
Rama: Shqipëria mes vendeve kryesuese në GovTech, sfidë shërbimi në kohë ndaj qytetarëve
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria renditet, sipas vlerësimit të Bankës Botërore për GovTech dhe qeverisjen përmes teknologjisë, në grupin e vendeve më të përparuara

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria renditet, sipas vlerësimit të Bankës Botërore për GovTech dhe qeverisjen përmes teknologjisë, në grupin e vendeve më të përparuara, duke theksuar se transformimi digjital duhet të shoqërohet edhe me ndryshime në funksionimin e institucioneve dhe në mënyrën e vlerësimit të punonjësve.
Në një komunikim së bashku me ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, Rama prezantoi një plan të ri transformimi dhe vlerësimi të administratës publike, me fokus forcimin e meritokracisë dhe përmirësimin e marrëdhënies mes administratës dhe qytetarëve.
“Jo sipas meje, jo sipas nesh, por sipas Bankës Botërore, Shqipëria renditet në grupin më të përparuar të vendeve në vlerësimin e GovTech dhe të qeverisjes përmes teknologjisë”, u shpreh Kryeministri.
Ai kujtoi ndryshimin e mënyrës së ofrimit të shërbimeve publike, duke iu referuar periudhës kur marrja e një dokumenti shoqërohej me radhë, dokumente dhe humbje kohe.
“Kemi përjetuar një përparim të jashtëzakonshëm në një fushë ku dikur shteti ishte sinonim i radhëve, letrave, vulave, humbjes së kohës dhe bakshisheve, qoftë edhe për të marrë në kohë një certifikatë lindjeje”, tha Rama.
Megjithatë, shtoi Rama, modernizimi i shërbimeve digjitale nuk mjafton nëse institucionet nuk u përgjigjen qytetarëve në kohë dhe nuk mbajnë përgjegjësi për kërkesat e tyre.
“Mund të kesh shërbimin më të sofistikuar digjital, por, nëse pas këtij shërbimi qëndron një institucion që, gjithsesi, nuk i përgjigjet qytetarit në kohë, nuk merr përgjegjësi kur kërkesa e qytetarit zvarritet apo humbet. Nuk ka aftësi vetëkorrigjuese, atëherë qytetari vazhdon të ketë një problem serioz me shtetin në tërësi”, theksoi ai.
Në këtë kuadër, Rama prezantoi “Shkallën e meritës”, si një mekanizëm që synon të ndryshojë mënyrën e menaxhimit dhe vlerësimit të kapitalit njerëzor në administratë, duke krijuar mundësi për përparim në karrierë mbi bazën e aftësive dhe përkushtimit.
“Por, nëse brenda institucionit, njeriu që punon më mirë nuk ka më shumë mundësi për të përparuar sesa ai që nuk punon, atëherë sistemi nuk mund të konsiderohet tërësisht funksional”, u shpreh Kryeministri.
Ai e lidhi reformën edhe me përvojën e administratës shqiptare gjatë negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar përgatitjen profesionale të punonjësve që përballen me ekspertët e Komisionit Evropian.
“Këtu nuk është fjala për një volum pune të jashtëzakonshëm, por për nivelin e përgatitjes, për thellësinë e njohurive, për disiplinën që kërkon një proces i tillë, me burokratët e Brukselit përballë, që janë si mekanizëm të një sahati zviceran”, tha Rama.
Sipas tij, në administratën shqiptare ekziston një potencial i gjerë profesional, i cili duhet të njihet dhe të vlerësohet më mirë.
“Flas për qindra njerëz, për një potencial të tërë profesional që ekziston sot brenda administratës shqiptare dhe që ne kemi detyrimin ta njohim shumë më mirë dhe ta vlerësojmë me shumë më tepër kujdes”, u shpreh Kryeministri.
Rama iu referua gjithashtu anketimeve të brendshme me punonjësit e administratës, duke ngritur shqetësimin se përkushtimi dhe rezultatet në punë nuk përkthehen gjithmonë në mundësi të qarta përparimi në karrierë.
“Një nëpunës që punon me përkushtim për vite me radhë, merr vlerësime të mira për përgjegjësitë dhe punën e tij, mund të mos ketë një rrugë të qartë për t’u rritur në karrierë”, tha ai, duke shtuar se karriera e një punonjësi shpesh mund të varet nga rastësia.
/Burimi ATSH



















