
Spahiu: Kujdesi alternativ për fëmijët do të zgjerohet, 200 familje kujdestare pjesë e reformës
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, zhvilloi sot një vizitë në Shtëpinë e Foshnjës “Hannah dhe Rozafa”, ku u njoh nga afër me shërbimet e ofruara për fëmijët, kushtet e kujdesit dhe punën e stafit të institucionit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, zhvilloi sot një vizitë në Shtëpinë e Foshnjës “Hannah dhe Rozafa”, ku u njoh nga afër me shërbimet e ofruara për fëmijët, kushtet e kujdesit dhe punën e stafit të institucionit.
Gjatë vizitës, ministrja theksoi rëndësinë e reformës së deinstitucionalizimit dhe zgjerimit të shërbimeve të kujdesit alternativ, me synimin që më shumë fëmijë të rriten në një mjedis familjar, të sigurt dhe mbështetës.
Ajo bëri të ditur se synimi është përfshirja e 200 familjeve kujdestare, në mënyrë që më shumë fëmijë të rriten në një mjedis familjar të sigurt.
“E diela nis në Shtëpinë e Foshnjës “ Hannah dhe Rozafa” me vëmendjen te kujdesi dhe mirëqenia e çdo fëmije. Përmes reformës së deinstitucionalizimit dhe zgjerimit të kujdesit alternativ, ku do të përfshihen 200 familje kujdestare, synojmë që më shumë fëmijë të rriten në një mjedis familjar të sigurt, me kujdesin dhe mbështetjen që meritojnë”, shkruan ministrja.
Sipas kryekujdestares së qendrës, institucioni ka një kapacitet prej 50 fëmijësh, ndërsa aktualisht ofron shërbim për 41 të mitur. Gjatë gjithë vitit janë trajtuar 51 fëmijë, ndërsa kujdesi sigurohet gjatë 24 orëve nga stafi i institucionit.
Gjatë bashkëbisedimit, ministrja Spahiu pyeti edhe për situatën e fëmijëve që mund të rikthehen në familjet biologjike apo të kalojnë në procesin e birësimit. Kryekujdestarja bëri të ditur se tre fëmijë janë në plan për t’u rikthyer pranë familjeve të tyre biologjike, ndërsa theksoi se familjet kujdestare pa lidhje gjaku duhet të ruajnë kontaktin dhe marrëdhënien e fëmijëve me familjen biologjike.
Pediatrja e qendrës vlerësoi përkushtimin e stafit në ofrimin e një shërbimi të ngrohtë dhe familjar për çdo fëmijë.
“Ne e konsiderojmë familje të madhe dhe çdo aktivitet, çdo shërbim, çdo punë që bëjmë, e bëjmë si në shtëpi, si për fëmijët tanë”, u shpreh pediatrja.
Reforma e deinstitucionalizimit synon të zhvendosë fokusin nga kujdesi rezidencial drejt shërbimeve komunitare dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të familjeve, në mënyrë që fëmijët të rriten në një mjedis familjar dhe të kenë akses në shërbimet e nevojshme sociale.
Burimi ATSH

















