksa në të gjithë vendin.
“Duke u ofruar udhëtarëve të huaj një larmi më të madhe blerjesh, si edhe shërbime më të përmirësuara e më të përshtatshme të rimbursimit të taksave, nxitet konsumi hyrës, hapja me standarde të larta dhe rritja ekonomike e vendit”, tha Chen Binkai, nënkryetar i Universitetit Qendror të Financave dhe Ekonomisë.
Kina filloi zbatimin e politikës së rimbursimit të taksës në nisje për udhëtarët e huaj në vitin 2015. Që nga zbatimi i saj, përmasa e rimbursimeve është rritur vit pas viti, duke përfituar një numër gjithnjë e në rritje të udhëtarëve të huaj.
Të dhënat zyrtare tregojnë se vitin e kaluar, të ardhurat nga shitjet e mallrave për rimbursime të taksës në nisje, si edhe totali i taksës së rimbursuar, shënuan një rritje të fortë, duke u rritur përkatësisht me 120% dhe 130% krahasuar me një vit më parë.
Burimi CGTN