
Begaj: Progresraporti i KE-së, dëshmi e avancimit në procesin e integrimit
Presidenti Bajram Begaj priti sot në takim ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila i dorëzoi progresraportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Presidenti Bajram Begaj priti sot në takim ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila i dorëzoi progresraportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Presidenti e vlerësoi progresraportin e këtij viti si dëshmi të avancimit në procesin e integrimit dhe si një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivit historik të anëtarësimit të vendit tonë në BE.


Kreu i Shtetit i përcolli ambasadores evropiane mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe politikat pro zgjerimit të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Begaj rikonfirmoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2030.
Në këtë kontekst, Presidenti theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirinë e medias.
Kreu i Shtetit ritheksoi se respektimi i sundimit të ligjit, funksionimi i institucioneve dhe dialogu demokratik mbeten thelbësore për realizimin e objektivit strategjik të integrimit evropian.
Burimi ATSH


















