
Rrokaj, takime me homologët në Bukuresht: Projekte të përbashkëta për Arkiva
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Auron Rrokaj, mori pjesë në Asamblenë e Degës Rajonale Evropiane të Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave (EURBICA), që po zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Auron Rrokaj, mori pjesë në Asamblenë e Degës Rajonale Evropiane të Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave (EURBICA), që po zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë.
Gjatë këtij takimi ndërkombëtar, Rrokaj zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve homologe të Italisë, Malit të Zi dhe Polonisë, me qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën arkivore.
Në takimin me Virginia Fiore, përfaqësuese e Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore të Italisë (INPS), u diskutua për pasurimin e arkivit historik, shkëmbimin e ekspertizës dhe vizitat e ndërsjella të specialistëve.

Ndërsa me drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave Shtetërore të Malit të Zi, Danilo Mrvaljević, u dakordësua organizimi i një ekspozite të përbashkët në qershor 2027, në Shqipëri dhe Mal të Zi. Ekspozita do të ketë temën “Shqiptarët në Mal të Zi dhe malazezët në Shqipëri”, duke sjellë në vëmendje historinë dhe lidhjet mes dy popujve.

Në takimin me drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave Shtetërore të Polonisë, Paweł Pietrzyk, u diskutua për një marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve. Në këtë kuadër, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave u ftua për një vizitë në Krakovë në muajin dhjetor, me synim konkretizimin e bashkëpunimit.
Marrë nga ATSH


















