
Projekti SheADS, Gonxhja: Vajzat kanë vend në çdo arenë
Me mesazhin se “Sporti nuk njeh kufij”, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, promovoi vajzat sportiste të cilat përmes punës së palodhur, përkushtimit dhe sakrificave të përditshme po dëshmojnë se talenti dhe suksesi në sport nuk kanë gjini.

Me mesazhin se “Sporti nuk njeh kufij”, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, promovoi vajzat sportiste të cilat përmes punës së palodhur, përkushtimit dhe sakrificave të përditshme po dëshmojnë se talenti dhe suksesi në sport nuk kanë gjini.
Ministri Gonxhja përcolli në rrjetet sociale shembullin e tri sportisteve të reja: futbollistes Amarda Xhebrahimi, qitëses Sindi Sula dhe mundëses Albina Drazhi, të cilat me rezultatet e tyre po thyejnë stereotipet e trashëguara për disiplina që tradicionalisht janë konsideruar si sporte për meshkuj, duke treguar se këmbëngulja dhe pasioni janë çelësi i arritjeve të mëdha.
“Tre sporte, një mesazh: vajzat kanë vend në çdo arenë! Nga tapeti i mundjes te fusha e futbollit dhe qitja sportive, tre disiplina që bashkohen nga pasioni dhe dëshira për të ecur përpara”, u shpreh ministri Gonxhja, në një mesazh në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian, “SheADS”, i udhëhequr nga Universiteti i Sporteve, në bashkëpunim me MTKS.
“SheAds” është një projekt i financuar nga programi “Erasmus+” i Bashkimit Evropian, i cili fokusohet në rritjen e shikueshmërisë dhe promovimin e barazisë gjinore për gratë në sport, me një fokus të veçantë në Shqipëri.
Përtej medaljeve dhe rezultateve, historia e këtyre sportisteve është një shembull frymëzimi për vajzat e reja që duan të ndjekin ëndrrat e tyre pa u kufizuar nga paragjykimet. Promovimi i arritjeve të tyre është një mënyrë për të nxitur barazinë në sport dhe për të krijuar më shumë hapësira e mundësi për vajzat që zgjedhin të sfidojnë veten në çdo disiplinë sportive.
Përmes projektit SheAds, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit angazhohet për të rritur dukshmërinë e grave dhe vajzave në sport, për të promovuar modele pozitive dhe për të nxitur një komunikim sportiv më të barabartë, gjithëpërfshirës dhe pa stereotipe gjinore.
Burimi ATSH


















