
Pagesat me kartë nga janari 2027, Ibrahimaj: Kufizohen komisionet ndërbankare, përgjysmohen kostot për tregtarët
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një videomesazh sot, bëri të ditur se ligji i ri përcakton kufizimin e komisionit ndërbankar në 0,2% për kartat e debitit dhe 0,3% për kartat e kreditit, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Bizneset do të përfitojnë nga ulja e kostove të pagesave elektronike, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të kryejnë transaksione me kartë me më pak kosto, përmes ndryshimeve që sjell Ligji i ri i Pagesave, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2027.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një videomesazh sot, bëri të ditur se ligji i ri përcakton kufizimin e komisionit ndërbankar në 0,2% për kartat e debitit dhe 0,3% për kartat e kreditit, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
“Pagesat me kartë po bëhen më të lira për bizneset dhe më të lehta për qytetarët! Nga 1 janari 2027, me Ligjin e ri të Pagesave, komisioni ndërbankar kufizohet në 0,2% për kartat e debitit dhe 0,3% për kartat e kreditit, sipas standardeve të Bashkimit Europian, duke ulur kostot e transaksioneve deri në 1,3%”, deklaroi Ibrahimaj.
Sipas saj, zbatimi i këtyre ndryshimeve do të sjellë përgjysmimin e kostove të transaksioneve për tregtarët, duke krijuar kushte më të favorshme për përdorimin e pagesave me kartë në aktivitetin e përditshëm tregtar.
Ministrja u ndal edhe te programi “Cashless Albania”, përmes të cilit po zgjerohet përdorimi i terminaleve POS në pikat e shitjes, me synim pajisjen e të gjithë tregtarëve që u shërbejnë konsumatorëve deri në dhjetor 2026.
“Përmes programit Cashless Albania, po zgjerojmë përdorimin e terminaleve POS, me qëllim që të gjithë tregtarët që u shërbejnë konsumatorëve të pajisen me këto pajisje deri në dhjetor 2026”, theksoi Ibrahimaj.
Ajo vlerësoi se ulja e kostove për bizneset, lehtësimi dhe siguria e pagesave për qytetarët, si dhe zgjerimi i përdorimit të instrumenteve elektronike, janë hapa drejt një ekonomie më moderne dhe transparente.
Burimi ATSH

















