
Kompanitë shqiptare dhe italiane shkëmbejnë eksperienca dhe praktika konkrete mbi zbatimin e GDPR-së në kuadër të projektit ALIGN-AL
Confindustria Albania, në partneritet me kompaninë italiane EON Impresa dhe me bashkëfinancimin e Central European Initiative (CEI), në kuadër të programit Know-how Exchange Programme (KEP), organizoi sot një takim online mes kompanive shqiptare dhe italiane, në kuadër të projektit ALIGN-AL – Albania–EU Data Protection Alignment.

Tiranë, 25 nëntor 2026 – Confindustria Albania, në partneritet me kompaninë italiane EON Impresa dhe me bashkëfinancimin e Central European Initiative (CEI), në kuadër të programit Know-how Exchange Programme (KEP), organizoi sot një takim online mes kompanive shqiptare dhe italiane, në kuadër të projektit ALIGN-AL – Albania–EU Data Protection Alignment.
Takimi kishte në fokus shkëmbimin e eksperiencave konkrete dhe praktikave më të mira evropiane në zbatimin e Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), duke krijuar një hapësirë dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve të biznesit të të dy vendeve.
Një kontribut të veçantë në këtë aktivitet dhanë dy kompanitë italiane pjesëmarrëse, (Focus Med & Samarcanda) të cilat prezantuan përvojën e tyre shumëvjeçare dhe praktikat e konsoliduara në Itali në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale. Përtej aspekteve ligjore dhe rregullatore, ato ndanë në mënyrë të detajuar rrugëtimin e tyre në ndërtimin dhe zhvillimin e ekspertizës profesionale, si dhe qasjen serioze, të strukturuar dhe të përgjegjshme që kanë ndjekur në zbatimin e standardeve të GDPR-së në aktivitetin e përditshëm të biznesit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua praktikave në sektorin shëndetësor, ku u prezantuan mënyrat e komunikimit dhe administrimit me përgjegjshmëri të të dhënave personale në marrëdhëniet me pacientët dhe institucionet bashkëpunuese, si dhe sektorit të turizmit dhe hotelerisë, ku mbrojtja e të dhënave dhe respektimi i privatësisë përbëjnë elemente thelbësore të marrëdhënieve me klientët dhe partnerët e biznesit.
Përmes shembujve konkretë nga veprimtaria e tyre në Itali, kompanitë ndanë jo vetëm përvojën në përmbushjen e kërkesave të GDPR-së, por edhe mënyrën se si standardet evropiane integrohen në proceset e përditshme të organizimit dhe menaxhimit të biznesit.
Këto përvoja u ofruan kompanive shqiptare një perspektivë praktike mbi rëndësinë e ndërtimit të një kulture organizative të bazuar në mbrojtjen e të dhënave personale, besueshmërinë dhe cilësinë e marrëdhënieve me klientët dhe partnerët.
Qëllimi kryesor i aktivitetit ishte transferimi i njohurive dhe ekspertizës evropiane te bizneset shqiptare, duke i mbështetur në procesin e përafrimit me kërkesat e Ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Njëkohësisht, takimi synoi forcimin e kapaciteteve të kompanive dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e zbatimit të standardeve të mbrojtjes së të dhënave personale si pjesë e përgjegjshmërisë dhe funksionimit të qëndrueshëm të biznesit.
Ky shkëmbim ofroi gjithashtu një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të biznesit të Shqipërisë dhe Italisë, duke nxitur dialogun, transferimin e ekspertizës dhe ndarjen e zgjidhjeve praktike për sfidat që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale.
Përmes këtij aktiviteti, Confindustria Albania vijon angazhimin për të mbështetur bizneset shqiptare në procesin e përafrimit me standardet evropiane, duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e njohurive si instrumente të rëndësishme për zhvillimin e një mjedisi biznesi më të përgjegjshëm, më të sigurt dhe më konkurrues.
Projekti ALIGN-AL – Albania–EU Data Protection Alignment, tashmë në fazën përmbyllëse, po realizohet nga Confindustria Albania, në partneritet me kompaninë italiane EON Impresa, me bashkëfinancimin e Central European Initiative (CEI), në kuadër të programit Know-how Exchange Programme (KEP).
Përmes ekspertizës së specializuar, asistencës teknike dhe shkëmbimit të praktikave më të mira evropiane, projekti synon të mbështesë kompanitë që operojnë në Shqipëri në përafrimin me Ligjin nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe Rregulloren e Përgjithshme Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).
Projekti do të përmbyllet më 9 dhjetor 2026, në Tiranë, me organizimin e konferencës ALIGN-AL – Albania–EU Data Protection Alignment, e cila do të shërbejë si një moment për të prezantuar rezultatet e arritura, përvojat e fituara dhe kontributin e partnerëve në forcimin e kapaciteteve të bizneseve shqiptare për zbatimin e standardeve evropiane të mbrojtjes së të dhënave personale.
Marrë nga Perqasje.com


















