
Kumbaro: Gjuha rome, pasuri e diversitetit tonë gjuhësor
Dita Botërore e Gjuhës Rome shënohet çdo vit më 5 nëntor, me qëllim promovimin, ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës rome, si dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e saj si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe identitetit të komunitetit rom.

Dita Botërore e Gjuhës Rome shënohet çdo vit më 5 nëntor, me qëllim promovimin, ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës rome, si dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e saj si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe identitetit të komunitetit rom.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro uroi sot komunitetin rom për gjuhën e tij, e cila daton më shumë se një mijë vite më parë dhe që sot flitet në më shumë se 50 shtete të botës.
“Gëzuar Ditën Botërore të Gjuhës Rome, kësaj luleje plot kolorit të pemës së diversitetit tonë gjuhësor me mesazhin për të inkurajuar sa më shumë të folurit e të shkruarit e saj, por edhe talentet, aftësitë dhe kreativitetin e fëmijëve të komunitetit rom që pasurojnë peizazhin tonë kulturor, promovimin e vlerave të trashëgimisë dhe gjithëpërfshirjes”, tha Kumbaro.
Gjuha rome është një gjuhë indo-ariane, e lidhur historikisht me gjuhët e Indisë, e cila flitet nga komunitetet rome në shumë vende të botës. Ajo ka dialekte të ndryshme, të zhvilluara gjatë migrimeve dhe ndërveprimeve historike të këtij komuniteti.
UNESCO shpalli Ditën Botërore të Gjuhës Rome në vitin 2015 për të promovuar ruajtjen e gjuhës dhe kulturës rome, për të përmirësuar mirëqenien e popullsisë rome dhe për të njohur rëndësinë e të gjitha gjuhëve, diversiteti i të cilave është një burim force për të gjitha shoqëritë.
Burimi ATSH


















