
1.1 miliardë lekë shtesë për rritjen e bursave për studentët, 30% e shpenzimeve të përgjithshme për mbrojtjen sociale
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027, ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se për periudhën 2027-2029, shpenzimet kapitale synojnë të jenë mesatarisht rreth 6,6% e PBB-së në vit

Investimet publike për vitin 2027 parashikohen në 201,5 miliardë lekë, ose 6,9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mbrojtja sociale dhe arsimi janë ndër sektorët që përfitojnë financim të konsiderueshëm në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027, ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se për periudhën 2027-2029, shpenzimet kapitale synojnë të jenë mesatarisht rreth 6,6% e PBB-së në vit, duke përfshirë edhe investimet e mundshme në kuadër të Planit të Ri të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Për vitin 2027, investimet publike do të mbështesin infrastrukturën, shërbimet publike dhe projektet që synojnë zhvillimin ekonomik.
Sa i takon mbrojtjes sociale, Malaj tha se financimi i parashikuar arrin në 279,7 miliardë lekë, ose rreth 30% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.
Ministri Malaj deklaroi se “arsimi është një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendit. Për këtë arsye, projektbuxheti 2027 parashikon që shpenzimet e këtij sektori të arrijnë në 93,6 miliardë lekë, me një rritje prej 4,5 miliardë lekësh krahasuar me nivelin e mëparshëm të financimit”.
Sipas Malajt, prioritetet kryesore që do të financohen janë: 1.1 miliardë lekë shtesë për rritjen e bursave për studentët në nevojë; 400 milionë lekë shtesë për përmirësimin e infrastrukturës së arsimit bazë; 500 milionë lekë do të investohen për programin “Pas Shkollës” (After School), duke mundësuar zgjatjen e orarit për fëmijët që qëndrojnë pas shkolle deri në orën 17:00 dhe 100 milionë lekë shtesë për kërkimin shkencor.
Burimi ATSH



















