
Tirana mbledh agjencitë e investimeve të Ballkanit Perëndimor
Forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe promovimi i Ballkanit Perëndimor si një destinacion konkurrues për investimet ishin në qendër të Forumit të WB6 për Promovimin e Investimeve, që u zhvillua sot në Tiranë, në prag të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, e planifikuar më 25 dhe 26 nëntor.

Forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe promovimi i Ballkanit Perëndimor si një destinacion konkurrues për investimet ishin në qendër të Forumit të WB6 për Promovimin e Investimeve, që u zhvillua sot në Tiranë, në prag të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, e planifikuar më 25 dhe 26 nëntor.
Në forum morën pjesë agjencitë e promovimit të investimeve nga gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, partnerë europianë, përfaqësues të trupit diplomatik dhe institucioneve ndërkombëtare.
Aktiviteti me temë “Investing in the Western Balkans: Opportunities, Trends and Competitiveness” u organizua nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), me mbështetjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Në fjalën e hapjes, drejtoresha ekzekutive e AIDA-s, Laura Saro, theksoi se investitorët nuk investojnë thjesht në potencial, por në besimin se ai mund të shndërrohet në rezultate konkrete. Ajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe krijimit të një mjedisi të qëndrueshëm e konkurrues për investimet. Ndërsa perspektiva institucionale u prezantua edhe nga zëvendësministrat e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani dhe Enkelejd Musabelliu, të cilët trajtuan zhvillimin ekonomik dhe kushtet për tërheqjen e investimeve.
Gjatë forumit, eksperti i German Economic Team, Ricardo Giucci, analizoi rolin e investimeve të huaja direkte në zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e rajonit, duke prezantuar tendencat globale dhe sektorët me potencial për tërheqjen e kapitalit në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.
Diskutimet u përqendruan te konkurrueshmëria rajonale, përafrimi me standardet europiane, integrimi në zinxhirët e vlerës dhe shërbimet për investitorët pas realizimit të investimit. Në fokus ishin gjithashtu sektorë me potencial zhvillimi, si energjia e rinovueshme, infrastruktura, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, turizmi i qëndrueshëm dhe bujqësia moderne.
Forumi synon të forcojë koordinimin mes agjencive të investimeve të rajonit dhe të promovojë një qasje të përbashkët për tërheqjen e investitorëve, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor kërkojnë të rrisin integrimin ekonomik me tregun europian.
Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor vijon më 25 dhe 26 nëntor në Tiranë, duke sjellë së bashku përfaqësues të institucioneve europiane, investitorë dhe aktorë të ekonomisë rajonale.
Burimi ATSH



















