
Beja: Integrimi në BE, sfidë për shërbime doganore më cilësore dhe të sigurta
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian e vendos Doganën Shqiptare përpara një sfide të re për përmirësimin cilësor të shërbimit

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian e vendos Doganën Shqiptare përpara një sfide të re për përmirësimin cilësor të shërbimit dhe forcimin e kontrollit kufitar, pasi kufiri shqiptar do të jetë pjesë e kufirit të jashtëm të BE-së, deklaroi drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja.
Përmes një videomesazhi, Beja theksoi se standardet e shërbimit doganor nuk do të jenë më vetëm një çështje me interes kombëtar, por do të jenë në vëmendjen e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian e vendos Doganën Shqiptare përpara sfidës së përmirësimit cilësor, duke vepruar si kufi i jashtëm i BE-së, pas të cilit qarkullimi i mëtejshëm i mallrave kryhet pa kontroll. Standardi i shërbimit doganor nuk do të jetë vetëm në interes të Shqipërisë, por në vëmendje të çdo vendi të BE-së”, u shpreh Beja.
Ai nënvizoi se kjo përgjegjësi e re kërkon forcimin e mëtejshëm të sigurisë dhe kontrollit kufitar, pasi kalimi i kufirit shqiptar do të nënkuptojë kalimin e kufirit të jashtëm të Bashkimit Evropian.
“Ne duhet të përmirësojmë pozicionin tonë, për shkak se jemi jashtë Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë që, në rast se kalon kufirin tonë, ka kaluar kufirin e Bashkimit Evropian dhe mund të shkojë pa kontroll pastaj në çdo vend të Bashkimit Evropian”, deklaroi Beja.
Sipas tij, kjo situatë e bën Shqipërinë më të përgjegjshme për zbatimin me rigorozitet të legjislacionit dhe standardeve të kontrollit kufitar.
“Dhe kjo na bën më të përgjegjshëm për të zbatuar më me kujdes legjislacionin, sepse cenimi i interesit tashmë nuk është më vetëm i Shqipërisë, por është për gjithë vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, theksoi Beja.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave vuri në dukje se mënyra se si Shqipëria do të garantojë sigurinë dhe kontrollin e kufijve të saj do të jetë në vëmendjen e vendeve anëtare të BE-së, duke e vendosur administratën doganore përballë një përgjegjësie të shtuar në procesin e integrimit evropian.
Marrë nga ATSH


















