
Jaupaj: Dokumentari artistik “Unë, Vjosa” do të shfaqet në COP31 në Pavijonin e Shqipërisë
Dokumentari i plotë artistik “Unë, Vjosa” do të shfaqet në kuadër të aktiviteteve të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP31, në Pavijonin e Shqipërisë në Antalia të Turqisë.

Dokumentari i plotë artistik “Unë, Vjosa” do të shfaqet nesër, në orën 13:15, në kuadër të aktiviteteve të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP31, në Pavijonin e Shqipërisë në Antalia të Turqisë.
Dokumentari sjell përmes një rrëfimi artistik historinë, bukurinë dhe pasurinë biodiversitare të Vjosës, duke pasqyruar edhe rrugëtimin nga kërcënimet e peshkimit pa kriter drejt mbrojtjes së këtij ekosistemi unik.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi në rrjetet sociale nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, i cili solli në vëmendje rëndësinë e mbrojtjes së lumit Vjosa dhe vlerave të tij të jashtëzakonshme natyrore.
“Nga peshkimi pa kriter te mbrojtja e biodiversitetit, Vjosa përfaqëson sot një ekosistem të mbrojtur, ku natyra dhe pasuria e saj ruhen përmes statusit të Parkut të parë Kombëtar të Lumit të Egër në Evropë. Dokumentari i plotë artistik “Unë, Vjosa” do të shfaqet nesër, në orën 13:15, në kuadër të aktiviteteve të COP31, në Pavijonin e Shqipërisë. Një rrëfim artistik që sjell në vëmendje historinë, bukurinë dhe vlerat natyrore të Vjosës, si dhe rëndësinë e mbrojtjes së këtij lumi unik”, shkruan Jaupaj.
Pavijoni i Shqipërisë ndodhet në stendën A255, në Zonën Blu (Blue Zone), në Antalia të Turqisë.
Lumi Vjosa, me një gjatësi prej rreth 272 kilometrash, përshkon jugun e Shqipërisë dhe ruan një pasuri të rëndësishme natyrore, me specie, ekosisteme dhe peizazhe unike.
Në vitin 2023, Parku Kombëtar i Lumit Vjosa u përfshi në rrjetin botëror të UNESCO-s, duke u bërë parku i parë kombëtar i një lumi të egër në Evropë i mbrojtur në këtë nivel.
Marrë nga ATSH

















