
Vendet evropiane vendosin kushte për bisedimet e sigurisë me Rusinë
Një shumicë e madhe e vendeve evropiane janë të gatshme të zhvillojnë bisedime me Rusinë për çështjet kryesore të sigurisë vetëm pasi të përfundojë lufta në Ukrainë, sipas një deklaratë të nënshkruar nga 39 vende gjatë samitit evropian në Dublin

Një shumicë e madhe e vendeve evropiane janë të gatshme të zhvillojnë bisedime me Rusinë për çështjet kryesore të sigurisë vetëm pasi të përfundojë lufta në Ukrainë, sipas një deklaratë të nënshkruar nga 39 vende gjatë samitit evropian në Dublin.
Deklarata, e iniciuar nga Franca dhe e titulluar “Parimet kryesore të sigurisë evropiane”, mbështet zhvillimin e diskutimeve për menaxhimin dhe uljen e rreziqeve të sigurisë. Megjithatë, ajo thekson se këto bisedime mund të zhvillohen vetëm pasi të plotësohen kushtet e nevojshme dhe të rikthehet paqja.
Diskutimet e mundshme mund të përfshijnë rreziqet ushtarake dhe kërcënimet hibride, si sabotazhi, sulmet dhe fushatat e dezinformimit. Rusia ka kërkuar më parë kufizimin e pranisë së NATO-s pranë kufijve të saj.
Dokumenti nënvizon gjithashtu se çdo vendim që lidhet me Ukrainën duhet të merret me pjesëmarrjen e vetë Ukrainës, ndërsa vendimet për sigurinë e Evropës duhet të përfshijnë vendet evropiane. Deklarata kërkon gjithashtu garanci të forta dhe të besueshme sigurie për Kievin.
Nisma vjen në një kohë kur janë shtuar spekulimet se Uashingtoni mund të negociojë drejtpërdrejt me Moskën për krijimin e një kuadri të ri të sigurisë evropiane, pa përfshirjen e vendeve të Evropës. Negociatori amerikan Jared Kushner ka paraqitur një propozim që mbështetet në komunikimin, transparencën ushtarake dhe uljen e rrezikut të përshkallëzimit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kritikoi qëndrimin e vendeve evropiane, duke i akuzuar se nuk janë të gatshme të diskutojnë një sistem të ardhshëm të sigurisë dhe se nuk kanë caktuar as një negociator për këtë proces.
Mes vendeve që nuk e nënshkruan deklaratën ishin Armenia, Azerbajxhani, Bosnjë-Hercegovina dhe Zvicra. Bullgaria ishte i vetmi shtet anëtar i Bashkimit Evropian që nuk iu bashkua dokumentit, ndërsa arsyet e këtij vendimi nuk u bënë menjëherë të ditura.
Marrë nga ATSH

















