
Rama: Lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, do të kurohet në spitalin më të mirë të Italisë
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se është marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit që u dëmtua në sy në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se është marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit që u dëmtua në sy në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor.
Rama u shpreh se pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një ‘matufi” maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje.
“Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?”, tha Rama.
Sipas tij, lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur.
“U them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën: Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit! Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së malkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë”, tha Rama.
“Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni. Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikon”, u shpreh kryeministri.
Marrë nga ATSH



















