
Ambasadori Alberti: Investimet italiane në Shqipëri arrijnë 1 miliard euro
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti ka deklaruar se vendi i tij është i angazhuar për të rritur prezencën e saj në Shqipëri për t’i dhënë një tjetër përmbajtje marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti ka deklaruar se vendi i tij është i angazhuar për të rritur prezencën e saj në Shqipëri për t’i dhënë një tjetër përmbajtje marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.
Në një prononcim për mediet nga Korça, Alberti vlerësoi edhe marrëdhëniet ekonomike mes Italisë dhe Shqipërisë, duke deklaruar se “kemi ndërkohë investime të cilat në Shqipëri kapin shifrën e rreth 1 miliard euro”.
Diplomati italian pohoi se “krahas investimeve të tjera do të realizohet ose do të mundësohen rreth 600 apo 700 vende të reja pune”.
“Ne mendojmë se forcimi i marrëdhënieve në fushën e ekonomisë ndihmon sigurisht edhe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian që për Italinë është një prioritet absolut”, shtoi ambasadori.
Alberti përmendi edhe sektorët më të rëndësishëm ku ata janë të pranishëm në vendin tonë që nga inteligjenca artificiale, në sektorin digjital apo edhe në industrinë e mbrojtjes.
Ai shtoi se synimi i pranisë italiane është krijimi i mundësive që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri, të punojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
Ambasadori italian mori pjesë në inaugurimin e Bibliotekës së Fëmijëve “Thoma Turtulli”, tashmë të transformuar në një hapësirë moderne, ku libri, teknologjia dhe kreativiteti ndërthuren për t’u dhënë fëmijëve mënyra të reja për të zbuluar, eksperimentuar dhe krijuar.
Investimi u realizua me financimin e Programit Italo-Shqiptar të Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA), në kuadër të projektit “Children Innovative & Creative Hub ‘Thoma Turtulli’”, dhe Kooperacionit Zviceran, në kuadër të projektit “Smart Energy Municipalities Project (SEMP)”.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo është shprehur se “përtej një biblioteke tradicionale, “Thoma Turtulli” vjen si një hapësirë bashkëkohore, me ambiente të reja, mobilim modern dhe teknologji që i japin një dimension të ri mënyrës se si fëmijët ndërveprojnë me dijen dhe me njëri-tjetrin”.
Burimi ATSH



















