
Ibrahimaj: 7 mijë apartamente dhe 2 mijë kredi të buta në paketën e re të strehimit
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se paketa e re ligjore për strehimin, e cila është drejt përmbylljes, parashikon vënien në dispozicion të 7 mijë apartamenteve dhe 2 mijë kredive të buta për familjet dhe profesionistët e rinj.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se paketa e re ligjore për strehimin, e cila është drejt përmbylljes, parashikon vënien në dispozicion të 7 mijë apartamenteve dhe 2 mijë kredive të buta për familjet dhe profesionistët e rinj.
Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj tha se 2 mijë prej kredive do të jenë me interes zero dhe do t’u jepen profesionistëve të rinj dhe çifteve të reja për blerjen e apartamenteve me vlerë deri në 60 mijë euro.
“Do të jenë 7 mijë apartamente, të cilat do të vihen në dispozicion në bazë të paketës së re ligjore, të cilën ne jemi duke e përmbyllur. Do të jenë 2 mijë kredi të buta me zero interes për apartamente që kushtojnë deri në 60 mijë euro, të cilat do t’u jepen profesionistëve të rinj dhe çifteve të reja”, u shpreh Ibrahimaj.
Ibrahimaj theksoi se për apartamentet me sipërfaqe më të mëdha, duke qenë se kufiri prej 60 mijë eurosh mund të kufizojë mundësinë për blerjen e banesave më të mëdha, qeveria po parashikon një politikë të re mbështetëse për familjet e reja me një ose më shumë fëmijë.
“Në këtë kuadër, do të vihen në dispozicion 3 mijë apartamente, të cilat do të financohen përmes kredive të buta me një normë interesi fikse prej 3%. Duam të bëjmë një politikë të re për të gjitha familjet e reja me një ose më shumë fëmijë, ku do të vihen në dispozicion 3 mijë apartamente me një kredi të butë dhe me një normë interesi fikse prej 3%”, tha ministrja Ibrahimaj.
Ibrahimaj nënvizoi se diferenca e normave të interesit, si për kreditë me interes zero, ashtu edhe për kreditë me normë fikse 3%, do të mbulohet nga një fond që do të krijohet, Fondi Kombëtar për Strehimin.
“Fondi do të përfshijë 3% të të ardhurave që mblidhen nga bashkitë dhe paguhen nga zhvilluesit dhe ndërtuesit, si edhe fondet e buxhetit të shtetit të destinuara për strehimin. Fondi Kombëtar për Strehimin do të përmbledhë gjithashtu edhe mekanizma të tjerë financimi dhe kredi që mund të vihen në dispozicion nga institucionet financiare ndërkombëtare”, tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj bëri të ditur se “Banka Evropiane e Investimeve (BEI) ka një program specifik dhe favorizues për strehimin, i cili pritet të bëhet pjesë e mekanizmave të financimit të Fondit Kombëtar për Strehimin”.
Në vijim, Ibrahimaj bëri të ditur se qeveria planifikon të subvencionojë edhe qiratë për 3 mijë apartamente, duke zgjeruar skemën përtej shtresave në nevojë.
Ajo tha se përfitues do të jenë edhe familjet e reja, profesionistët e sapodiplomuar dhe çiftet e reja që zgjedhin të jetojnë në një qytet tjetër, apo që pas përfundimit të studimeve në kryeqytet vendosin të rikthehen në vendbanimin e tyre.
“Ne do t’i mbështesim këto familje të reja me qëllim që t’u garantojmë një fillim të jetesës më të sigurt, pasi ne mendojmë që në Shqipëri, në fakt, strehimi është një çështje kryesore për qytetarët dhe shifrat e tregojnë qartë këtë”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se “më shumë se 80% e qytetarëve shqiptarë jetojnë në banesa në pronësi të tyre, çka sipas saj tregon rëndësinë që strehimi ka për sigurinë dhe mirëqenien e familjeve”.
“Kemi më shumë se 80% të qytetarëve shqiptarë të cilët jetojnë në banesa në pronësinë e tyre dhe kjo do të thotë që një nga aspektet kryesore të sigurisë së jetesës lidhet me strehimin”, tha ajo.
Përveç produkteve të reja të strehimit, Ibrahimaj bëri të ditur se do të nisë edhe ndërtimi i disa blloqeve të banesave, të konceptuara sipas modelit “30-40-30”.
“30% e banesave do t’u dedikohen banesave sociale dhe shtresave në nevojë apo të dizavantazhuara, 40% do të jenë banesa të përballueshme për familjet dhe individët e shtresës së mesme. 40% e banesave do t’i dedikohen strehimit të përballueshëm, pra strehimit për atë kategori familjesh apo individësh që nuk konsiderohen të varfër, konsiderohen shtresë e mesme, por që gjithashtu nuk arrijnë dot të përballojnë vlerën e një banese në vitet e tyre të para të jetesës bashkë, të krijimit të familjes apo të punës. Dhe 30% do t’i dedikohet shitjes në tregun e lirë”, theksoi Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj tha se “kjo është një politikë e cila, në fakt, është studiuar nga ana jonë duke marrë në analizë të gjithë vendet e Europës, por edhe të rajonit e më gjerë. Është një politikë, e cila ndikon në banesat në përgjithësi dhe në urbanizimin në përgjithësi të qyteteve dhe nuk lejon që të krijohen blloqe pallatesh, ku ka vetëm një kategori shtrese, të cilat mund të kthehen në problematike në të ardhmen”.
Marrë nga ATSH



















